Përgënjeshtrimi për njohjen nga Xhamajka, pasqyrë e një diplomacie të dështuar

Politika

Përgënjeshtrimi për njohjen nga Xhamajka, pasqyrë e një diplomacie të dështuar

Nga: Diana Bunjaku Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 08:29
Foto ilustrim

Nuk ka zgjatur shumë gëzimi i qytetarëve të Kosovës dhe lufta për protagonizëm e drejtuesve të institucioneve, sa i përket arritjes së njohjes së shtetësisë nga shteti i Xhamajkës.

Arritja e njohjes, e cila do të ishte e para që nga viti 2018, në realitet nuk ndodhi.

E zyrtarët e shtetit të Kosovës i përgënjeshtroi ministrja e Punëve të Jashtme e Xhamajkës, Kamina J. Smith.

Në një postim ne Tëitter, duke shpërndarë deklaratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili e ka falënderuar Xhamajkën për njohje, Kamina J Smith ka shkruar se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“ Deri më sot Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet i pavarur”, ka shkruar ajo.

Zyra për media e Presidencës, ka deklaruar për këtë cështje duhet të pyetet edhe Kryeministria dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ku edhe kishte shkuar i njëjti informacion për njohje.

”Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Tëitter. Për informacione tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.

Ndërkohë, Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca ka kërkuar llogari nga Ambasadorja Çitaku lidhur me këtë çështje.

“Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka. Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar.

Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”, ka shkruar ministri.

E njohësit e çështjeve të integrimeve evropiane dhe politike kanë vlerësuar se përgjegjësi për lajmin e rrem duhet dhënë në këtë rast presidenti i vendit, i cili ka kumtuar lajmin për njohje nga Xhamajka, akoma pa u zyrtarizuar një njohje e tillë. Sipas tyre, ngutja e autoriteteve të Kosovës për publikimin e njohjeve flet shumë për protagonizëm politik dhe gabim të pafalshëm diplomatik.

Blakaj: Ngutja e autoriteteve të Kosovës shumë për protagonizëm politik dhe gabim të pafalshëm diplomatik

Njohësi i integrimeve evropiane Sami Blakaj, ka thënë se përgjegjësi për lajmin e rremë duhet dhënë në këtë rast presidenti i vendit, i cili ka kumtuar lajmin për njohje nga Xhamajka, akoma pa u zyrtarizuar një njohje e tillë.

Image
Sami Blakaj

Sipas tij, në diplomaci zyrtarizimi i njohjes nënkupton aktin e dorëzimit të notës verbale, akt ky që nuk ishte finalizuar nga Xhamajka.

“Mendoj se ngutja e autoriteteve të Kosovës për publikimin e njohjeve flet shumë për protagonizëm politik dhe gabim të pafalshëm diplomatik”, është shprehur njohësi i integrimeve evropiane Sami Blakaj.

Murtezaj: Përgjegjësia bie për sjelljet e papërgjegjshme të liderëve politik

Ndërsa, profesori ndërkombëtar në Paris, Valon Murtezaj ka thënë se momenti i bërjes publike të lajmit në diplomaci ka ndikim esencial.

Sipas tij, përderisa, ambasadorët e Kosovës, nuk kanë bërë publik lajmin vet, nuk bartin përgjegjësinë, pasi komunikimet e brendshme mbesin komunikime të brendshme.

“Nuk është hera e parë që janë bërë dëme në njohjet dhe në anëtarësimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Përgjegjësia bie për sjelljet e papërgjegjshme të liderëve politikë dhe të institucioneve në Kosovë (Presidencë, Qeveri, dhe Ministria e Punëve të Jashtme).Është e pakuptimtë një garë se kush e solli njohjen. Për më tepër, skena të sjelljeve megalomane e të pa mençura të politikanëve të Kosovës nëpër botë kanë dëmtuar shpesh Kosovën”, ka thënë profesori ndërkombëtar Valon Murtezaj.

Sipas tij, ka pasur shumë raste kur nga ‘protagonistë’ dhe ‘mendjelehtë’, janë thënë me emër, shtetet që do të na njohin brenda ditësh, javësh etj.

“E them këtë pasi në ndërkohë ndërhyrjet janë bërë, kontekstet kanë ndryshuar, njohjet nuk kanë ngjarë dhe nuk janë formalizuar. Një individ mund të këtë ndikim në njohje, por Kosova për fat të keq nuk ka ndonjë individ aq të fuqishëm ose me reputacion ndikues të asaj përmase. Tash meqë çështja e njohjeve është shumë me rëndësi për Kosovën, duhet pasur vëmendje të shtuar dhe sjellje speciale sa herë që situatat kanë të bëjnë me njohjet”, ka thënë profesori ndërkombëtar në Paris, Valon Murtezaj.

Mehazi: Skandal i pakrahasueshëm diplomatik

Kurse, njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi, ka vlerësuar se turpi më i madh dhe skandali i pakrahasueshëm diplomatik i Republikës së Kosovës që nga pavarësia e deri më sot, është lajmi i rremë i njohjes së Kosovës nga Xhamajka.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, tani shihet dhe u vërtetua, se e keqja më e madhe për izolimin e Kosovës, për mos realizimin e vizave, dhe për tërheqjen e njohjeve të disa shteteve paska ardhur nga MPJ e pa aftë e Kosovës.

“Lind pyetja se si është e mundur, këtë e bëjnë vetëm ata që s'ia duan të mirën Kosovës, këto veprime anashkalojnë gjithë diplomacinë e Kosovës që kënaq armiqtë e Kosovës në krye me Serbinë. Kush e bëri këtë gafë skandaloz diplomatik, nga erdhi kjo gënjeshtër e kulluar? Po dihet e s'duhet menduar fare, kjo gënjeshtër erdhi nga Ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku, që gabimisht e naivisht i kemi besuar si diplomate më e suksesshme, po na turpëroi rëndë e keq para diplomacisë botërore”, ka thënë profesor Mehazi.

Ai tutje ka shtuar se e keqja më e madhe për izolimin e Kosovës, për mos realizimin e vizave, dhe për tërheqjen e njohjeve të disa shteteve paska ardhur nga MPB e pa aftë e Kosovës.

“E them këtë pasi që nga Behgjet Pacolli, e deri nga Ambasadorë të paaftë kanë vepruar në mënyrë hedoniste dhe në dëm të Kosovës. Pra, fajtorët dihen e ato janë: ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, po edhe ish-Ministria e Integrimeve të Kosovës. Gënjeshtra e Vlora Çitakut për njohjen e Kosovës nga Xhamajka e detyron që ajo sa më shpejtë të jap dorëheqje e të përgjigjet para kësaj rrene skandaloze diplomatike”, është shprehur njohësi i çështjeve politike, profesor Sulejman Mehazi.

Roshi:Një vulgaritet i diplomacisë amatore dhe të politizuar të Kosovës

Kurse, analisti politik Artur Roshi, konsideron se lajmi i rremë për njohjen e Kosovës nga Xhamajka është një vulgaritet i Diplomacisë amatore dhe të politizuar të Kosovës.

Image
Artur Roshi

“Mendoj se qëllimi ka qenë kapitalizmi politik i lajmit dhe injoranca se nuk do ta marri vesh njeri veç atyre që e anonçuan. Veç keqardhje për veprime të tilla të dobëta moralisht”, është shprehur analisti politik Artur Roshi.

Duhanaj: Në një shteti normal, përgjegjësia do të ishte në radhë të parë institucionale

Nga ana tjetër, analisti politik Leon Duhanaj, ka pohuar se në rast kur një shteti normal, të konsoliduar do t'i ndodhte një gjë e tillë, atëherë përgjegjësia do të ishte në radhë të parë institucionale, e pastaj edhe individuale.

Image
Leon Duhanaj

“Kur them institucionale, si suksesi ashtu dhe dështimi i atribuohet Qeverisë përkatësisht Kryeministrit e në rastin konkret Ministrit të Punëve të jashtme, e që do të vazhdojë nga lartë poshtë sipas zinxhirit autoritativ. Në Kosovë për fat të keq kur ndodhë një njohje, të gjithë ngarendin për t'i marrë meritat, por nëse ndodhë diçka siç ndodhi e që nuk do duhej assesi të ndodhte, pastaj fillojnë ta kërkojnë fajtorin secili diku tjetër. Kjo nuk është në rregull dhe për lëshime të tilla kërkohet përgjegjësi e madhe. Megjithatë unë nuk e njoh rrjedhën e ngjarjeve apo të informacionit se si erdhi deri tek ky skandal, por një e di se tani, ashtu siç ishin të gjithë meritorë për njohjen, të gjithë do të jenë jo përgjegjës për çnjohjen dhe kjo është me se normale për standardet tona”, ka pohuar Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat