Zgjidhja përfundimtare për taksën në Kuvendin e Kosovës

Politika

Zgjidhja përfundimtare për taksën në Kuvendin e Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 29 shkurt 2020 Në ora: 08:28
Kuvendi i Kosoves

Gjatë javës që do të pasoj Qeveria e Kosovës  do të marrë vendim që nga data 15 mars, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Kështu, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për heqjen pjesërisht të taksës së vendosur nga Qeveria e kaluar e udhëhequr nga ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është mirëpritur.

Por, për këtë vendim, të kryeministrit Kurti, ka pasur reagime të shumta si nga opozita, po ashtu edhe nga partneri i koalicionit, LDK-ja.  Nga kjo parti ka pasur deklarata publike në të cilat janë shprehur kundër këtij  vendimi të Kurtit.  Gazeta “Bota sot”, ka tentuar që të merr deklarata nga Qeveria e Kovës, po ashtu edhe nga zyrtarët e VV-së dhe LDK-së, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Lidhur me këtë çështje, njohësit çështjeve politike në vend, deklaruan për gazën “Bota sot” se ky vendim i Kurtit nuk mund të shkaktojë krizë në koalicionin Qeverisës, por ka edhe nga ata që mendojnë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk janë unike në vendimet e tyre.

Lepaja: LDK është për heqjen e taksës pa kushte, kjo do të zgjidhet në Kuvend

Njohësi i çështjeve politike Fadil Lepaja, mendon se nuk do të këtë krizë në koalicionin qeverisës për heqjen e taksës, për kundër që në LDK mund të ketë vazhdimisht reagime kundër kësaj çështje.

Image
Fadil Lepaja

“Unë mendoj se nuk do të ketë krizë në koalicion, sepse  edhe LDK është për heqjen e taksës, dhe të njëjtën nuk e sheh si prioritet të politikës së qeverisë. Në LDK ka, dhe do të ketë reagime, përse nuk është hequr taksa, pa kushte dhe pa elemente të reciprocitetit ashtu si ka kërkuar Grenell, dhe besoj se kjo do të zgjidhet kur të zhvillohet debati në parlament”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Lepaja në prononcim e dhënë gazetës “Bota sot”, është shprehur se ka shanca që parlamenti të imponoj heqjen e taksës, si dhe mund të nxjerrë edhe një rezolutë.

“Ka shumë gjasa që parlamenti të imponoj heqjen e plotë të taksës pa ndonjë afatizim apo pa ndonjë kusht ndaj Serbisë, por unë mendoj që megjithatë parlamenti do të nxjerr edhe një rezolutë, ku do të përmend këto kërkesa”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ka potencuar se ndërmjetësimin Amerikan dhe Europian, Serbia jep garanca se nuk do të mund të keqpërdorë këtë akt të vullnetit të mirë nga qeveria e Kosovës.

“Deri sot Serbia nuk ka respektuar asnjë marrëveshje dhe si e tillë është vështirë të trajtohet si e besueshme, por ndërmjetësimi Amerikan dhe Europian, megjithatë jep garanca se ajo nuk do të mund të keqpërdorë këtë akt të vullnetit të mirë nga qeveria e Kosovës, sidoqoftë përmes një rezolute parlamenti i Kosovës do të duhej të bëjë me dije se çfarë pret nga bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia, për zhbllokimin e dialogut, të cilin Serbia  e kishte bllokuar me një ofensivë të egër diplomatike kundër çfarëdo anëtarësimi të Kosovës në organizata ndërkombëtare e sidomos me të ashtuquajturën fushatë e "çnjohjeve", “, ka deklaruar Lepaja për “Bota sot”.

Abdullahu: Qeveria Kurti e dëshmo se përfundimisht nuk është unike

Ndërkaq, analisti politik, Faton Abdullahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se me këtë vendim të Kurtit u dëshmua se Qeveria nuk është unike dhe  se LDK-ja nuk konsiderohet si palë e barabartë në qeverisje.

“Në mënyrën sikundër e ka bërë dhe si e ka justifikuar dje heqjen e pjesshme të taksës Qeveria Kurti ka lënë të nënkuptohen disa gjëra te reja, ka vendosur para vetes disa qëllime jo mirë të njohura dhe ato bashkë shpërfaqin disa zhvillime ndryshe por jo progresive. Kështu:

1) Qeveria Kurti e dëshmo se përfundimisht nuk është unike, në të vërtetë se partnerët e koalicionit LV – LDK janë të përçarë, jo kooperues për rrjedhojë jo efikas sidomos për zhvillimet e fundit.

2) Kryeministri aktual vazhdon të mos e konsideroj LDK-n me konstruktivitet si palë të barabartë në qeveri, duke e injoruar qëllimshëm thua se LV ka fituar shumë më shumë se ajo numër votash në zgjedhjet e fundit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Faton Abdullahu

Po ashtu, Avdullahu është shprehur se as LDK-ja nuk është unike në raport me taksën , duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve të saj.

3) “LDK vazhdon të mos jetë unike, as si parti politike as si parti qeveritare, sidomos në raport me taksën dhe reciprocitetin. Dëshmi për këtë është qëndrimi në një vijë me Kryeministrin aktual, i znj. Osmani të cilën ajo e ka shprehur jo vetëm me heshtje, e që dallon në thelb nga ai i z. A. Hoti, Dëshmi tjetër për këtë është edhe qasja ambiguitive e z. L. Haziri për këto çështje, si taktizim i ri e cila është praktikë e tij e vjetër politike”, ka thënëA vdullahu për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka përmendur edhe reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe të Bashkimit Evropian rreth heqjes së pjesshme të taksës ndaj Serbisë.

4) “Qeveria Kurti ka vazhduar ta përkeqësoj edhe më shumë raportin me SHBA-t gjë që më së miri kuptohet nga reagimi i menjëhershëm i z. Grenell i cili konstaton se ‘nuk i mbështesim masat gjysmake të Kurtit’ me çrast ka shtur se ‘ai po bënë gabim serioz’.

5) Lidhur me heqjen e pjesshme dhe me afatizim të taksës nga Qeveria Kurti, ndryshe ka reaguar BE-ja dhe ndryshe SHBA-ja. Kjo përveç se do të determinoj përçarje të reja në spektrin politik dhe institucional në Kosovë, edhe do ta trimëroj qasjen e Qeverisë Kurti që të vazhdoj të mos i ketë veprimet e tija qeveritare në koordinancë të plotë me SHBA-t”, ka thënë Avdullahu për “Bota sot”.

Mehazi: Mospajtimet e koalicionit me Albin Kurtin më shumë kanë të bëjnë me kundërshtime

Kurse, profesor Sulejman Mehazi, për gazetën “Bota sot” është shprehur se  vendimi i Kurtit ka hasur në kritika të mëdha si nga opozita, po ashtu edhe nga partneri i koalicionit, LDK-ja.

“Normale se largimi i pjesshëm i taksave serbe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hasur në kritika të mëdha jo vetëm nga opozita, por edhe nga partneri koalicionues LDK-ja.  Pakënaqësia koalicionuese qeverisëse dallon nga ajo e opozitës, nëse partneri koalicionues nuk pajtohet me Kurtin për taksat gjysmake serbe  nuk do të thotë se do shkaktonte krizë koalicionuese e qeverisëse”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Sulejman Mehazi

Profesori ka deklaruar se LDK-ja nuk pajtohet me këtë veprim të Kurtit,  pasi që është kërkesë thelbësore për dialogun nga SHBA-ja.

“LDK-ja e Isa Mustafës ndoshta nuk pajtohet me veprimet gjysmake të taksave, e jo për heqjen e taksave, për shkak se kjo kërkesë është  thelbësore për dialogun me Serbinë edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja. Mospajtimet e koalicionit me Albin Kurtin më shumë kanë të bëjnë me kundërshtime idesh se si më mirë të bëhet e jo më keq për Kosovën, heqja e taksave  të jetë më e suksesshme jo vetëm për Kosovën, por edhe ndërkombetarisht më funksionale e më e dobishme për Republikën e Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se nuk është e logjikshme që heqja e pjesshme ta përçaj koalicionin qeverisës.

“S'është e logjikshme që taksat e kushtëzuara ndaj Serbisë do përçajnë LVV dhe LDK-në, ky koalicion është i besueshëm, nuk është për t'u fjalosur, e patur mosmarrëveshje, por për të çuar përpara proceset politike me Serbinë, duke e fuqizuar Kosovën nëpër instancat më të larta ndërkombëtare. Mosmarrëveshjet e LDK-së me Kurtin më shumë mund të jenë për mënyrën e reciprocitetit sesa ndaj heqjes së taksave serbe”, ka përfunduar Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat