Takimi i “ndaluar”!

Politika

Takimi i “ndaluar”!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 11 mars 2020 Në ora: 08:07
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti, foto arkiv

Ndonëse kryeministri i vendit Albin Kurti, ka thënë disa ditë më herët se duhet të ketë një takim me presidentin Hashim Thaçi për dakordimin në çështjen e jashtme të Kosovës, megjithatë një takim i tillë nuk po realizohet ende.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kjo ndodh kryesisht për shkak të mos pajtueshmërive të tyre politike, si dhe qëndrimeve të kundërta që kanë pasur dhe ende kanë karshi çështjeve që ndërlidhen me politikat e brendshme zhvillimore.

Publicisti Rexhep Elezaj ka thënë për “Bota sot” se i gjithë opinioni e dinë fare mirë, se raportet zyrtare e ndoshta edhe ato personale, midis Hashim Thaçit, dikur si kryeministër dhe tani si president i vendit, dhe Albin Kurtit, dikur si deputet dhe tani si kryeministër i Kosovës, nuk kanë qenë asnjëherë të mira.

Image
Rexhep Elezaj

Vazhdon mospajtimi!

Sipas tij, kjo ndodh kryesisht për shkak të mos pajtueshmërive të tyre politike si dhe qëndrimeve të kundërta që kanë pasur dhe ende kanë karshi çështjeve që ndërlidhen me politikat e brendshme zhvillimore, por edhe me kursin individual të Hashim Thaçit në politikën e jashtme, sidomos në dialogun me Serbinë.

“Kjo mos pajtueshmëri midis tyre, edhe pas zgjedhjes së Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, për fat të keq po vazhdon edhe më tej, që sipas mendimit tim, fajin dhe përgjegjësinë kryesore e ka presidenti Hashim Thaçi, i cili me Kushtetutën e vendit është i obliguar të jetë faktor unifikues midis gjithë spektrit politik dhe shtetëror të vendit, t’i koordinojë veprimet në nivel shtetëror me kryeministrin, posaçërisht në politikën e jashtme, dhe jo ta injorojë dhe mos të koordinohet me kryeministrin, duke vazhduar të dialogojë i vetëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, rreth normalizimit eventual të marrëdhënieve me Serbinë, pa pjesëmarrjen e kryeministrit dhe ekipit negociues të përbashkët. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk ishte i njoftuar paraprakisht nga presidenti Hashim Thaçi, për arritjen e atyre dy marrëveshjeve (Letrave të interesit) që u nënshkruan në Munih për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd si dhe atë për hekurudhat, që u bënë me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të SHBA-ve për bisedime Kosovë-Serbi, ambasadorit Richard Grenell”, ka thënë publicisti Rexhep Elezaj.

Ai konsideron se kryeministri Kurti nuk ishte i ftuar dhe as i njoftuar për vizitën e presidentit Thaçi në SHBA, si dhe për qëllimin e qëndrimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, derisa para shkuarjes së tij në SHBA, Kurti i kishte kërkuar tri herë me shkrim takim për konsultim dhe koordinim të veprimeve kundrejt dialogut me Serbinë, por që presidenti Thaçi nuk i kishte kthyer fare përgjigje.

“Kështu që, në një situatë kur raportet midis krerëve të shtetit nuk janë të mira, dhe kur për çështje kruciale që kanë të bëjnë me shtetin, sovranitetin dhe marrëveshjen me Serbinë, nuk gjendet konsensus politik, kur nuk ka harmonizim të qëndrimeve, kur qeveria dhe kryeministri i vendit nuk e ushtrojnë rolin qeverisës dhe nuk i kryejnë detyrat e parapara me Kushtetutë, kur presidenti i vendit shkon në takime ndërkombëtare pa kryeministrin dhe ekipin e tij negociues, është iluzore të pritet mbajtja e takimit midis tyre”, ka thënë publicist Rexhep Elezaj.

Kurti dy ftesa ia dërgoi Thaçit

Image
Skënder Mulliqi

Kurse Skënder Mulliqi ka thënë se këto të dhëna dhe divergjencat e mëdha politike, apo inatet ndërmjet Kurtit dhe Thaçit, të cilët nuk po takohen që ti bashkërendojnë veprimet rreth politikës së jashtme janë shumë të dëmshme.

“Kurti dy ftesa ja ka bërë deri më tash kryeministri, presidentit Thaçi, që ky i fundit nuk ju kishte përgjigjur, dhe një ftesë kishte ardhur nga Thaçit për liderët partiak përfshirë këtu edhe Kurtin, por që kryeministri kishte shkuar në takimin e Kuvendit. Shkëmbimi i letrave ndërmjet tyre sikur të ishin në dy kontinente, është jashtë domenit të bërit politikë konstruktive dhe shtetërore, kur Kosova është vu para një sprove dhe trysnie të madhe politike nga bashkësia ndërkombëtare që sa më shpejt siç po thuhet të rifillon dialogu. "Marrja vesh me letra" është gjeja më skandaloze për dy institucionet tona të shtetit. Presidenti Thaçi e pat vizituar Uashingtonin, duke e anashkaluar qeverinë e Kosovës. Thaçit sikur Parlamenti dhe Qeveria thjeshtë po i duken më shumë si dekor. Vetëm duke i unifikuar qëndrimet, mund të arrihen objektivat e dëshiruara në bisedimet më Serbinë”, ka thënë analisti politik Mulliqi.

Sipas tij, mbështetësja e një lideri apo tjetri nga ndërmjetësit në bisedimet dypalëshe, është e pa pranueshme, së në pyetje është interesi shtetëror dhe nacional i Kosovës.

“Nëse pala jonë pranon ndonjë solucion të ndarjes së Kosovës mbi baza etnike siç po ka zëra dhe plane të tilla, që pala serbe të ndihet e kënaqur, kjo është non-sens, dhe është e pa pranueshme për shqiptarët në rajon. Nëse dikush po luan më kohën që të përfiton më shumë personalisht nga bisedimet më Serbinë, atëherë edhe pala jonë duhet mos të ngutet fare, se asgjë nuk ndodhë dhe as që bëhet kiameti, nëse puna e normalizimit të marrëdhënieve më Serbinë shtyhet apo vonohet. Populli tek e fundit e ka shprehur vullnetin e tij, duke zgjedhur Kurtin si kryeministër, qe Kosova të mbetët në kufijtë e saj të tanishëm. Është e padrejtë e madhe, jetesa jonë në geto që po e bëjmë, për shkak të arrogancës të Serbisë së pa reformuar. Ky vullnet plebishitarë mendoj unë i popullit të Kosovës duhet të mbështetet edhe nga miqtë tanë evropianë dhe amerikanë siç na mbështeten për pavarësi, nëse vërtetë dëshirohet që të këtë paqe dhe normalizim të marrëdhënieve më Serbinë fqinje, e jo konflikt të përhershëm”, është shprehur analisti politik Skënder Mulliqi.

Burjani: Kjo Qeveri varet nga SHBA-ja

Image
Blerim Burjani

Kurse njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani ka thënë se Albin Kuirti e ka refuzuar heqjen e taksës dhe nuk e sheh të rrugës fare ta takoj Thaçin, përderisa Thaçi nga ana tjetër po përgatit fuqishëm ta rrëzoj këtë qeveri duke shpresuar se LDK do të bindet shumë shpejt.

“E them këtë pasi se ky njeri nuk mund të ec me agjenda të rënda përpara dhe mund të jetë i padëshiruar siç është nga SHBA dhe tjerët. Ideja e Thaçit është që ta rrëzoj këtë qeveri, andaj VV nuk e takon atë, sepse e di se çfarë do të thotë. Thaçi ka pas dëshirë siç duket ti takojë një nga një për t’u folur për rëndësinë e zgjidhjes dhe momentit që gjendet Kosova, ku SHBA-ja kanë marr primatin në zgjidhje. Pra Thaçi nuk e vlerëson zhagitjen e kësaj çështje si të dobishme dhe më kalkulime elektorale, kjo duket kështu e rezonuar, dihet se në fund kjo Qeveri varet nga SHBA-ja sikurse edhe të gjitha qeveritë e më hershme, e mira ishte se PDK-ja dhe LDK-ja kishin përkrahur pa rezervë SHBA, përderisa PDK-ja kishte pas dy strategji të përkrah SHBA-së dhe deri diku BE-ja dhe të pasurohet pa nda në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Burjani.

Sipas tij, e keqja është se nuk ka kush të ndal këtë subjekt me përplot njerëz të fuqishëm në administratë të shtetit, zyrtar as në ndërmarrjet publike e as në shërbim publik civil madje njerëz e tij kontrollojnë mbi 70% të biznesit në Kosovë.

“Albini nuk po di se çfarë është politika e çfarë idealizëm, politika e sotme nuk kërkon idealisht dhe parime por kërkon fleksibilitet dhe vendosmëri për të përkrahur agjenda të shteteve të mëdha. Albini po vjen duke rënë në politik ndërkombëtarë dhe kjo nuk do të ndalet sikur Haradinaj më herët derisa të rrëzohet kjo qeveri. Në këtë mënyrë të sjelljes nuk shkon larg 3-4 muaj dhe mund të rrëzohet kjo qeveri dhe nuk mund fare ta ndihmojë as LDK-ja, sepse në fund të fundit tentativa e tij është të komprometoj PAN dhe LDK dhe të ngritët vet në elektorat”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Burjani.

Mehazi: Sukseset e Kurtit po i pengojnë Thaçit

Image
Sulejman Mehazi

Kurse njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë se ftesat e përditshme të Kryeministri Kurti bërë presidentit Hashim Thaçit për të koordinuar e dakorduar punët për të gjitha problemet e brendshme e të jashtme janë të shurdhër për Thaçin.

“Lind pyetja se si mund të realizonte Kurti takim me Thaçin kur ky i fundit shkon krye më vete e fare s'merr parasysh kërkesat e Kurtit për koordinimin e qeverisë me presidencën për dialog me Serbinë e çështjet të jashtme diplomatike. Por siç duket shihet hapur se çdo sukses i Kurtit i pengon Thaçit”, ka thënë Mehazi.

Sipas tij, për presidentin e Kosovës më i vlefshëm është inati i tij sesa suksesi i Qeverisë së Kurtit, inati e ka kuptimin e krekosjes se është më i forti i shtetit.

“Si duket pengesa kryesore e sukseseve të Kurtit do jetë Hashim Thaçi i cili qeverinë e shtetit të tij e konsideron si armiqësore, bile lirisht mund të themi për Kurtin më i rrezikshëm është vet Presidenti i Kosovës sesa Vuçiqi e Serbia. Pasi Hashim Thaçi është pengesë kryesore e mos koordinimit të politikës shtetërore e politikës së jashtme diplomatike atëherë si e si qeveria e Kosovës duhet të mbledh forca për dorëheqjen e tij”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat