Aftësia për të thënë PO dhe JO kërkon dinjitet dhe profesionalizëm!

Politika

Aftësia për të thënë PO dhe JO kërkon dinjitet dhe profesionalizëm!

Prof. dr. Enver Bytyçi Nga Prof. dr. Enver Bytyçi Më 12 mars 2020 Në ora: 18:26
Ilustrim

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, në një deklarim të tijin të së shtunës thoshte se “Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe, madje edhe nëse ajo mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kjo këshillë e Serwer është njëkohësisht vërejtje për lidershipin e Kosovës se ata nuk dinë ose nuk duan të thonë JO kur duhet thënë JO dhe nuk dinë të thonë PO atëherë kur duhet të thuhet PO.

Dy pjesëzat pohuese dhe mohuese të shqipes shprehen me dy fjalë njërrokëshe: PO dhe JO! Por në jetë ndeshim dhe me njerëz, të cilët përdorin hibridizimin e këtyre dy fjalëve të shndërruara në PJO! Që do të thotë edhe PO, edhe JO, ose as PO, as JO! PJO është karakteristikë shprehëse e njerëzve të paditur, të pavendosur, të cilët rendin pas interesit dhe kanë si cilësi përshtatjen, njësoj siç bëjnë bimët, kafshët, dhe njerëzit në nevojë. Fatkeqësisht bie më shumë në sy PJO-ja e atyre që kanë më shumë pushtet dhe pasuri!

Ndërkohë shoqëria njerëzore njeh dhe tipa të nënshtruar, të cilët nuk dinë të thonë JO e tipa të tjerë egoistë, të cilët nuk e thonë kurrë PO-në. E në fakt në kohët e sotme ka shumë raste kur liderët politikë në Shqipëri e në Kosovë thonë PO kur duhet thënë JO dhe thonë JO kur duhet thënë PO! Gjithnjë sipas interesit personal të pushtetit, por jo edhe sipas kuvendit, sipas së drejtës, sipas logjikës dhe racionalitetit!

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, në një deklarim të tijin të së shtunës thoshte se “Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe, madje edhe nëse ajo mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Kjo këshillë e Serwer është njëkohësisht vërejtje për lidershipin e Kosovës se ata nuk dinë ose nuk duan të thonë JO kur duhet thënë JO dhe nuk dinë të thonë PO atëherë kur duhet të thuhet PO.

Po a mund t’u thuhet JO Shteteve të Bashkuara të Amerikës?! Në princip Amerikës nuk i thuhet JO, për shkak të kontributeve të saj për shtetësinë e Kosovës. E vërteta është se SHBA-të dhe forca e NATO-s e çliruan Kosovën nga pushtimi dhe sundimi serb. Por nëse nuk do të ishin viktimat e shqiptarëve prej së paku 13 mijë sosh, nëse nuk do të kishte terror, dhunë, djegie, shkatërrime, vrasje e masakra, dëbime masive, përdhunime nga ana e serbëve dhe e shtetit të Serbisë, nuk do të kishte as ndërhyrje amerikane për çlirimin e Kosovës.

Megjithatë duhet ditur për çfarë thuhet JO e për çfarë thuhet PO! Njëkohësisht duhet ditur edhe si të thuhet PO e si të thuhet JO! Waren Zimmerman, ish ambasador i SHBA-ve në Beograd, ka shkruar një libër me titull “Burimet e një katastrofe” dhe përshkruan një rast kur ai kishte intervenuar te Ibrahim Rugova me qëllim që ta bindë liderin historik të Kosovës për pjesëmarrje të shqiptarëve të Kosovës në votimet e përgjithshme për presidentin dhe parlamentin e Serbisë. “Nëse marrin pjesë shqiptarët, i thoshte Zimmerman Rugovës, me votat e shqiptarëve rrëzohet Milosheviçi”. Por Presidenti i Kosovës i përgjigjej prerë: “Unë jap dorëheqjen dhe nuk u them shqiptarëve që të marrin pjesë në zgjedhje të një shteti, (Serbisë) të cilin ne e refuzojmë”. Ambasadori amerikan u tërhoq. Ndërkaq miqësia midis palëve mbeti. Sepse ajo ishte miqësi e sinqertë, e pastër, pa agjenda! Ashtu siç sot përligjet një marrëveshje e keqe me Serbinë, edhe atëherë kishte mundësi që Rugovës t’i thuhej se “Ti nuk do që të rrëzohet Milosheviçi”! Por ndërsa atëherë Rugova kishte bërë me dije gjithë botën se problemi i Kosovës nuk ishte Milosheviçi, por Serbia, Hashim Thaçi, p.sh sot, lobon në SHBA e gjetkë të thotë se problemi nuk është Serbia, por Albin Kurti e Ramush Haradinaj!

Ramush Haradinaj ndoshta është lideri që e ka artikuluar JO-në më shumë se kushdo tjetër në Kosovë. Edhe ndaj amerikanëve. Aq sa e izoluan, madje nuk i dhanë vizë për vizitë në SHBA. Por ai u tregua i durueshëm, nuk hoqi dorë nga argumenti pse u detyrua ta vendosë taksën, derisa arriti të rikthejë mirësjelljen dhe respektin e Amerikës zyrtare! Ndërsa Hashim Thaçi nuk u ndal së thëni vetëm “PO”, madje pa e kërkuar askush në Shtëpinë e Bardhë e sidomos në Departamentin e Shtetit Amerikan. Për pasojë u mbështet, sidomos nga grupimi amerikan më afër Serbisë për shkak të riformulimit të strategjisë së aleancave në kontinentin evropian.

Nuk është se Hashim Thaçi nuk thotë JO. Me vartësit, me kundërshtarët brenda vendit të tij ai është mohuesi dhe refuzuesi më i madh i politikës në Kosovës. Ndërsa me Serbinë dhe për interesat e saj është më i angazhuari ndër të gjithë shqiptarët. Kjo është arsyeja pse ai e ka heq përdorimin e pjesëzës JO edhe kur bëhet fjalë për tjetërsimin e territoreve të vendit, edhe nëse do të ketë një marrëveshje të keqe për Kosovën.

Si përfundim, pjesëza morfologjike JO është mohim, refuzim, ndërsa PO-ja është pohim, miratim, pranim. Është e drejtë e secilit të refuzojë diçka që nuk plotëson interesat e tij personale, familjare apo në rastin e Kosovës, interesat e shtetit dhe të shoqërisë kosovare. Është e drejtë e secilit të pranojë diçka që shkon në dobi të personit, familjes ose shtetit të tij. Por është detyrë e shtetarëve të refuzojnë atë që është e dëmshme për shtetin, të cilin ata e udhëheqin. Fatkeqësisht në Shqipëri dhe në Kosovë jo rrallë liderët politikë në emër të “miqësisë” me Amerikën lobojnë për realizimin e interesave serbe në Kosovë. Rasti i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në marrëdhëniet e ngushta me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, është ndoshta më tipiku, më i dizajnuari si rast unik kur liderët politikë të zgjedhur nga shqiptarët punojnë për interesat e një shteti tjetër armiqësor, Serbisë, thjesht se duan të realizojnë agjendat e tyre personale. Ndaj këta të dy kanë guximin t’i thonë JO çdo shqiptari kritikë të tyre dhe t’i thonë PO Beogradit për çdo iniciativë dhe interes që Serbia dëshiron ta implementojë në Kosovë e në rajon.

Megjithatë, ata që artikulojnë JO-në, si Kurti e të tjerë, duhet të bëhen më aktivë, të jenë të gatshëm të ballafaqohen me argumente edhe me amerikanët, për të shpjeguar pse JO-ja e tij është një refuzim i ligjshëm, i drejtë dhe logjik në bisedimet me Beogradin. Loja me PO-në dhe JO-në në rastin e Kosovës dhe bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të dalin jashtë këtij arsyetimi. Kësisoj miqësitë, në rastin konkret miqësia me SHBA-të, bëhen më të qëndrueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat