Flasin nga Gjykata Speciale, ja kur do të vendoset rreth ngritjes së aktakuzave

Politika

Flasin nga Gjykata Speciale, ja kur do të vendoset rreth ngritjes së aktakuzave

Nga: N.H Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 18:45
Selia e Gjykatës Speciale

Prokurori i Specializuar ditë më parë e ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, se ka ndërmend të fillojë procedime penale, si dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media nga Gjykata Speciale.

“Në lidhje me këtë, Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren për Caktimin e Gjykatësve të Dhomave të Specializuara nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se “përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale, përveç nëse konfirmohet dhe deri sa të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake”.

Për gazetën “Bota sot”, nga Gjykata Speciale kanë konfirmuar se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, tashmë veç se ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar.

“Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”, thuhet në përgjigjën dhënë gazetës “Bota sot”.

Ndërsa, me tej në këtë përgjigje, kanë bërë të ditur se gjykatësi i procedurës paraprake ka edhe një afat prej gjashtë muajsh, që të vendos për të konfirmuar ose për të hedhur poshtë aktakuzën.

“Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale. Gjykatësi i procedurës paraprake, brenda një maksimumi prej gjashtë muajsh, vendos për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën”, kanë deklaruar nga Specialja në një përgjigje elektronike për gazetën “Bota sot”.

Image
Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat