Elezaj me kritika të ashpra: Thaçit njihet për lajmet skandaloze, dhe për veprimet e shëmtuara rreth marrëveshjeve

Politika

Elezaj me kritika të ashpra: Thaçit njihet për lajmet skandaloze, dhe për veprimet e shëmtuara rreth marrëveshjeve

Nga: D.B. Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 16:15
Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar përmes një shkrese zyrtare se e ka informuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, lidhur me një marrëveshje sekrete në mes të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.Këtë marrëveshje Hashim Thaçi e kishte bërë në prill 2013 me sekretarin e përgjithshëm të atëhershëm të NATO-së, Anders Fogh Rasmussen. Ndërsa, Kryeministri Albin Kurti këtë letër e kishte siguruar nga një zyrtar i NATO-s në nëntor të viti 2019.

E në lidhje me këtë publicisti Rexhep Elezaj ka thënë, për gazetën “Bota sot” se nuk befasohet asnjëherë nga lajmet skandaloze, të Thaçit pasi ai njihet për veprime e shëmtuara.

Image
Rexhep Elezaj

“Hashim Thaçi në vitin 2013 paska nënshkruar marrëveshje sekrete me ish sekretarin e NATO-s, Rasmussen, me të cilën iu paskan marrë kompetencat FSK-së për të hyrë dhe vepruar në veri të Kosovës, akt ky pa dyshim, anti-kushtetues dhe anti-shtetëror me premisa të qarta të një tradhtie kombëtare, e që në fakt shtron një sërë pyetjesh dhe dilemash të mëdha..!? Së pari, KFOR-i nuk e ka asnjë pengesë të lëvizë dhe ta kontrollojë veriun e Kosovës, ndërsa në rastin e ndonjë rreziku të sulmeve ushtarake nga Serbia ai e ka obligim ta mbrojë gjithë territorin dhe kufijtë Kosovës sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së. z. Hashim Thaçi nuk ka pasur asnjë arsye shtetërore që me NATO-n, përkatësisht me sekretarin e saj, Anders Fogh Rasmussen, të bëjë marrëveshje të re për Kosovën, me të cilën KFOR-i u dashka edhe njëherë që të autorizohet nga NATO-ja për ta ndaluar FSK-në me hy në Veri të Kosovës, kur dihet se FSK-ja çdo veprim e bënë në koordinim të plotë me KFOR-in”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

Ai konsideron se me marrëveshjen sekrete me NATO-n, e nënshkruar nga sekretari i saj Rasmussen dhe nga Hashim Thaçi në vitin 2013, para popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës shtrohen një sërë dilemash.

“Tani lind pyetja se përse vallë është dashur Thaçi që të nënshkruhet kjo marrëveshje, në shërbim të kujt është bërë ajo, kush e ka iniciuar dhe pse është mbajtur sekret nga ana e Hashim Thaçit, kur marrëveshjet e kësaj natyre kanë karakter shtetëror dhe ndërkombëtar..!? Pse Thaçi nuk e ka njoftuar paraprakisht qeverinë e tij dhe Kuvendin e Kosovës për një marrëveshje të tillë pa e marrë pëlqimin e organeve më të larta shtetërore të Kosovës, pastaj çfarë bisedimesh qenkan mbajtur asokohe me udhëheqësit e NATO-s lidhur me veriun e Kosovës”, ka thënë publicisti Elezaj.

Ai po ashtu ka shtruar edhe një varg pyetjesh tjera edhe rreth asaj se kush ka qenë iniciuesi e kësaj marrëveshjeje si dhe cilat janë prapavijat e saj politike, ushtarake dhe gjeografike. “E thash në fillim, se ky veprim i Hashim Thaçit nuk më befason fare, sepse gati në të njëjtën mënyrë ka vepruar kur ishte kryeministër edhe me marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Thaçi me këtë marrëveshje me 26 gusht 2015 e ka nënshkruar në Vjenë të Austrisë, në mënyrë jo transparente dhe me të cilën marrëveshje, edhe pse u ratifikua në Kuvend, pas tri viteve nën presionin e padukshëm të tij ndaj LDK-së, si partner koalicioni që e kishte, me të cilën marrëveshje, siç dihet është shkelë në mënyrë flagrante integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Dhe fatkeqësisht nga ky veprim i shëmtuar i Thaçit Kosova ka humbur mbi 8200 hektarë toka në trevën e Rugovës”, është shprehur publicisti Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat