Beteja e ashpër për Podujevën, Rudari apo Bulliqi? - Bota Sot
Beteja e ashpër për Podujevën, Rudari apo Bulliqi?

Politika

Beteja e ashpër për Podujevën, Rudari apo Bulliqi?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 shkurt 2020 Në ora: 08:13
Shpejtim Bulliqi, Nexhmi Rudari

Me formimin e qeverisë, pozita për Ministër të Punëve të Brendshme i ka takuar Agim Veliut, i cili deri në atë moment ka qenë Kryetar i Komunës së Podujevës.

Komuna e Podujevës që nga paslufta ka qenë një ndër bastionet më të forta të i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

E, kjo komunë tashmë i ka shpallur zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 15 mars.

Kandidatët për kryetar të kësaj komune, janë Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasues i Agim Veliut, dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka fituar edhe pozitën e deputetit në zgjedhjet e fundit parlamentare, kurse nga PDK-ja, kandidat është Naim Fetahu.

Analistët vlerësojnë se LDK-ja do ta mbajë bastionin e saj duke mos anashkaluar edhe PDK-në e cila mund të jetë përcaktuese e fituesit. E po ashtu edhe Vetëvendosjen me një kandidat që gëzon reputacion të mirë në Llap.

Rekaliu: Padyshim që LDK në Podujevë do ta ruaj bastionin e saj

Image
Fidan Rekaliu

Deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu për gazetën “Bota sot”, ka thënë se, nuk e vë në dyshim fitoren e kandidatit të tyre, Nexhmi Rudarit.

“Kandidati i LDK-së i fiton zgjedhjet. Dhe padyshim që LDK në Podujevë do ta ruaj bastionin e saj”, është shprehur Rekaliu.

Zogaj: Themeluesit më të flaktë të LDK dhe më besnikët e idealeve të dr. Ibrahim Rugovës, prandaj, në Podujevë ka qeverisur vetëm LDK-ja

Image
Skender Zogaj

Analisti politik, Skender Zogaj, për gazetën “Bota sot” ka thënë se, mandati i ndërprerë i kryetarit të deritashëm, Agim Veliut, për shkak të shkuarjes në detyrën e re të ministrit të punëve të brendshme është hendikep për qytetarët e Komunës së Podujevës.

“Z. Veliu është personalitet historik për këtë komunë, banorët e së cilës i përkasin bastionit më të hershëm të zgjimit demokratik, themeluesit më të flaktë të LDK-së dhe me besnikët e idealeve të dr. Ibrahim Rugovës, prandaj, në Podujevë ka qeverisur vetëm LDK-ja!”, ka potencuar Zogaj.

Më tej, Zogaj shton se sipas kësaj fitorja e sërishme e kandidatit të LDK është më e pritshmja, sepse, në këto momente heqja dorë nga një vlerë e verifikuar, për ta zëvendësuar me diçka krejt të panjohur, është aventurizëm që nuk besoj se e bëjnë llapjanët.

“Vazhdimin e traditës 20-vjeçare e shoh si interes të Llapit, sepse LDK-ja ka të bëjë me shenjën më emblematike të identitetit të llapjanëve”, përfundoi Zogaj.

Maloku: PDK mund të jetë përcaktuese e fituesit

Image
Albinot Maloku

Kurse, analisti Albinot Maloku për “Bota sot” është shprehur se, zgjedhjet e parakohshme për të parin e Podujevës, të cilat ndodhën si pasojë e ikjes së ish-kreut të Komunës në një pozicion tjetër, nuk kanë qenë aspak të nevojshme në këtë kohë.

“Gara aktuale për të parin e Podujevës është mes Lëvizjes Vetëvendosje të prirë nga Shpejtim Bulliqin dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me Nexhmi Rudarin. Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës me Naim Fetahun. Kjo e fundit mund të jetë edhe përcaktuese e fituesit”, thotë Maloku.

Ai thekson se, fushata zyrtare fillon me 3 mars, mirëpo para-fushata po jep sinjale se do të jetë një garë me gjuajtje jo edhe të lehta mes kandidatëve. Për shkak se LDK e LV nuk kanë një dallim të madh të forcës elektorale mes vete në këtë komunë, balotazhi mund të jetë i pashmangshëm.

“Ndryshimi patjetër se do të ishte i nevojshëm të ndodhte, nga se Podujeva vazhdon ta ketë të vetmin dallim të ndryshimit të rexhimeve, atë, para dhe pas lufte. Për dy dekada është sunduar nga një mendësi politike. Për shkak të kësaj, LDK do të provojë gjithë forcën për të mos ndryshuar pozicionin e saj, pra për ta mbajtur Podujevën si bastion e saj! Dy kandidatët opozitar, pra ai i LV dhe PDK kanë një përgatitje shumë më të mirë sesa ai i LDK”, shprehet Maloku.

Kadriu: Kandidati i VV- së do ta ketë fitoren e sigurt, për faktin se z. Veliu ka qëndruar shumë gjatë si kryetarë në këtë komunë

Image
Kushtrim Kadriu

Analisti Kushtrim Kadriu, për gazetën “Bota sot” ka thënë se, Podujevën do ta humbasë LDK- ja pasi që ajo dhe Agim Veliu dezertuan nga komuna duke thyer besimin e qytetarëve për një pozitë, për një qejf individual të Agim Veliut.

“Si rezultat i kësaj, kandidati i VV- së do ta ketë fitoren e sigurt, gjithashtu edhe për faktin se z. Veliu ka qëndruar shumë gjatë si kryetarë në këtë komunë dhe nuk duket se ka bërë edhe aq”, përfundoi Kadriu.

Mehmeti: Gjasat janë reale që kjo komunë për herë të parë të ketë një kryetar jo nga LDK

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti Faton Mehmeti për “Bota sot” thotë se, si asnjëherë më parë LDK nuk e ka të sigurt fitoren në Podujevë, andaj gjasat janë reale që kjo komunë për herë të parë të ketë një kryetar jo nga LDK.

“Besoj se Vetëvendosje ka goditur me kandidaturën e z. Shpetim Bulliqi, i cili gëzon respekt edhe nga anëtar të LDK, andaj gara do të jetë e fortë. Se kush do të fitoj kjo nuk dihet saktë, por krejt do të varet në balotazh koalicionet, që edhe do të jetë fundamentale se kush fiton. Ai më tej shton se, me gjasë do kemi balotazh mes VV dhe LDK, të cilat do të jenë të detyruar të bëjnë koalicion me partitë tjera, të cilat edhe do të mund të përcaktojnë fituesin”, ka përfunduar Mehmeti.

Ndryshe, kandidati i LVV-së për kryetar të Podujevës, kishte aderuar në këtë parti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat