2020-ta vit i liberalizimit të vizave?

Politika

2020-ta vit i liberalizimit të vizave?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 shkurt 2020 Në ora: 21:44
Foto ilustrim

Qeveria e re e ka për obligim të krijojë kushte më të favorshme ekonomike në mënyrë që populli të mos fokusohet vetëm në mundësitë për të gjetur një jetë më të mirë jashtë vendit. Po ashtu, Qeveria Kurti, e në veçanti Ministria e Drejtësisë dhe punëve të brendshme, do ta çlirojnë drejtësinë, policinë dhe organet hetuese nga kapje prej mafiozëve, në mënyrë që ato ta luftojnë krimin dhe korrupsionin dhe kjo do të sjellë liberalizimin e vizave. Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike, dhe njohësit e integrimeve evropiane, ku sipas tyre liberalizimi i vizave është çështje sa e brendshme po aq e jashtme, sepse Kosova nuk njihet tërësisht nga vendet anëtare të BE-së.

Bulliqi: Qeveria e re, nuk ka çka të bëj më shumë se sa t`ua përkujtojë të gjithë aktereve evropianë se kjo është padrejtësi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e VV-së, Shpejtim Bulliqi ka thënë Bashkimi Evropian vendimet për liberalizim vizash për pothuajse të gjitha vendet jo anëtare i ka marr mbi bazën politike, pra kur gjeopolitika e tyre e ka kërkuar ata nuk janë mërzitur fare për kriteret kushtetuese.

Image
Shpejtim Bulliqi

“Merreni rastet e fundit, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, vende të cilat së fundi e kanë fituar lirinë e lëvizjes pa regjim vizash brenda zonësh Schengen, edhe Ukraina edhe Gjeorgjia e po ashtu edhe Moldavia , po të ndiqeshin kriteret e shpikura kushtetuese te BEsë, Komisionit Evropian, qytetaret e tyre vështirë se do ta kishin që të udhëtojnë pa viza. BE-ja vazhdimisht ka aplikuar standarde të dyfishta, andaj nuk mund të sugjeroj një datë të caktuar, sepse është kryekëput vendim politik i disa vendeve që po e bllokojnë Kosovën (Franca dhe Holanda). Imagjinojeni, fatkeqësisht edhe Ukraina edhe Gjeorgjia nuk kane kontrolle mbi tërë kufirin dhe territorin e tyre(një nga kriteret kryesore), madje kanë edhe luftë aktive(Ukraina ne Regjionin Donbas), nuk kane kontroll mbi hyrje dalje ne territorin e tyre por qe per BE-ne gjithçka OK, kurse ne na mbajnë te izoluar”, ka thënë deputeti i VV-së Shpejtim Bulliqi.

Ai tutje ka shtuar se qeveria e re, nuk ka çka të bëj më shume se sa t`ua përkujtoj të gjithë aktereve evropianë se kjo është padrejtësi, t`ua kujtoj po ashtu se na vjen mirë që të gjithë në Evropë e gëzojnë lirinë e lëvizjes, por nuk na vjen mirë që ne jemi diskriminuar padrejtësisht.

“Duhet tua kujtojmë aktereve Evropian se kjo politikë jo serioze e tyre, diskriminuese, vetëm sa e bën BE-në të duket organizate joserioze, jo kredibile. Qeveria në këtë drejtim nuk ka çka të bëj, sepse nuk vendosin kriteret apo kushtëzimet por politikanët evropian,”, ka thënë deputeti i VV-së Shpejtim Bulliqi.

 Mehazi: Aftësia e kësaj qeveria do zgjidhë shumë probleme më të mëdha politike e jo më liberalizimin e vizave

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka thënë se punën kryesore që duhet ta bënte Qeveria e re të jetë, liberalizimin e vizave, pasi është e patjetërsueshme që qytetarët e Kosovës të lirohen nga ky ngërç i stërzgjatur i ardhur pavetëdije apo me vetëdije nga qeveria e kaluar. Sipas tij, borxhi numër një, i parë i kësaj qeveria ndaj popullatës është Liberalizimi i vizave.

“E them këtë pasi edhe vetë, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se të gjitha kushtet për Liberalizimin e vizave janë plotësuar dhe se fjalën e fundit duhet ta japin diplomatët evropianë. Besojmë se liberalizimi i vizave nuk do stërgjatet dhe se gjatë vitit të parë të qeverisjes Kurti do ta zgjidhë pozitivisht problemin e shumë folur të vizave. Kryeministri Kurti së bashku me Ministrin e Punëve të Jashtme, Konjufcën, do jenë shumë më konkret ndaj eliminimit të pengesave të fundit për liberalizimin e vizave. Aftësia e kësaj qeveria do zgjidh shumë probleme më të mëdha politike e jo më liberalizimin e vizave. Shpresojmë e besojmë se liberalizimi i vizave do të vij së shpejti”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

 Voca: Liberalizimi i vizave është çështje sa e brendshme po aq e jashtme, sepse Kosova nuk njihet tërësisht nga vendet anëtare të BE-së

Image
Mirsad Voca

Kurse Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, ka thënë se mos liberalizimi i vizave për Kosovën mund të zgjas për aq sa Qeveria e Kosovës nuk do të luftoj korrupsionin, dhe nuk do të ndërtoj një sistem të ri drejtësie neutrale si dhe për aq sa nuk do të vihet në pah konsolidimi i një Shteti ligjor. Ai konsideron se Qeveria e re ka për obligim të krijojë kushte më të favorshme ekonomike në mënyrë që populli të mos fokusohet vetëm në mundësitë për të gjetur një jetë më të mirë jashtë vendit. “Për dallim nga kushtet që i kanë ofruar qytetarit qeveritë e mëparshme dhe në mënyrë që qytetari t’i kthehet shpresa dhe besimi për të projektuar ardhmërinë në Kosovë, Qeveria duhet t’i ofroj kushte tjera arsimore, shëndetësore, ekonomike e ligjore. Tani Kosova ka rastin ideal për të bërë kthesën e madhe me një Qeveri të re dhe me figura të reja që shprehnin plotë entuziazëm para se të vinin në pushtet duke premtuar se me ta në pushtet, Kosova do të marr kahje prosperiteti e progresi. Ajo që lë për të shpresuar e besuar se kjo Qeveri do të ketë sukses është se në njërën anë, kemi një parti politike e cila nuk ka qenë kurrë në pushtet qeverisës të vendit (LVV) dhe e cila do të bëjë çmos që ky mandat qeverisës të jap rezultate konkrete. Dhe në anën tjetër kemi LDK-në, e cila arriti të bëj reforma madhore sa i përket rikonfigurimit brenda partiak duke u lënë hapësirë e përgjegjësi figurave të reja politike, të cilët, besoj se do të bëjnë dallimin në rikonstruktimin dhe konsolidimin institucional të vendit”, ka thënë Voca.

Sipas tij, liberalizimi i vizave është çështje sa e brendshme po aq e jashtme, sepse Kosova nuk njihet tërësisht nga vendet anëtare të BEsë.

“Kjo çështje fatkeqësisht është politizuar për shkak të bisedimeve me Serbinë. Si do që të jetë. Qeveria aktuale duhet patjetër që të kryej obligimet e saj të lartcekura sepse vetëm në këtë mënyrë liberalizimi i shumëkërkuar e i shumë përmendur mund të realizohet madje edhe përgjatë vitit 2020. Kosova ka urgjentisht nevojë që fillimisht të ndihet brenda saj e çliruar nga korrupsioni, krimi i organizuar si dhe nga të gjitha keqpërdorimet e mëparshme. Kosova po ashtu duhet të jetë e siguruar se mund të krijoj kushte ku populli i saj sheh të ardhmen e tij brenda saj, e shëruar ku qytetari do të ketë trajtim shëndetësor të barabartë pa qenë i diskriminuar për shkaqe materiale. Po ashtu, duhet të jetë edhe e vetëdijesuar përmes një sistemi arsimor që reformohet në mënyrë konstante e krahas tregut të punës, dhe e drejtë ku secili qytetar pa dallim pozite, etnie e religjioze të jetë i barabartë para ligjit”, është shprehur Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris.

Zogaj: Liberalizimi i vizave, i kushtëzuar nga funksionimi i shtetit ligjor

Image
Skender Zogaj

Ndërsa, analisti politik Skender Zogaj, ka vlerësuar se liberalizimi i vizave nuk varet nga kërkesat e qytetarëve të Kosovës, por është i kushtëzuar nga funksionimi i shtetit ligjor dhe të organeve të hetuesisë, për të luftuar korrupsionit dhe i krimin e organizuar, që e kanë shkallmuar Kosovën.

Ai ka thënë se janë duke e mbajtur të hipotekuar të drejtën e qytetarëve të saj për t’u bërë pjesë e lëvizjes së lirë përtej kufijve të vendit, prandaj liberalizim të vizave nuk duhet të ketë pa plotësimin e standardeve elementare, siç është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova nuk ka plotësuar këtë standard prandaj deri tash edhe nuk e ka merituar liberalizimin e vizave. Mirëpo, shpresat janë kjo çështje do të kuptohet më drejt dhe do të mirën masa konkrete. Shpresoj që Qeveria Kurti, sidomos ministria e drejtësisë dhe punëve të brendshme, do ta çlirojnë drejtësinë, policinë dhe organet hetuese nga kapje prej mafiozëve, në mënyrë që ato ta luftojnë krimin dhe korrupsionin dhe kjo do të sjellë liberalizimin e vizave. Qeverinë Kurti duhet ta mbështesin fuqishëm edhe të gjithë qytetarët duke u distancuar nga çdo lloj veprimtarie antiligjore, dhe duke denoncuar korrupsionin dhe çdo lloj dukurie negative, që na bëjnë të padëshiruar në shoqërinë e lirë të vendeve demokratike të BE-s, e më gjerë”, është shprehur analisti politik, Skender Zogaj.

 Ahmeti: Institucionet e BE-së veprojnë e reflektojnë në bazë të interesave politike e gjeostrategjike

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se veprimet e njëpasnjëshme të qeverive të kaluara kanë zbehur imazhin në Kosovës në rendin ndërkombëtar, por edhe kanë zhgënjyer qytetarët e Republikës së Kosovës me instalimin e politikave të dëmshme.

“Të mendosh dështimin e sistemit të drejtësisë si jashtë mungesës së vullnetit politik është hipokrizi, pasi sistemi i drejtësisë është i kapur thellë nga politika dhe para politika. Qeveria Kurti e ka obligim qytetar, por edhe moral që në sistemin e drejtësisë t’i bëj disa reforma substanciale , e jo vetëm reforma formale për të ndërtuar percepcion publik pozitiv, por impakti i këtyre reformave substanciale të jetë i prekshëm në jetën praktike të përditshme. Komisioni Evropian në Raportin e tij për Kosovën kishte vendosur edhe kushtin për luftimin e krimit dhe korrupsionit për liberalizim vizash”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, institucionet e BE-së veprojnë e reflektojnë në bazë të interesave politike e gjeostrategjike, edhe pse kriteret janë shumë të qarta për shtetet të cilat janë pretendente për integrim në BE. “ N ë s e m b ë s h t e t e m i n ë retrospektivë shohim se BE-ja ka vepruar në logjikën dhe frymën e interesave reciproke në mes shteteve, e posaçërisht Komisioni Evropian që përfaqësohet nga ministrat përkatës të shteteve anëtare të BE-së. Me këtë elaborim të shkurtër nuk po dua të them se Kosova ka përmbushur kriterin për luftimin e krimit dhe korrupsionit, por po dua të them se edhe me rastin e Kosovës mund të veprohet, por edhe të reflektojnë me raport pozitiv për liberalizim vizash, pasi është shteti i vetëm që ka mbetur i izoluar dhe nuk mund të mbetën peng qytetarët shkaku i një grushti njerëzish të korruptuar e kriminalizuar. Uroj që qytetarët të marrin një lajm të gëzueshëm, pasi liberalizimi i vizave do të një shpresë dhe mundësi, por jo garanci për mirëqenie socio-ekonomike. Por qytetarët të cilat do të kenë mundësi të shohin shtetet perëndimore, do të ngrisin vetëdijen kolektive, e cila do të jetë një garanci më e madhe për reflektim të udhëheqësve të institucioneve të rëndësishme, pasi do të kërkohet llogaridhënie dhe transparencë më e madhe në shpenzimin e parasë publike”, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat