Përafrimi i kundërshtarëve të përbetuar

Politika

Përafrimi i kundërshtarëve të përbetuar

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 25 shkurt 2020 Në ora: 16:22
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Me ardhjen e Albin Kurtit në postin e kryeministrit, erdhën edhe disa ndryshime qëndrimesh nga ana e tij, që shumica e opinionit po shihen si ndryshime pozitive që i takojnë një kryeministri.

Një i tillë ka të bëjë me unifikimin e tij me presidentin Thaçi, në çështjen e jashtme të vendit, për të cilën Kurti i ka dërguar letër presidentit që të ulen e të marrin veprime njëzëri.

Më herët Kurti kishte kritikuar ashpër presidentin Thaçi, madje kishte kërkuar edhe shkarkimin e tij.

Në anën tjetër, presidenti Thaçi nuk ka pranuar ende që të ketë një takim sy më sy me kryeministrin Kurti për t’i përafruar qëndrimet.

Elezaj: Duhet unitet për t`i arritur rezultatet e dëshiruara

Image
Rexhep Elezaj

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ftesa e Kurtit drejtuar Thaçit është kushtetuese dhe shtetërore.

“Ftesa e kryeministrit z. Albin Kurti drejtuar presidentit Hashim Thaçi, si dhe opozitës që të dakordohen për temat dhe çështjet kruciale të cilat kanë të bëjnë me interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, sidomos lidhur me bisedimet e ardhme me Serbinë, është një kauzë e tij, sa kushtetuese dhe shtetërore, po aq atdhetare, sepse politika e brendshme dhe ajo e jashtme e Kosovës, në 10 vitet e fundit ka qenë hallka më e dobët në shtet ndërtimin e Kosovës. Sepse pa një politikë unike dhe të unifikuar midis subjekteve politike dhe institucioneve shtetërore, kundrejt rrjedhave të ngjarjeve në rajonin e Ballkanit, atyre në Evropë dhe botë, asnjëherë nuk mund të arrihen rezultate të dëshiruara, qoftë në marrëdhëniet me vendet fqinje, qoftë me vendet e BE-së dhe më gjerë”, u shpreh ai.

Elezaj, tutje thotë se unifikimi i presidentit dhe kryeministrit tregon edhe një seriozitet para ndërkombëtarëve, e gjithashtu është mirë për interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës.

“Ftesa e kryeministrit z. Albin Kurtit drejtuar presidentit dhe opozitës, ka për qëllim, së pari unifikimin e qëndrimeve politike karshi Serbisë para rifillimit të dialogut që Kosova ta ketë një qëndrim, një platformë, një vendim dhe një strategji të përbashkët, e jo të ndarë siç ka ndodhur deri më tash, dhe e dyta, që para faktorëve ndërkombëtarë të tregohemi se jemi shtet serioz dhe i organizuar mirë, i cili dinë çka donë dhe çfarë kërkon në tryezat dhe forumet ndërkombëtare, kur janë në pyetje interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës! Çdo refuzim që mund t’i bëhet kërkesës së kryeministrit, z. Kurti nga ana e presidentit dhe opozitës për dakordim dhe koordinim paraprak lidhur me, jo vetëm dialogun me Serbinë, por me çdo veprim dhe strategji kombëtare, politike dhe diplomatike që ka të bëjë me forcimin dhe ruajtjen e sovranitetit të Kosovës në bisedimet e ardhshme me Serbinë hegjemoniste, do jetë në dëm të interesave të popullit shqiptar në Ballkan, por edhe në planin e integrimeve të Kosovës në familjen e vendeve të përparuara të Evropës si dhe në NATO”, tha ai.

Hertica: Dakordimet janë thuajse të pashmangshme

Image
Ali Hertica

E analisti politik, Ali Hertica, i tha gazetës “Bota sot” se, skena politike e Kosovës është e varfër sa i përket unifikimit të institucioneve dhe organeve më të larta të shtetit.

“Skena politike e Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më e varfër politikisht duke mos pasur raporte të mira të dimensionit politik të bashkëpunimit në mes të subjekteve politike. Së këndejmi, Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi duhet të përfaqësohen denjësisht në të gjitha instancat më të larta ndërkombëtare që përfaqësohen sot nga politikanë dhe bota e jashtme demokratike shihen si një segment, i cili më shumë ka dëshmuar të jetë regresive sesa progresive deri më tani në raport me zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale dhe konsolidimin demokratik të vendit. Bashkimi Evropian vlerëson progres të limituar në kuadrin ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe pohon se ky fenomen mbetet problem serioz”, theksoi Hertica.

Ai e quan të denjë ftesën e kryeministrit Kurti drejtuar presidentit Thaçi, për unifikim qëndrimesh, teksa thotë se ato janë të pashmangshme.

“Ftesa e Kryeministri Kurtit që edhe presidenti Thaçi të jetë në dakordim dhe opozita në vendimet madhore të shtetit, janë parimore dhe të denja politikisht, çdo subjekt politik qoftë pozitë apo opozitë duhet të respektohen institucionet e shtetit nga kushdo qoftë ato që udhëheqin. Dakordimet janë thuajse të pashmangshme tani për të arritur Kosova një politikë përmbajtjesore dhe të përbashkët për të gjithë temat për shtetin e Kosovës”, potencoi Hertica.

Maxharraj: Presidenti duhet të jetë apartiak

Image
Binak Maxharraj

Ndërsa profesori Binak Maxharraj u tregua skeptik sa i përket bashkëpunimit Thaçi-Kurti, duket cituar edhe një thënie të presidentit Rugova.

“Po e nisi këtë shkrim me thënien brilante të Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova kur thotë për Hashim Thaçin se: “Këtë njeri duhet me mbajtë sa më larg pushtetit, sepse është shumë i rrezikshëm.”Dhe pikërisht fill pas luftës në zgjedhjet e para Parlamentare të vitit 2001, LDK i fitoi bindshëm zgjedhjet me mbi 45 deputet, partia e dytë doli PDK. Por, presidenti Rugova nuk pranoi assesi që për kryeministër të zgjedhë Hashim Thaçin e PDK-në”, theksoi Maxharraj.

Ndonëse, thotë se presidenti duhet të jetë apartiak e unifikues, Maxhrraj thotë se Thaçi po hesht karshi ftesës së kryeministrit Kurti.

“Sot, Albin Kurti po tenton te relaksoj situatën e brendshme duke tentuar të vejë raporte të mira me Presidentin dhe partitë opozitare që të bëhen dakordime të nevojshme për temat më interes nacional që të jenë unik për çështjet e mëdha për shtetin, që të kenë një qasje të njëjtën në arenën ndërkombëtare e jo më dyzime idesh dhe veprimesh. Këtë ftesë para do ditësh i ka dërguar edhe Presidentit Hashim Thaçit. Por, për këtë iniciativë të kryeministrit Kurti, Presidenti Thaçi sikur po heshtë, si duket nuk po i pëlqen kjo, sepse ai është mësuar që të kalëroi i vetëm si brenda dhe jashtë në krye në vete duke mos i dhanë llogari askujt. Presidenti i shtetit Hashim Thaçi si çdo president tjetër në botë duhet të jetë apartiak, unifikues, integrues. Por nëse nuk arrihet një përafrim, një dakordim apo një ujdi për temat e mëdha për Kosovën si brenda dhe jashtë Kosovës, qeveria Kurti duhet të veproj sipas kushtetutës dhe ligjeve në fuqi të ia merr nga dora Presidentit temat e mëdha me karakter ndërkombëtar, siç është dialogu me Serbinë”, u shpreh Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat