Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar ditë më parë raportin për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2019. E në këtë raporti thuhet se qeveria nuk arriti të zbatojë në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarët e korruptuar. “Zyrtarët nganjëherë përfshihen në praktika korruptive dhe mbesin të pandëshkuar.
Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive gjyqësore dhe sundimin e ligjit në përgjithësi i dobët, kontribuuan në këtë problem”, thuhet në raport. Por nga ana tjetër në pjesën për Kosovën, ky raport nxjerr si çështje kryesore: kufizimet të tepruara ndaj mediave, përfshirë dhunën ose kërcënimet ndaj gazetarëve; korrupsioni i qeverisë dhe mosndëshkimi i tij; si dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.
Njohësi i çështjeve politike Xhevat Meha, duke folur rreth kësaj çështje ka thënë për gazetën “Bota sot” se raportimet nga DASH dhe institucionet e ngjashme ndërkombëtare ka shume vite qe paraqesin afërsisht gjendjen e njëjtë, ku në nivel tepër të lartë është krimi i organizuar dhe korrupsion.
Sipas tij, kur kemi nivel kaq të lart të krimit të organizuar dhe korrupsionit për kohë pothuajse 15 vjeçare është një dëshmi se niveli është ekstrem i lart.
“Niveli ekstrem i lart i krimit te organizuar dhe korrupsionit sigurisht se në vete mbartë vështirësitë e luftimit. Vështirësia e luftimit vjen se krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk janë zhvilluar rastësisht dhe në mënyrë stihike. Krimi i organizuar dhe korrupsioni janë zhvilluar dhe ndërtuar nga struktura të mirë organizuara shtetërore të shtetit të Serbisë, kuptohet me ndihmën e marrë nga Rusia, e qe janë zbatuar përmes rrjetit të strukturave të fshehta serbe në Kosovë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Xhevat Meha.
Ai ka theksuar se fakti se krimi i organizuar dhe korrupsioni në Kosovë janë ndërtuar në mënyrë të organizuar, e bënë që edhe luftimi duhet të zhvillohet në mënyrë të organizuar. “Fakti se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë ndërtuar pas një studimi të thellë e të gjerë nga institucionet më të fuqishme nga Beogradi përfshirë të majtën e Tiranës e deri në Moskë duke përdorur dijeni më të fundit të laboratorëve më të mira e bënë luftimin edhe më të vështirë. Fakti se laboratorët e Beogradit dhe Moskës dhe veprimtaria e strukturave të fshehta serbe e ruse janë duke punuar në Kosovë për një periudhë 150 vjeçare, e bënë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit ekstrem të vështirë”, ka thënë Meha.
Sipas tij, qeveria e tanishme ka marrë besimin e qytetarëve për të luftuar këtë dhe kanë shumicën e qytetarëve në anën e tyre.
“Luftimi duhet të jetë i studiuar dhe organizuar duke marrë për bazë nivelin dhe vështirësitë që u elaboruan. Ashtu si është larguar administrata dhe forcat e sigurisë së Serbisë nga Kosova, ashtu edhe do të eliminohet kontrolli i Serbisë mbi Kosovën, përmes strukturave të fshehta, ashtu edhe do të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Xhevat Meha.