Voca: Shumica e diplomatëve të Kosovës kanë njohuri minimale nga fusha e diplomacisë

Politika

Voca: Shumica e diplomatëve të Kosovës kanë njohuri minimale nga fusha e diplomacisë

Nga: A.M. Më: 14 mars 2020 Në ora: 13:53
Mirsad Voca

Njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Mirsad Voca, ka thënë për gazetën “Bota sot” se ambasadorët të cilët e kanë përfunduar mandatin e tyre duhet të kthehen, pasi që ka nga ata të cilët i kanë bërë pothuajse dy mandate.

“Ambasadorët e emëruar politikisht që kanë kryer një mandat duhet natyrisht të kthehen sidomos disa prej tyre që kanë bërë pothuaj dy mandate e të cilët deklarohen në formë jokorrekte diplomatike sikur u është bërë ndonjë padrejtësi kur u kërkohet tërheqja. Ambasadorë të tillë kanë bërë fare pak apo asgjë ani pse ndonjëherë shfaqeshin verbalisht atraktiv mirëpo të qenurit vetëm atraktiv nuk e bën një ambasador diplomat”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai theksuar se shumica e diplomatëve të Kosovës kanë njohuri minimale nga fusha e diplomacisë

“Aq më tepër kur shumica e këtyre ambasadorëve si dhe diplomatëve tjerë, nuk është e karrierës, ka fare pak njohuri për profesionin e diplomatit, ka kulturë gjeneralë mediokre si dhe ka qenë punësuar e nominuar në forma nepotizmi nga grupe interesi dhe « shkel e shko ». Nuk besoj se ndonjëri prej tyre ka specializuar në diplomaci ani pse ka ndonjë njohuri në zanatin e diplomatit. Shumica e diplomatëve të Kosovës kanë njohuri minimale nga fusha e diplomacisë e disa prej tyre edhe janë përpjekur të arnohen duke filluar të lexojnë ndonjë libër ikonë nga marrëdhëniet ndërkombëtare duke pretenduar më pastaj se zotërojnë profesionin e diplomatit”, ka deklaruar Voca për “Bota sot”.

Voca ka këshilluar që ministri Konjufca të ri-organizoj këtë shërbim në forma tjera përmes vlerësimit të punës së diplomatit dhe të angazhoj figura të specializuara nga fusha e diplomacisë

“Ministri i punëve të jashtme Z. Konjufca, jo vetëm që duhet të tërheq diplomatët të tillë nga shërbimi diplomatik por të ri-organizoj këtë shërbim në forma tjera përmes vlerësimit të punës së diplomatit dhe të angazhoj figura të specializuara nga fusha e diplomacisë. Për më tepër, duhet të krijoj parime tjera dhe të filloj të formoj diplomatë të rinj dhe të karrierës sepse vetëm në këtë formë mund të krijojmë një kulturë të sistemuar diplomatike”, ka potencuar Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat