Heqja e fusnotës, hapi i parë i reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë

Politika

Heqja e fusnotës, hapi i parë i reciprocitetit të Kosovës ndaj Serbisë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 24 shkurt 2020 Në ora: 22:21
Foto ilustrim

Dy ditë më parë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u sulmua me vezë nga disa persona, me ç’rast, sulmuesit, i kërkuan Hotit që të mos e heqë taksën ndaj produkteve serbe.

Sido që të jetë, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se, taksa ndaj produkteve serbe, do të hiqet dhe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.

Ky veprim, po cilësohet i qëlluar dhe i drejtë nga shumë persona zyrtar e jo zyrtar, të huaj e ndërkombëtar.

SHBA-të, nuk ndalojnë së kërkuari heqjen e menjëhershme të taksës.

Duhanaj: Tarifa apo taksa 100% duhet të hiqet

Publicisti Leon Duhanaj, nëpërmjet një deklarate për “Bota sot”, ka thënë se barrierat tarifore apo taksa 100%, edhe pse në fillim si vendim inert, megjithatë doli të jetë i dobishëm.

Image
Leon Duhanaj

“Nuk mendoj që taksa është shfrytëzuar edhe aq në promovimin e produkteve vendore sa është shfrytëzuar nga tregtarët për t'i rritur çmimet, në ketë kontekst nuk mendoj që solli ndonjë dobi ekonomike. Por megjithatë sipas zhvillimeve tarifa, doli të jetë vendimtare në zhvillimet politike përkatësisht bisedimeve Kosovë - Serbi dhe që ndikoj të ndërprerjen e tyre përkatësisht pretendimeve për ndryshim territoresh”, tha ai.

Më tej, Duhanaj, shtoi se se ish- kryeministri Haradinaj bëri gabim që nuk e shfrytëzoj momentumin që ta pezullojë tarifën duke e kapitalizuar me ndonjë favor nga ana e ndërkombëtarëve.

Tani jemi para një situate e cila nuk ka alternativë. Tarifa apo taksa 100% duhet të hiqet, por si dhe me çka të zëvendësohet?

“Reciprociteti i plotë proklamuar nga subjektet qeveritare, për mendimin tim është momentalisht iluzion. Kjo sepse nuk jemi në gjendje ta bëjmë një gjë të tillë. Kjo duke u nisur nga vetë fakti që Kosova e trajton dhe njeh Serbinë si shtet, akterë të së drejtës ndërkombëtare, përderisa Serbia nuk e njeh ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe, së dyti, ne e kemi pranuar Serbinë si palë negociuese në negociata në të cilat flitet për punë të brendshme të Kosovës dhe fatin e saj politik. Pra, Kosova nuk mundet të realizojë reciprocitet të plotë dhe, deklarimet politike apo hamendësimet, janë me shumë deklarata me karakter populist se sa përmbajtësorë”, tha ai.

Duhanaj, theksoi se Kosova duhet ta pezullojë vendimin për taksën dhe të kërkoj reciprocitet në temat përmbajtjesore të cilat nuk janë pak, por dhe nuk japin as sinjale irrituese në raport me kërkesat që bëhen në adresë të Kosovës.

Bytyçi: Reciprociteti duhej të fillonte në një konferencë që u mbajt para pak ditësh në Tiranë

Publicisti Enver Bytyçi, për “Bota sot”, tha se në politikë çdo hap që hidhet mund të shndërrohet në bumerang. Kur u vendos taksa atë nëntor 2018 jo pak njerëz e politikanë e kritikuan si hap. Fatkeqësisht kritikat për aksionet politike te ne shqiptarët bëhen më së shumti bazuar në opinionet e të huajve, sipas lidhjeve dhe miqësive personale të politikanëve.

Image
Enver Bytyçi

“Sot qeveria e zotit Kurti ka vendosur që ta heqë taksën ndaj Serbisë. Nuk jam i sigurt nëse është ose jo një vendim i pjekur dhe i matur. Megjithatë së paku duhen menduar mirë pasojat negative, nëse ka, dhe të merren masa për t’i kompensuar dëmet që mund të shkaktohen. Natyrisht është e drejta e gjithkujt të shqetësohet për të ardhmen, nëse hiqet taksa. Çfarë do të ndodhë me dialogun? A do t’i vendosen Kosovës kushte, të cilat i kushtojnë shtetësinë dhe sovranitetin? A ka marrë garanci zoti Kurti se kjo nuk do të ndodhë?”, tha ai.

Më tej, Bytyçi, shtoi se kryeministri Kurti duhet që minimumi të paralajmërojë se nëse ndodh që të bisedohet për kufijtë, territorin dhe krijimin e një Republika Srpska në Kosovë, menjëherë do ta rivendosë taksën me Serbinë. Madje me 200 përqind! Pa këtë garanci dhe pa garancinë se Beogradi nuk do të provokojë me fushatën politike e diplomatike të shoqëruar me korrupsion kundër Kosovës nuk duhet të hiqet taksa.

“Me partnerët ndërkombëtarë, me ndërmjetësuesit amerikanë dhe europianë duhet sinqeritet. Po të jesh i sinqertë me ta nuk krijon konflikt. Të qenit i drejtpërdrejtë është kusht i marrëdhënieve transparente me vendet aleate të Kosovës. Prej tyre nuk duhet të fshihet asgjë. Albin Kurti, Abdullah Hoti, Haki Abazi, Glauk Konjifca, Vjosa Osmani i kanë kreditit e të qenit të sinqertë, transparent, këmbëngulës dhe të vendosur për mbrojtjen e interesave të Kosovës në raportet me Serbinë. Edhe vetë Kosova i ka këto kredite. Nuk ka asnjë arsye të ndodhë ndryshe. Thuhet dhe më duket se po përdoret si retorikë çështja e zëvendësimit të taksës me marrëdhënie të reciprocitetit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Reciprociteti duhej të fillonte në një konferencë që u mbajt para pak ditësh në Tiranë, ku Kosova u paraqit me fusnotën e Rezolutës 1244, e cila ve në pikëpyetje pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Natyrisht ajo fusnotë është dhuratë e Hashim Thaçit, si të gjitha “dhuratat” e tjera, deri te Çakorri. Por qeveria Kurti duhej ta niste reciprocitetin pikërisht këtu: Të mos pranojë fusnotën, edhe nëse ajo i pëlqen jo vetëm Vuçiqit e Daçiçit, por edhe Thaçit dhe Ramës. Ky është reciprociteti”, tha ai.

Bytyçi, theksoi se reciprociteti është më së shumti parim i marrëdhënieve diplomatike të vendeve të izoluara ose gjysmë të izoluara dhe jo parim aq i rëndësishëm për vendet me demokraci liberale dhe politika pragmatiste. Në rastin e Kosovës nuk mund të shërbejë si instrument mbrojtës. Ndaj duhen menduar alternativa tjera për të kompensuar efektin e taksës.

Ngjela: Taksa nuk duhet të hiqet

Avokati i njohur, Spartak Ngjela, për “Bota sot”, deklaroi përfundimisht se taksa nuk duhet të hiqet. Në asnjë rrethanë jo.

Sipas tij, nëse taksa prej 100% për të gjitha mallrat serbe që hyjnë në Kosovë s'do të hiqet, Serbia ka vetëm këtë zgjidhje: Ose të pushtojë ushtarakisht sërish Kosovën, ose ta njohë atë.

A ka mundësi e para?

Ngjela deklaroi që jo. Sepse, sipas itj, a është në gjendje Serbia t'i shpallë luftë NATO-s? Madje, edhe armatës së Kosovës që po ngrihet.

Ngjela, shtoi se Serbia shkon drejt një humbjeje degraduese ekonomike, nëse taksa zgjat dhe dy apo tre vjet të tjerë.

Ai, shtoi se humbja e serbeve do të jetë e madhe, sepse nuk janë vetëm mallrat serbe që nuk po kanë treg shitjeje, por, zgjatja në kohë do t'u sjellë humbje të madhe fabrikave dhe prodhuesve të tregut serb. Serbia do ta ndiejë shumë këtë edhe në rritjen e papunësisë.

Image
Spartak Ngjela

“Humbja serbe e deklaruar është rreth pesëqind milionë euro në vit, por ky është vetëm fakti, po, sa është refleksi i këtij fakti në qarkullimin e monedhës vendase në Serbi? Kush do ta paguajë humbjen e prodhuesve vendas? Pastaj, duhet të kuptohemi: 500 milionë euro në vit nuk janë dinarë, por valutë e fortë, sepse janë eksporte. Pyetja që ngrihet këtu është kjo: si po ndihen importet e Serbisë nga vendet e zhvilluara perëndimore pas një humbjeje kaq të madhe në valutë të fortë? Po investimi i teknologjisë; po paratë për të blerë pajisje ushtarake? Në fakt, ka shumë aspekte, prandaj, taksa është arma më e Forte e shqiptarëve sot kundrejt armikut të tyre shekullor, Serbisë”, tha ai.

Më tej, ai shtoi se nuk duhet të harrojmë se Kosova është në eurozonë, dhe ky ka qenë interes shumë i madh fitimprurës për Serbinë.

Megjithatë, është pala tjetër që mendon se taksa duhet të pezullohet sepse ka arritur efektin e kërkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat