Koalicioni ende pa qëndrim unik, të dielën vendoset për fatin e taksës

Politika

Koalicioni ende pa qëndrim unik, të dielën vendoset për fatin e taksës

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 14 mars 2020 Në ora: 08:32
Qeveria e Kosoves

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti ende nuk janë të vendosur nëse do të heqin tërësisht taksen e vendosur ndaj Serbisë apo vetëm pjesërisht.

Se fundmi Kurtit i ka ardhur një kërkesë e re për heqjen e taksës, ani pse qeveria ende nuk janë një zëri për veprimet lidhur me këtë çështje.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëkohësisht zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell Fontelles.

Në letrën e tij, Josep Borrell Fontelles është shprehur i kënaqur ndaj kryeministrit Kurti që marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë të tijën kryesore, duke shtuar po ashtu se ka mirëpritur njoftimin e kryeministrit javën e kaluar për tarifat, që siç shkruan ai, paraqet hap të parë të mirë në drejtim të duhur.

Po ashtu në letrën e Borrell thuhet se Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare besojnë fuqishëm se rifillimi i bisedimeve të dialogut është i domosdoshëm dhe urgjent dhe do të kërkojë heqjen e plotë të tarifave.

Duhet theksuar se ky qëndrim i Borell është i ndryshëm nga ai i para disa ditësh, ku përshëndeti idenë e Kurtit për heqjen e pjesërishme të taksës, gjë të cilën po ia kërkon Amerika me ngulm.

Në lidhje më këtë, gazeta “Bota sot”, ka komunikuar me këshilltarët e kryeministrit Albin Kurti, por ata nuk kanë dashur të komentojnë, duke thënë se Qeveria e Kosovës ende nuk ka dalë me një qëndrim të prerë dhe se një vendim për taksen e jep vetëm kryeministri Albin Kurti.

LVV-LDK me qëndrime të ndryshme për taksën

Të premtën gjatë ditës, Kryeministri Albin Kurti, ka folur për çështjen e tarifës dhe dallimet që kanë për këtë temë partnerët e koalicionit.

Kurti tha se ka takime të rregullta me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës derisa ka bërë të ditur se për këtë temë vazhdojnë që të mbajnë qëndrime të ndryshme.

“Po ne kemi takime të rregullta si kryetar të subjekteve të koalicionit dhe natyrisht që synimet dhe qëllimet i kemi të përbashkëta, jemi bashkë në qeveri. Si puna e çështjes së tarifës, ne vazhdojmë të besojmë që kur ta kemi një dakordim për një qasje sa i përket tarifës, atëherë edhe do të mund ta bënim vendim të qeverisë, në mënyrë që ashtu si preferojmë ne të mos jetë një vendim pa shumicë. Nuk mund të ju them diçka të re për këtë çështje, pasi që nuk ka diçka të re”, tha kryeministri.

I pari i qeverisë tha se derisa të ketë një qëndrim unanim në mes të LV-së dhe LDK-së, do të mbetet në fuqi taksa 100 për qind.

“Në anën tjetër, dua të konfirmoj atë që thatë ju se në mungesë të një vendimi të qeverisë që do të vinte nga propozimi i qëndrimit para jush, gjithçka vazhdon si ka qenë deri më tani, pra ngelet taksa 100 për qind, besoj që më së miri do të ishte ta kishim zbutur këtë situatë, për të hequr tarifën 100 për qind, që ju nevojitet prodhuesve tanë”, shtoi ai.

Vata: Asnjë herë Kosova nuk ka qenë më zgrip me politikën amerikane dhe evropiane

Analisti politik Ilir Vata, në një prononcim për “Bota Sot” ka thënë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në iniciativën e tij për të hequr taksën 100% të mallrave ndaj Serbisë veproi me disa skenare, e para duke e hequr atë në mënyrë të pjesshme me pretendimin për të vendosur kushte ndaj Serbisë dhe e dyta si një mënyrë për të testuar politikën vendase dhe të huaj.

Image
Ilir Vata

Sipas tij, vonesa e Kurtit për të hequr taksën ndaj Serbisë po vë në lëkundje të marrëdhënieve me SHBA

“Madje Kosova është një vend i perëndimorë si trojet shqiptare dhe nëse vazhdon në të tijën duke akuzuar politikan për tradhti me Serbinë, do largohet shpejt nga detyra e kryeministrit, sepse shqiptarët duan një lider me vizion dhe jo një lider që më shumë bënë politikë me palët se politikë për shqiptarët. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell Fontelles në letrën e dërguar Kurtit ka kërkuar heqjen e taksës dhe kjo tregon se BE është shumë e shqetësuar për politikën frenuese të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Asnjë herë Kosova nuk ka qenë më zgrip me politikën amerikane dhe eropian, jo se Kurti do të ndryshojë kursin strategjik, por do jetë një plan prishës i vogël për momentin deri sa shqiptarët të kuptojnë se loja antishqiptare duhet të marrë fund. Nuk dihet se kush është tradhtari i Kosovës, por ata që prishin marrëdhëniet e Kosovës me SHBA/BE nuk janë tradhtarë, por armiq të shqiptarëve ashtu siç ishte dje Sllobodan Millosheviq” ka thënë Vata.

Duhanaj: Nuk ka me asnjë gjasë që tarifat apo taksa të mbijetojë

Edhe njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj, ka thënë se çështja e tarifave 100% mbi mallrat serbe e boshnjake, ashtu siç rëndom politizohen gjërat është politizuar tejmase.

Image
Leon Duhanaj

“Qeveria Kurti përkatësisht Kryeministri, po mundohet të bëj shpagatë krejtësisht për interesa elektorale. Nga njëra anë ka premtuar heqjen e tarifave dhe ka presion ta bëj sa me parë, përderisa nga ana tjetër, kalkulon me kartën e populizmit, kin se po e heqë gradualisht për ta zëvendësuar me reciprocitet. E para, tarifat nuk ka qare pa i hequr, kjo është me së e çartë, ose shkon nga pushteti. Sepse fuqia e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare është baras me zero. Në këtë kontekst, nuk e kemi jo luksin por as me guxu me u konfrontuar me miqtë tanë amerikan e evropian. Tani që kërkesa vjen edhe nga z. Borel, përfaqësues i politikës së jashtme të BE-së, nuk ka me asnjë gjasë që tarifat apo taksa të mbijetojë” ka thënë ai.

Sipas Duhanaj, edhe ashtu është krejtësisht çështje e një vendimi. Ne duhet të jemi unik në interesat e Kosovës dhe, nëse Serbia vazhdon sabotimin e shtetësisë së Kosovës, tarifat mund dhe duhet t'i kthehen menjëherë.

“Pra krejt kjo garë pro dhe kundër heqjes së taksës, është pasqyrë e ndasive politike në skenën politike kosovare dhe mungesës së unitetit politik rreth një vizionit të çartë për të ardhmen”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, javë më parë Kryeministri Albin Kurti ka thënë se hapin e parë për heqjen e pjesërishme të taksës do ta bëj më datën 15 mars, pra këtë të diel.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat