Urdhërdhënësit e vrasjeve politike në panik

Politika

Urdhërdhënësit e vrasjeve politike në panik

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 27 shkurt 2020 Në ora: 08:19
Gjykata Speciale

“Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale. Gjykatësi i procedurës paraprake, brenda një maksimumi prej gjashtë muajsh, vendos për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën”, kanë deklaruar nga Specialja në një përgjigje elektronike për gazetën “Bota sot”.

Ani pse ishte spekuluar se aktakuzat e para të Gjykatës Speciale do të ngritën, vetëm atëherë pasi që të fillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, mirëpo së fundi Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se kanë nisur procedurat për konfirmimin e aktakuzave të para.

Gjithashtu, përveç kësaj, u raportua se fillimisht se do të ngritën dy aktakuza, dhe se ato do të prekin krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Prokurori i Specializuar e ka njoftuar kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, se ka ndërmend të fillojë procedime penale, si dhe ka bërë kërkesë për caktimin e një gjykatësi të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media nga Gjykata Speciale.

“Në lidhje me këtë, Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake në pajtim me Ligjin dhe Rregulloren për Caktimin e Gjykatësve të Dhomave të Specializuara nga Regjistri i Gjykatësve Ndërkombëtarë për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”, thuhet në komunikatë.

Nga Specialja e kanë konfirmuar për gazetën “Bota sot”, se kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat, ndërsa, kanë theksuar se gjykatësi i procedurës paraprake ka një afat prej gjashtë muajsh, të vendos për të konfirmuar ose për të hedhur poshtë aktakuzën.

Viktima e një tentim vrasjeje për gazetën “Bota sot”, është shprehur se duke marr parasysh se drejtësia e Kosovës për gjithë këto vite ka qenë e kapur nga ata që i kanë urdhëruar dhe i kanë bërë ato vrasje, atëherë Gjykata Speciale për ta mbetet edhe me tej shpresa e vetme.

Kurse, avokati i njohur është shprehur se pas pesë vitesh punë, tashmë është e sigurt që Gjykata Speciale do të vazhdojë me ngritjen e aktakuzave të para.

Gjykata Speciale për “Bota sot”: Gjykatësi i procedurës paraprake, brenda një maksimumi prej gjashtë muajsh, vendos për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën

Për “Bota sot”, nga Gjykata Speciale kanë konfirmuar se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, tashmë veç se ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar.

“Kryetarja ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e dorëzuara nga Prokurori i Specializuar”, thuhet në përgjigjën dhënë gazetës “Bota sot”.

Ndërsa, me tej në këtë përgjigje, kanë bërë të ditur se gjykatësi i procedurës paraprake ka edhe një afat prej gjashtë muajsh, që të vendos për të konfirmuar ose për të hedhur poshtë aktakuzën.

“Përmbajtja e aktakuzave mbetet konfidenciale. Gjykatësi i procedurës paraprake, brenda një maksimumi prej gjashtë muajsh, vendos për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën”, kanë deklaruar nga Specialja në një përgjigje elektronike për gazetën “Bota sot”.

Kurse, Chris Bennett, zëdhënës i Zyrës së Kryeprokurorit, për gazetën “Bota sot”, nuk ka dashur t’i komentojë fare zhvillimet e fundit rreth aktakuzave të para.

Ai në një përgjigje të shkurtër ka thënë se nuk ka asnjë koment rreth kësaj çështjeje.

“Faleminderit për mesazhin tuaj. Sidoqoftë, nuk kemi asnjë koment”, ka thënë shkurtimisht, Chris Bennett, zëdhënës i Zyrës së Kryeprokurorit.

Fetah Rudi: Gjykata Speciale do t’i zbulojë vrasjet politike

Fetah Rudi i mbijetuar i një tentim vrasjeje që e la përjetësisht të paralizuar, njëherësh deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se beson fuqishëm se kjo gjykatë do t’i zbulojë vrasjet e zyrtarëve të LDK-së.

Image
Fetah Rudi

“Se kur do të ngritën aktakuzat nga Gjykata Speciale këtë e dinë vetëm organet e Speciales. Nëse bazohemi te njoftimi Speciales atëherë del se aktakuzat tash veç janë gati dhe shumë shpejtë pritet të bëhen të ditura ato dhe për kënd. Por, gjithmonë e kam thënë dhe besoj fuqishëm se Gjykata Speciale më në fund jo që do të merret me vrasjet politike, por ajo do t’i zbulojë ato, pasi dështimit të UNMIK-ut, EULEX-it, e drejtësisë së Kosovës”, ka thënë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Tutje, Rudi ka folur edhe për etiketimet që kanë filluar së fundi ndaj zyrtarëve të LDK-së, gjë për të cilën ka thënë se është rikthyer koha si në vitet e pasluftës, kohë kjo kur u kryen edhe shumica prej vrasjeve politike.

Deputeti i LDK-së gjithashtu ka theksuar se tashmë një kontribut të madh pritet ta japin edhe institucionet e reja të Kosovës.

“Duke marr parasysh se drejtësia e Kosovës ka qenë e kapur nga ata që i kanë urdhëruar dhe i kanë bërë ato vrasje, atëherë Gjykata Speciale për ne viktimat ka qenë dhe mbetet ende shpresa e vetme. Zbulimi i vrasjeve politike ka fut në panik ata që i kanë urdhëruar ato, andaj kohëve të fundit kanë filluar etiketimet, sikur atëherë në vitet e pasluftës, kohë kur u kryen shumica prej vrasjeve politike. Tash një kontribut të madh pritet ta japin edhe institucionet e Kosovës, kur dihet ndryshimet që kanë ndodhur në udhëheqjen e shtetit”, ka shtuar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, për gazetën “Bota sot”.

Tomë Gashi: Aktakuzat e para në Speciale tanimë janë ngritur

Kurse, nga ana tjetër, avokati i njohur, Tomë Gashi ka folur për zhvillimet e fundit rreth Gjykatës Speciale, dhe kërkesës për caktimin e gjyqtarëve të procedurës paraprake.

Image
Tomë Gashi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pas pesë vitesh punë, tashmë është e sigurt që Specialja do të vazhdojë me ngritjen e aktakuzave.

Gjersa, për të akuzuarit, ai tha se askush nuk mund ta dijë se cilët do të jenë ata, teksa shtoi se skena aktuale politike nuk pritet të ketë tronditje të madhe.

“Nuk është aspak sinjal i mirë që Prokuroria të kërkoj nga Kryetarja e Gjykatës që të caktoj Gjyqtarë të procedurës paraprake, sepse kjo i bije se një apo me tepër aktakuza janë të gatshme. Sido që të jetë tani më çdo gjë është duke u ditur që Gjykata Speciale pas 5 viteve të themelimit të saj, mjerisht nga Deputetet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mbi dy vite pas funksionalizimit të saj, do të ngrisë aktakuzat e para, gjë që do të jete tepër e dëmshme për shqiptaret në përgjithësi, për shqiptaret e Kosovës në veçanti, e posaçërisht për ish pjesëtarët e UÇK-së”, është shprehur avokati Gashi.

Tutje, ai ka deklaruar se fajin kryesorë, që ka ardhur deri tek formimi i Gjykatës Speciale e kanë disa prej udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në emër të UÇK-së, kanë bërë trysni tek deputetët, posaçërisht të partive të tyre, që të themelojnë Gjykatën Speciale.

“Unë besoj që fajin kryesorë, që ka ardhur deri tek formimi i Gjykatës Speciale e kanë disa prej udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në emër të UÇK-së, kanë bërë trysni tek Deputetet, posaçërisht të partive të tyre, që të themelojnë Gjykatën Speciale me pretendime se kinse kjo është në të mirë, siç thonë ata të vërtetimit të pastërtisë së luftës së UÇK-së, ndërsa që të jetë ironija edhe më e madhe kur ata janë ftuar në Gjykatën Speciale në Hage,ata thjeshtë kanë heshtur, janë mbrojtur në heshtje, dhe tani është pak sa e pakuptueshme se si kanë mundur të vërtetojnë pastërtinë e luftës së UÇK-së duke u mbrojtur në heshtje”, ka thënë avokati i njohur, Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat