Teoritë e legjitimetit dhe rasti i pushtetit ilegjitim në Shqipëri

Politika

Teoritë e legjitimetit dhe rasti i pushtetit ilegjitim në Shqipëri

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 28 shkurt 2020 Në ora: 18:56
Edi Rama

Legjitimiteti është ekuilibër, besim, harmoni, si dhe çelësi i çdo suksesi për qeverisjet në përgjegjësi. Kjo do të thotë se dimensioni i legjitimitetit është politik, ekonomik, social dhe moral. Për këto arsye filozofët dhe politologët përcaktojnë tezën se legjitimiteti është tipari themelor i shoqërive dhe shteteve demokratike, në të cilat sundon ligji, e drejta, dhe ligjshmëria është në harmoni e ekuilibër me moralin dhe të drejtën. Një qeverisje totalitare ose autoritare mund të jetë legale, por ajo kurrë nuk mund të fitojë legjitimitet për shkakun e thjeshtë se qeverisjet si këto prodhojnë kriza të vazhdueshme dhe nuk mund t’i zgjidhin atë brenda sistemit.

Nëse analizojmë me metodën krahasuese tiparet dhe karakteristikat e qeverisjes në Shqipëri, atëherë do të shkojmë te përfundimi i pakontestuar se sistemi i qeverisjes te ne nuk është legjitim.

Legjitimiteti i qeverisjes vjen nga zgjedhjet e lira, të drejta e të ndershme. Të gjitha palët e zgjedhjeve në Shqipërinë e 6 viteve të fundit janë provuar me zë dhe me figurë si zgjedhje e votime të manipuluara, të blera, të vjedhura dhe të falsifikuara me një qëllim të vetëm, të shpallur publikisht: - Tepsia dhe timoni të shkojnë në duart e Edi Ramës! Ky ishte dhe mbetet deformimi themeltar i qeverisjes. Legjitimiteti i zgjedhjeve u shkërmoq sidomos më 30 qershor të vitit të kaluar për pushtetin lokal, kur të gjitha bashkitë u shndërruan në bashki të tipit të shtetit totalitar.

Si të jenë zgjedhjet, e tillë do jetë qeverisja! Sot kemi një qeverisje jo vetëm me tepsi e timon në duart e Edi Ramës, por edhe një qeverisje që ka uzurpuar kushtetutën, ligjet, institucionet dhe pushtetet e qeverisjes. Vendin e ligjit e kanë zënë urdhëresat e ministrave dhe të kryeministrit, vendin e kushtetutës e kanë zënë vendimet e qeverisë. Kryeministri është vetë parlamenti. Spektakli i tij në atë sallë është gjithçka për qeverisjen e sotme. Nuk ka gjykatë kushtetuese as gjykatë të lartë. Mbi 80 mijë dosje të ankesave të qytetarëve presin prej vitesh të shqyrtohen për të të jepet drejtësi. Gjithçka është në duart e një personi. Tashmë edhe presidenti dhe funksioni i tij janë mënjanuar e përvetësuar nga noterët e qeverisë. Qeverisja në këtë vend shpreh vullnetin e numrit një të partisë në pushtet. Ai i sheh të gjitha institucionet si instrumente në duart e tij. Gjykatat i ka zëvendësuar me policinë e shtetit në duart e tij. Vetë ai edhe formalisht kryen funksione të dubluara.

Legjitimiteti i qeverisjes së sotme në Shqipëri është kërcënuar dhe rrënuar nga mënyra e qeverisjes. Një qeverisje legjitime është dhe duhet të jetë qeverisje transparente. Qeveria e sotme shqiptare nuk ka marrë qoftë dhe një vendim në konsultim me qytetarët dhe grupet e interesit. Gjithçka publiku e mëson pasi projekti të bëhet ligj. Praktika që vendimet të merren jashtë syrit të taksapaguesve shqiptarë është praktikë rutinë e qeverisjes së Edi Ramës. Madje dhe taksat e qytetarëve përdoren në mënyrë mafioze. Në këtë aspekt Rilindja ka ndërtuar një shtet të tipit mafioz!

Qeverisja shqiptare është delegjitimuar gjithashtu për shkak të kriminalizimit dhe bashkëpunimin e saj me organizatat mafioze, të cilat u ngritën bazuar në një platformë politike qeverisëse, me qëllim që të përjetësohet pushteti politik i Edi Ramës!

Mund të renditen njëmijë tipare që e bëjnë qeverisjen në Shqipëri jo legjitime. Kjo do të thotë se Shqipëria është në një ç`ekuilibër të frikshëm. Qeverisjet jolegjitime gjithmonë krijojnë kriza, konflikte dhe disbalanca. Ato krijojnë një hendek të jashtëzakonshëm midis të pasurve dhe të varfërve. Rritin përmasat e dhunës e të terrorit verbal e fizik ndaj qytetarëve. Ushtrojnë një arbitraritet dhe arrogancë të shfrenuar ndaj kujtdo. Ndërkaq liderët e një qeverisjeje të tillë bëjnë kujdes të madh dhe shumëfishojnë buxhetin e performancës, lobimit dhe imazhit të tyre. Gjithçka vihet në shërbim të interesave dhe këtij imazhi të liderit kryesor dhe ndihmësve të tij në qeverisje të tilla.

Liderët e një qeverisjeje të tillë shndërrohen gjithashtu në liderë ilegjitimë. Si të tillë ata i drejtohen metodave jo demokratike, thirren në mitet dhe simbolet nacionaliste, ushtrojnë një lloj bullizmi në komunikimin me zgjedhësit e të tjera sjellje të kësaj natyre. Kësisoj thellohet disekulibri social e civil. Ndërkaq sa më ilegjitim të jetë qeverisja aq më destabil është një vend me qeverisje të tillë, si Shqipëria e sotme. Krizat në këtë rast janë të pashmangshme. Kjo krizë nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike, sociale dhe morale.

Instabiliteti ushqen dhunën e qeverisjes jolegjitime, e ndërkohë nxit rezistencën e kundërshtarëve të kësaj qeverisjeje. Në këtë rast institucionet paralizohen edhe nga pikëpamjes formale. Eshtë lideri jolegjitim ai që merr përsipër të gjitha përgjegjësitë dhe ndërton modelin e shtetit të dhunshëm mbi qytetarët. Cikli përsëritet derisa njerëzit të organizohen që qeverisjen jolegjitime ta rrëzojnë. Erozioni i qeverisjes jolegjitime ndërpritet vetëm atëherë kur qytetarët bëhen të vetëdijshëm se sistemi ilegjitim në pushtet duhet rrëzuar dhe shkatërruar. Dhe në fund një sistem jolegjitim i qeverisjes mund të rrëzohet edhe me mjete jolegjitime. Këto që trajtova më lart janë teza të bazuara në teoritë e shtetit dhe jo thjesht investigime të qeverisjes në Shqipëri.

Por rasti i Shqipërisë përbën modelin tipik të vërtetimit të hipotezave teorike të raportit të shtetit me legjitimitetin ose jolegjitimitetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat