Kërkohet fundi i rivalitetit Hashim Thaçi - Albin Kurti

Politika

Kërkohet fundi i rivalitetit Hashim Thaçi - Albin Kurti

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 21 shkurt 2020 Në ora: 08:21
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Në fillim të kësaj jave, Kosova shënoi 12 vjetorin e shtetësisë. Për këtë ditë, siç edhe ndodh rëndom, u mbajt edhe seanca solemne në Kuvendin e Kosovës. Për dallim prej herëve të mëparshme, sivjet, përvjetori i Pavarësisë së Kosovës, u shënua pa PDK-në. Në fakt, u shënua pa PDK-në në pushtet. Gjithnjë duke përjashtuar presidentin e vendit që ishte kryetar i kësaj parte dikur.  

Sidoqoftë, prapë se prapë, ky përvjetor u shënua ndaras. Qeveria dhe Kuvendi festuan paradite, ndërkaq, presidenti, me një ceremoni zyrtare, festoi në mbrëmje.

Duhet theksuar se, të pranishëm në festën e presidentit, ishin edhe kryeministri Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Arsyeja që, Thaçi festoi në mbrëmje dhe që nuk ishte i pranishëm në seancën solemne, ishte për shkak të vizitës zyrtare jashtë vendit.  

Ai, gjatë ditës së 17 shkurtit, erdhi nga Gjermania, ku ishte pjesëmarrës në konferencën e Mynihut.

Haziri: Përçarje është e dëmshme për vendin

Publicisti dhe analisti Nexhat Haziri, për “Bota sot”,  tha se organizimi i festës së pavarësisë së vendit ku u festua ndaras, e tjetri i presidenti, flet për një përçarje në mes krerëve të institucioneve, përçarje kjo që ka një histori nga e kaluara, por që duket se nuk do të gjejë paqe, në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Thaçi.

Image
Nexhat Haziri

“Këto marrëdhënie të tensionuara dhe kjo përçarje natyrisht që është e dëmshme për vendin dhe në proceset nëpër të cilat po kalon sidomos në procesin e dialogut me Serbinë që kërkon një politikë dhe bashkëveprim të koordinuar në mes institucioneve të shtetit, në mënyrë që Kosova të del sa me e fituar nga dialogu me Serbinë”, tha ai.

Mirëpo sipas tij, këtë proces, sidomos presidenti Thaçi po e sheh në mënyrat e veta, si një diçka që do ta sfidoj kryeministrin Kurti, dhe si diçka që atë do ta konfirmojë si një nga akterët kryesor të vendimmarrjes në Kosova.

Duhanaj: Kurti po mundohet të gjej rrugë përafruese me Thaçin

Nga ana tjetër, publicisti Leon Duhanaj, për “Bota sot”, tha se nëse ka diçka që e përshkruan me saktësi politikën e Kosovës, atëherë është politika e përçarjes, inateve, në kuadër të së cilës ka shumë pak vend për seriozitet, logjikë dhe arsyeshmëri.

Image
Leon Duhanaj

“Në këtë valle, natyrshëm që duhet me së larti të renditet Kryeministri Kurti, i cili deri në ditën që u votua në postin e Kryeministrit, nuk donte t'ia dinte për asgjë. Madje çdo gjë që bënin të tjerët e kundërshtonte me të gjitha mjetet. Kryeministri Kurti, madje akuzonte çdo politikan që takohej me Presidentin Thaçi, duke e trajtuar e cilësuar Atë (Thaçin)  deri edhe me “tradhtarë”. Tani, që ka marrë qeverisjen, po bën përpjekje që të gjejë rrugë përafruese, mirëpo edhe në ketë segment nuk është i sinqertë as në raport  me oponencën përkatësisht përfaqësuesit e tjerë politik, e as ndaj qytetarëve” tha ai.

Tutje, Duhanaj, shtoi se kryeministri Kurti ende është në proces të ndryshimit të qasjes "parimeve" dhe si i tillë, për të tjerët mbetet goxha enigmë.

Sipas tij, në ketë rast, është me se e kuptueshme që të tjerët nuk llogaritin shumë në të. “Prandaj ndodhin edhe organizime të ndara. Këtë mund ta ndryshojë vetëm z. Kurti vetë, duke përfunduar tërësisht procesin e transformimit dhe, të zbresë me të dyja këmbët në tokë”.

Bytyçi: Deri në momentin e shtrëngimit të duarve propaganda antishqiptare e paraqiti politikën e Prishtinës të përçarë

Ndërkaq, publicisti Enver Bytyçi, për “Bota sot”, tha se me 17 shkurt Kosova për herë të parë e festoi pavarësinë e saj pa “komandantët” e korrupsionit dhe kompromisit me Serbinë për ndarjen e Kosovës. Deshi sovrani dhe bëri ndryshimin e nevojshëm, duke sjellë në pushtet një kryeministër dhe një kryetare parlamenti të paprovuar më parë.

Image
Enver Bytyçi

“Festimet dëshmuan se Kosova di të gëzohet. Ka kësaj radhe shumë arsye të jetë optimiste. Por mediat kanë komentuar shumë faktin që presidenti Thaçi dhe kryeministri Kurti u paraqitën tek FSK-ja ndaras. Askush nuk dha përgjigje pse ndodhi kjo, derisa në mbrëmje të dy krerët e shtetit u panë bashkë dhe i shtrënguan duart njëri-tjetrit. Deri në momentin e shtrëngimit të duarve propaganda antishqiptare e paraqiti politikën e Prishtinës të përçarë. Pas shtrëngimit të duarve filluan t’ia numërojnë Albinit gjithçka ai ka thënë në opozitë kundër Hashimit”, tha ai.

Më tej, Bytyçi, shtoi se vetë e ka kritikuar kryeministrin Kurti por njëkohësisht e ka vlerësuar për ato që bën mirë në të mirë të Kosovës.

“Kësisoj jemi ne. Kurrë nuk jemi vetvetja. Edhe unë e kam kritikuar Albin Kurtin, por edhe e kam vlerësuar për ato që bën në të mirë të Kosovës. Kur fitoi zgjedhjet Thaçi në vitin 2007 kam shkruar te gazeta Bota sot një koment me vlerësime për të. Sepse besova se një udhëheqës lufte do të bënte diçka progresive për vendin e vet. As djallit nuk i kishte shkuar në mend se presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë do të bashkoheshin me presidentin e Serbisë për ta groposur Kosovën e shtetësinë e saj. E kam fjalën se kritikat, qëndrimet, polemikat kanë kontekstin e tyre në kohë. Natyra nuk njeh vetëm dy ngjyra, bardh e zi. Prandaj konsideroj se midis Albin Kurtit dhe Hashim Thaçit për shkak të vizioneve të ndryshme për Kosovën, nuk ka ndonjë kimi. Por nëse ata bashkëpunojnë për të mirën e vendit, atëherë askush nuk und ta kontestojë këtë lloj bashkëpunimi. Duket se zoti Kurti ka ndryshuar pozicion ne detyrën e kreut të ekzekutivit të Kosovës. Është shprehur për bashkëpunimi me Thaçin dhe me këdo tjetër që ndihen përparimin e vendit. Por, kjo nuk do të thotë se kryeministri do të bashkëpunojë p.sh për ndarjen e Kosovës, pse kjo gjë mund t’i pëlqejë presidentit?! Kjo nuk mund të ndodhë”, tha ai.

Thaçi duhet t`i bashkohet alternativës së Albinit

Më tej, ai shtoi se me rëndësi është që Thaçi t’i bashkëngjitet alternativës së Albinit dhe të bashkëpunojë me sinqeritet për Kosovën. Në këtë mënyrë ai do të mund të shlyente një pjesë të dëmit që ia ka shkaktuar asaj me përkrahjen e ethshme të tij për shkëmbime territoresh. Nëse presidenti nuk e bën këtë, unë besoj se ky lloj presidenti do të izolohet, nëse nuk do të mundin ta shkarkojnë. Do të izolohet nga qytetarët, por edhe nga politika dhe nuk do t’i lihet hapësirë veprimi për ta dëmtuar imazhin, shtetësinë dhe ardhmërinë e vendit.

“Tani që Vuçiqi ka filluar ta shesë Thaçin dhe Ramën, duke zbuluar çdo ditë pjesë nga komploti i tyre i përbashkët për integritetin territorial të vendit, këta duhet të kuptojnë se ose do të shkojnë drejt vetëvrasjes politike, ose duhet t’i hapin letrat dhe të kërkojnë ndjesë para shqiptarëve. Po duket se Vuçiq nuk ka më nevojë për bashkëpunëtorët e vet të lartpërmendur. E nga ana tjetër po duket se presidenti serb dëshiron ta ruajë vetëm Baton Haxhiun, sepse e njeh rolin e tij prej rriçne dhe beson se ky Batoni mundet me ia mpi trunin edhe Albinit. Thaçi dhe Kurti duhet të jenë institucionalë. Por kryeministri ka për detyrë të jetë edhe i vëmendshëm.  Ai duhet t’i lejë mënjanë inatet dhe hasmëritë politike për të punuar me të gjithë faktorët dhe aktorët në Prishtinë. E njëkohësisht të mos i besojë shumë “gjarprit”, sepse mundet që ta pësojë si xixëllonja”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat