"Akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Kurti, të pabaza dhe qëllimkëqija”

Politika

"Akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Kurti, të pabaza dhe qëllimkëqija”

Nga: D.B. Më: 11 mars 2020 Në ora: 20:00
Albin Kurti

Analisti politik Ejup Berisha i ka quajtur të pabaza dhe tendencioze akuzat që po i bëhen Kryeministrit Albin Kurtit, në vazhdimësi.

Ai ka thënë për “Bota sot” se akuza banale se Kurti me refuzimin që ta heq taksën në tërësi ndaj mallrave që do të hynin në Republikën e Kosovës nga Serbia, po i rrezikon dukshëm marrëdhëniet deri tani tradicionalisht të mira me Serbinë, është e pa bazë.

“Mendoj se ky është zbulim i shekullit nga ana e kundërshtarëve të Qeverisjes së tanishme apo nga përfaqësuesit e opozitës së tanishme në skenën politike të Kosovës. Këta të fundit shfrytëzoj rastin ti pyes po kush e vendosi taksën ju apo Albin Kurti? Qeveria e tanishme apo Qeveria e mëparshme. Pra i gjithë opinioni i gjerë në Republikën e Kosovës e di se autor i vendosjes së taksës ndaj mallrave që duhet të hyjnë nga Serbia në Kosovë, është Qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Ish- Kryeministri Ramush Haradinaj vendim i përkrahur edhe nga Partitë e koalicionit të atëhershëm Qeveritar PDK dhe Nisma”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai konsideron se nëse autor të vendosjes së taksës janë këto subjekte politike atëherë cili është mëkati i Qeverisë aktuale të përbërë nga Koalicioni LVV dhe LDK.

Image
Ejup Berisha

“Nuk kanë mëkat këto subjekte për vendosjen e taksës por ish subjektet politike të ish koalicionit bashkëqeverisjes PDK-AAK dhe Nisma të cilat në mënyrë cinike tani e akuzojnë kryeministrin e tanishëm Albin Kurti se me refuzimin e tij që ta heq tërësisht taksën ndaj mallrave të Serbisë po i rrezikoja seriozisht marrëdhëniet me SHBA-të. Sigurisht duke u bazuar në një porosi në Tuiter të publikuar nga i biri i Presidentit të SHBA-ve Donald Trump i cili ka shprehur mendimin se ka ardhur koha që SHBA-të ti tërheqin forcat e saja ushtarake të stacionuara në Kosovë që nga viti 1999. Po lind pyetja se kush është i biri i Presidentit Donald Trump të vendos se athua vallë forcat ushtarake amerikane do të tërhiqen apo do të mbeten në Kosovë. Në të vërtetë askush sepse SHBA-të janë shtet me sistem Presidencial të qeverisjes e nuk janë mbretëri absolute ku të drejtë vendim-marrjeje do të mund të kishte edhe i biri i Presidentit te Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse Babai i tij Presidenti Donald Trump ka shumë kompetenca kushtetuese si bartës i dy posteve shumë të rëndësishme ekzekutive të Presidentit si dhe njëkohësisht edhe të Kryeministrit por i biri i Presidentit Trump në rastin konkret është si çdo qytetar i SHBA-ve i cili mund të shpreh dëshira personale por fjala dhe mendimi i tij nuk ka kurrfarë peshe kushtetuese juridike apo dhe administrative”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha. Sipas tij, tani mbetet të merret sqarimi se përse para dy vitesh u vendos taksa nga ana e ish autoriteteve Qeveritare të Kosovës. “E them këtë pasi Ramush Haradinaj qytetarëve të Kosovës, duhet tua jep sqarimin meritor se pse e vendosi taksën athua vallë për ti mbrojtur interesat shtetërore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, athua për ta futur në siklet të madh Qeverinë aktuale dhe shefin e saj Albin Kurti apo taksa u vendos me qëllimin kryesor që të prishen marrëdhëniet tradicionalisht të shkëlqyeshme Kosovës-SHBA si duket vendosja e taksës u bë për dy qëllimet e fundit për ta vënë në kurthe dhe në siklet Qeverinë e tanishme dhe për ti prishur marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të e jo për ti mbrojtur interesat shtetërore të Kosovës dhe të qytetarëve të saj kundrejt Serbisë”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Ai tutje ka shtuar se assesi nuk qëndrojnë akuzat e opozitës aktuale në Kosovë se Albin Kurti po i rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të.

“Ndërsa sa i përket çështjes se athua amerikanët do të ikin apo do të mbeten në Kosovë ushtarakisht kjo është çështje e administratës amerikane e jo e ndonjë veprimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës ata nëse vendosin ta braktisin Kosovën është shumë e dhimbshme për ne po ata nëse vendosin ta bëjnë këtë ne nuk mund ti ndalim ta marrin këtë vendim. Ata edhe nuk do ta bëjnë një gjë të tillë meqë kanë investuar shumë në çështjen e shtetësisë së Kosovës. Prandaj konsideroj se akuzat e opozitës së tanishme të Kosovës ndaj qeverisë aktuale nuk qëndrojnë nuk kanë bazë dhe janë tendencioze dhe qëllimkëqija. Më shumë do të thoja se janë dëshira të opozitës sesa të ngjarjeve reale në relacionin Uashington Prishtinë. SHBA-të në rrethanat aktuale kanë më shumë interes ti mbajnë raportet e mira me Kosovën sesa ti prishin ato në këtë kontekst duke e shtuar prezencën ushtarake amerikane në Kosovë sesa ta zvogëlojnë apo dhe ta tërheqin ushtrinë nga Republika e Kosovës”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat