Albin Kurti po ia rikthen autoritetin Kosovës në arenën ndërkombëtare

Politika

Albin Kurti po ia rikthen autoritetin Kosovës në arenën ndërkombëtare

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 shkurt 2020 Në ora: 21:25
Albin Kurti

“Që kryeministri i Kosovës do merrte pjesë në samite ndërkombëtare dhe do të takohej me homologen e tij serbe, kjo ishte e ditur, sepse në një sistem global të vlerave dhe ndërvarësive nuk mund të ndodhë ndryshe. Prandaj janë idiote keqpërdorimet e disa deklaratave të mëhershme të zotit Kurti, me të cilat ka atakuar takimet e presidentit historik, Rugova, ose paraardhësve të tij për takimet që ata kanë pasur me liderët serbë”, ka thënë prof. Enver Bytyçi.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti,është takuar për herë të parë me homologen serbe, Ana Bërnabiç, në Londër të Anglisë.

Ky takim ndodhi në kuadër të Samitit të Bankës Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim, ku morën pjesë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit të pranishëm ishin kryeministrat nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

BERZH ka për qëllim përdorimin e investimeve si një mjet për të ndërtuar ekonomitë në vendet që janë në zhvillim.

Fjalimi i Kurtit në Samitin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti një fjalim në panelin e organizuar nga BERZH për investime në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër.

Kurti filloi fjalimin e tij duke thënë se në Kosovë po ekziston entuziazëm i madh pas zgjedhjeve të fundit ku fitoi opozita, dhe kjo sipas tij do të përkthehet në zhvillim ekonomik.

“Është tashmë vala e tretë e entuziazmit në Kosovë. Vala e parë ishte çlirimi i vitit 1999, e dyta ishte pavarësimi i Kosovës në shkurt të 2008’ës dhe tani kemi entuziazmin e vitit 2020 për zhvillim. Kosova është në zemër të Ballkanit, me përkushtim në integrimin evropian dhe anëtarësimin në NATO. Shteti ynë është i etur për investime. Kemi një fuqi të re punëtore, që është mirë e arsimuar. Mosha mesatare në Kosovë është 30 vjet. Dhe, duam të bashkëpunojmë me vendet e rajonit”

“Linja hekurudhore prej jugut në veri, prej Hanit të Elezit në Fushë-Kosovë, në Mitrovicë dhe në Leshak. Po ashtu do të donim të shihnim një lidhje mes Prizrenit e Tetovës. Prizreni në Ksoovë dhe Tetovës në Maqedoni të Veriut”, ka thënë Kurti.

“Po presim takimet e drejtpërdrejta. Deri tani kemi 77 marrëveshje me Shqipërinë, dhe së bashku me kryeministrin Edi Rama do i japim një energji të re implementimit të këtyre marrëveshjeve. Po ashtu po presim takimin e Malin e Zi”, shtoi ai.

“Ne besojmë që mërgata jonë është kruciale për investime.Ne kemi një mërgatë shumë të madhe sidomos në Gjermani e Zvicër por edhe këtu në Britani të Madhe. Investimet do përmirësonin CV’në tonë ekonomike dhe do të mundësonin investime të tjera në të ardhmen”, e përfundoi fjalimin Kurti.

Bytyçi: Pjesëmarrja e Kurtit në samitet ndërkombëtare është shenjë e mire

Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që është e ditur pjesëmarrja e Kurtit në këtë samit ndërkombëtar dhe se është në të mirën e shtetit të Kosovës.

“Që kryeministri i Kosovës do merrte pjesë në samite ndërkombëtare dhe do të takohej me homologen e tij serbe, kjo ishte e ditur, sepse në një sistem global të vlerave dhe ndërvarësive nuk mund të ndodhë ndryshe. Prandaj janë idiote keqpërdorimet e disa deklaratave të mëhershme të zotit Kurti, me të cilat ka atakuar takimet e presidentit historik, Rugova, ose paraardhësve të tij për takimet që ata kanë pasur me liderët serbë. Por, unë e shikoj pozitive pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës në samite ndërkombëtare, sepse aty ai përfaqëson shtetin e Kosovës. Ky përfaqësim do të thotë identifikimi me shtetësinë e Kosovës dhe me mundësi më të mëdha për të realizuar financimin e projekteve ose forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në vend”.

Image
Enver Bytyçi

“Në Londër kryeministri Kurti takoi e madje qëndroi pranë kryeministres së Serbisë, Bërnabiq. Pjesëmarrja e tij në samitet ndërkombëtare është shenjë e mirë, sepse rikthen autoritetin e shtetit të Kosovës si republikë Parlamentare, në të cilën presidenti pati marrë rol jo-kushtetues të kontestueshëm. Kështu që me këtë që ndodh shihet se presidenti Thaçi do të kthehet në rolin e tij ekzekutiv simbolik, pa rol ekzekutues. Kjo do t’i bëjë mirë sidomos dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit. Por është me rëndësi që në këto samite kryeministri Kurti të bëjë diferencën me paraardhësit e tij. Kjo do të ndodh nëse ai përgatitet dhe shkon kudo me projekte, ide dhe programe konkrete, me të cilat zhvillohet Kosova. Ai nuk duhet të rendë pas formës, pas dukjes, pas lavdisë së vet personale”, u shpreh, Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, Profesori krahason pjesëmarrjet e Presidentit Thaçit dhe kryeministrit Kurti duke thënë që produkti që Thaçi solli për vendin ishte ndarja ndërsa tash Kurti duhet të shfaqet e të veprojë ndryshe.

“Lavdia e kryeministrit është e duhet të jetë një Kosovë e njohur ndërkombëtarisht, një Kosovë me prosperitet ekonomik, me rroga e pensione të larta, me shërbime sociale në arsim, shëndetësi e kudo të nivelit evropian. Sfida e zotit Kurti nuk është pjesëmarrja në takimet ndërkombëtare takimi ose jo me Vuçiq ose Brnabiq, por argumenti në dialog dhe produkti i dialogut. Pjesëmarrja dhe takimet i pati me tepri edhe presidenti Thaçi, por produkti që ai solli për vendin ishte ndarja e territorit dhe lëshimet e pafund ndaj Serbisë. Albin Kurti duhet të shfaqet e të veprojë ndryshe. Nuk ka rëndësi nëse ai takohet madje me Trump. Mergel, Jonson apo Macron, rëndësi ka se çfarë përfitimesh i sjell Kosovës nga këto takime, çfarë projektesh nxjerr prej tyre”, përfundoi Profesori, për “Bota sot”.

Voca: Ndërveprimi i Kurtit me kryeministren e Serbisë Bërnabiç është i drejtpërdrejtë dhe i kuptueshëm

Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i Gjeopolitikës në Paris, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që qasja e kryeministrit Kurti në arenën ndërkombëtare është e denjë dhe shumë paqësore.

Sipas Vocës reciprociteti fqinjësor krijon rrethana për stabilitet rajonal dhe ndërveprime konstruktive ndërmjet shteteve.

“Paraqitjet e para të Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, kanë qenë të denja në arenën ndërkombëtare sepse tani Kosova ka një Kryeministër shumë më të përgatitur dhe të pa shantazhueshëm”.

“Kryeministri A. Kurti është duke krijuar një qasje të re në arenën ndërkombëtare në këtë rast në politikën e jashtme marrë parasysh se Shtetit i ka munguar një qëndrim partneriteti konsistent, i qartë e jo konformist ndaj aleatëve tanë dhe në përgjithësi në arenën ndërkombëtare që nga periudha e Presidentit I. Rugova”.

Image
Mirsad Voca

“Qasja e kryeministrit A. Kurti për reciprocitet ndaj shteteve fqinje është një qasje paqësore sepse shpie vetëm në një partneritet të shëndoshë me vendet fqinje. Pa reciprocitet nuk mund të ketë as minishengen dhe as partneritet fqinjësor paqësor e afatgjatë. Reciprociteti fqinjësor krijon rrethana për stabilitet rajonal dhe ndërveprime konstruktive ndërmjet shteteve”.

“Nuk mund të thuhet se reciprociteti mund të dëmtoj marrëdhëniet me aleatët tanë sepse ideja e reciproctetit është qëndrim paqësor dhe nënkupton ndërtim partneriteti me të gjitha shtetet fqinje përfshirë këtu edhe Serbinë”.

“Megjithatë, nuk ka nevojë të shfaqet si politikë populiste kur është fjala tek zëvendësimi i taksës me reciprocitetin dhe nga kjo pikëpamje duhet krijuar një komunikim më të qartë dhe më të kuptueshëm me ndërkombëtarët”.

Tutje, Voca shprehët që Kurti në samit ia bëri me dije Bërnabiçit që pa njohje reciproke nuk mund të ketë marrëveshje.

Në fund, marrë parasysh se të gjitha arritjet që ka bërë Kosova kanë qenë të mbështetura nga miqtë ndërkombëtar, besoj se nuk mund të konfrontohemi me aleatët tanë, përfundon Voca.

“Ndërveprimi i A.Kurtit me kryeministren e Serbisë A. Bërnabiç është i drejtpërdrejtë dhe i kuptueshëm sepse Serbisë duhet thënë troç çdo herë, se pa njohje reciproke nuk mund të ketë marrëveshje, në të kundërtën çdo nismë apo rezultat tjetër do të ishin gjysmake, jo të drejta dhe jo afatgjate sepse do të ishin të pa implementueshme”.

“Ndërsa kur është fjala tek heqja e taksës ndaj Serbisë, nuk mund të mendohet se Taksa aktuale ndaj Serbisë do ta detyronte atë të njihte Kosovën. Njohja do të vjen nga Serbia kur Kosova do vendos rend dhe ligj të mirëfilltë brenda saj, dhe nëse i përmbushim kushtet e një Shteti ligjor, vetëm atëherë aleatët ndërkombätarë do t’i bënin presion Serbisë për ta njohur Kosovën”.

“Në fund, marrë parasysh se të gjitha arritjet që ka bërë Kosova kanë qenë të mbështetura nga miqtë ndërkombëtar, besoj se nuk mund të konfrontohemi me aleatët tanë. Edhe kryeministri Kurti e ka të qartë këtë, mirëpo duhet kërkohen veprime bashkërenditëse që Kosova ta kalojë edhe këtë peripeci ndaj Shtetit fqinj serb që rezulton fatkeqësisht nga politika agresive e papërmirësueshme serbe”, përfundon Voca.

Mehazi: Aktivitetet të njëpasnjëshme diplomatike të Kurtit shprehin seriozitete politike pozitive për të mirën e Kosovës

Analisti politik Sulejman Mehazi, për “Bota sot”, u shpreh që përballja e Kurtit me Bërnabiç ishte superior dhe se Kurti I tregoi që nga fillimi që pa reciprocitet nuk hiqet taksa.

Image
Sulejman Mehazi

“Pjesëmarrja e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim( BERZH) në Londër është mjaftë dinjitoze e superiore përballë Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, ai para të pranishmeve hapur e guximshëm tha, se, qeveria e Kosovës pajtohet për heqjen e taksave serbe, por duke kushtëzuar Serbinë me reciprocitet. Që nga përballja e parë me Bërnabiq, Kryeministri Albin Kurti tregoi se do jetë arrë e fortë dhe e pa thyeshme për qeverinë e Serbisë dhe se veprimet e tij politike ndaj Serbisë e ndaj diplomatëve ndërkombëtarë janë të qarta e pa ekuivoke”, u shpreh Mehazi.

Më tej, Mehazi, tha që mençuria dhe guximi politik i Kurtit do të përvetësoj diplomacinë botërore për të mirën politike të Kosovës.

“Aktivitetet e deritanishme të njëpasnjëshme diplomatike të Albin Kurtit shprehin seriozitet politik pozitive për të mirën e Kosovës dhe se këto aktivitete të shpeshta diplomatike do ta bëjnë Kosovën më të autoritetshme jo ndaj Serbise po edhe ndaj diplomateve evropian e amerikan. Besojmë se aftësia, mençuria dhe guximi politik i Albin Kurtin do të përvetësojë gjithë diplomacinë botërore për të mirën politike, ekonomike e sociale të R. së Kosovës”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat