Kushtet e LDK-së dhe reflektimi pa alternativë i Albin Kurtit

Politika

Kushtet e LDK-së dhe reflektimi pa alternativë i Albin Kurtit

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 22 mars 2020 Në ora: 13:50
Albin Kurti

Albin Kurti është rishtar në qeveri, por jo edhe i ri në moshë. Guidë ideologjike e tij kanë qenë dhe mbetën dy heronj në sakrificë, por, profanë në politikë: Demaçi dhe Hoti. I pari, kundërshtoi Marrëveshjen e Rambujesë, bashkë Hashimin. Dhe, të pranishmit, në atë Kështjellë, thonë se po të dëgjoheshin ata, lamtumirë Kosovë qysh në vitin 1999! I dyli, edhe pse Shqipëria  ishte përkallur, përfshi edhe shkollat dhe bibliotekat, nga bandat e kuqe dhe hiri ishte shtresuar "deri në gju". Ndëkohë, kjo nuk e pengonte Hotin, për t`i uruar për marrjen e pushtit, me dhunë e gjak, social-komunistët e Shqipërisë londineze. 

Megjithatë, në një intervistë të bërë më 1991 me bacë Adem Demaçin, më tha: "Vetëm të vdekurit dhe budallenjtë nuk ndryshojnë". Të paktën, këtë porosi të artë, duhet ta lëndëzojë Albin kryeministri. E besueshme që ju u dakorduat me LDK-në ta zëvendësoni taksën me reciprocitetin. Ndërkohë, tani, SHBA ngulmon heqjen pa kushtëzim. Ndoshta janë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike, për këtë nguti të çliruesit, pavarësuesit dhe krijuesit të shtetit  të Kosovës. Atëherë, pse të fajësohet LDK-ja për "mos mbajtje të fjalës?!"

Përgjatë bisedimeve për ndarjen e posteve dhe emërimin e ministrave, apelova tek koalicioni VV-LDK, që përzgjedhja e ministrave të bëhet në koordinim dhe pajtueshmëri të plotë të subjekteve në koalicion. Sepse nga përformanca e ministrave, varet suksesi ose mossuksesi i qeverisë. Përndryshe do të kemi një dështim total, si qeveria PAN-iste, e kryesuare nga Haradinaj.

Lexo edhe: Mocioni - dilemë e deputetëve të LDK-së

VV huazoi dy ministra profesional, edhe pse deri atëherë nuk ishin pjesë e partisë. Dhe, mirë bëri. Ndërsa LDK-ja disa emërime i bëri, thjeshtë, partiake, duke mos qenë adekuat për resorin ministror përkatës! Këtë praktikë e ka përsëritur nga koalicioni me PDK-në. Realisht, një polic i përkushtuar në profesionin e tij, që ka mbaruar, qoftë vetëm Shkollën e mesme klasike të Policisë, në Vushtëri, me një përvojë tej 70-vjeçare, është shumë më kompetent, më i aftë se cilido fakultetli i një degëzimi tjetër profeskional. Dhe, LDK-ja ka shumë qindra sish, madje me akademi Policore, plus Fakultetin e Jurispudencës.

Emërimi i një ministri konfliktuoz, i cili kundërshtoi hapur koalicioni me VV, duke preferuar PDK-në, edhe pse ajo akuzohet për përgjakjen e LDK-së dhe më shumë, penalizon kryetarin Isa Mustafa dhe klanin e tij. Dy nënkryetarët e LDK-së, munguan qëllimshëm dhe e dështuan një mbledhje të LDK-së, ku do të zgjidhej Kryesia e ngushtë dhe kandidati/ja për kryeminstër/e. Ishte një shantazh i vrazhdët, që spostoi LDK-në në vend të dytë, sepse elektorati e lexoi këtë si vijim i sundimit klanor në parti dhe thirrja për ndryshim, ishte mashtrim. LDK-ja humbi shansin e madh, për t`u bërë kryezonjë, përshkak të etjes karrieriste!

Kushtet e LDK-së dhe reflektimi pa alternativë i Albin Kurtit

LDK-ja duhet t`i reduktojë kushtet nga 3 në 1 për VV. Mjafton heqja e taksës pa kushtëzim, që është edhe kusht i Amerikës dhe BE-së. Albini duhet të reflektojë, duke mos përsëritur, jo gabime, por, faje, siç ishte emërimi i Kryetarit të Kuvendit dhe, tani, i Ministrit të Brendshëm, pa përfillur marrëveshjet me partnerin në koalicion. Albini duhet ta harrojë sjelljen mujëshore në politikë. Tutorin e tij, Demaçin, asnjë negociator nuk e ka qasur përsëdyti. Refuzimet neveritëse, janë fikësuar në botimet memoriale të personaliteteve ndërkombëtare të kohës.

LDK-ja, përkatësisht, kryetari i saj me rrethin e tij vicioz, nuk ka të drejtë morale të kërkojë kërkim-falje nga dikush tjetër, kur ai me shokë nuk e kanë bërë këtë, të paktën, në tri raste: 

1) Kur e kanë tërhequr zvarrë Donikë Gërvallën, veprimtarën më të madhe në të gjithë Mërgatën shqiptare, para dhe gjatë luftës së Kosovës, njëherësh, vajza e zgjuar dhe krenare e Heroit Jusuf Gërvalla, nënë e tre fëmijëve studentë; 

2) Kur ua mbylli derën e Kuvendit të 8-të "Zgjedhor", delegatëve të ligjshëm të Degës të LDK-së në Gjermani, 6 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë, të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë gjatë dhe pas luftës, të cilësuara si vrasje politike. Qëllimi ishte sa i qartë, aq edhe i ulët, ngaqë ata nuk pranonin Kuvendin farsë e maskaradë, me "zgjedhje" aklamative;

3) Kur iu mohua fjala, në Kuvendin e 9-të "Zgjedhor të LDK-së", delegatës Melihate Trmëkollit, vajza që, para 31 vitësh, përkrah heroit Ukë Bytyçit, kundërshtoi, trimërisht, suprimimin e Autonomisë të Kosovës nga Serbia pushtuese!

Përmenda vetëm tri rastet e jetuara, si delegat i Kuvendeve në fjalë.

Për fund, çdo zgjidhje tjetër, është më e pranueshme se Mocioni. Eksponenti i LPK-së, SHIK-ut dhe PDK-së, Xhavit Haliti, e tha një të vërtetë, e cila, si duket i kushtoi: "SHIK-u është i pranishëm në të gjitha partitë politike të Kosovës". LDK-ja duhet ta marrë seriozisht këtë fakt. Dhe, këtë prani mos e kërkoni ke brezi i ri. LDK-ja duhet ta konsiderojë si bjerra-kohë sundimin klanor. Fryma rugoviane, lëndëzimi i vizionit të Presidentit Rugova, bëhet duke braktisur dhe harruar, si një ëndërr të keqe, metodën bolshevike të veprimtarisë partiake, duke u njëtësuar me partitë-banda të PAN-it.

Kufizimi i mandatit partiak, në bazë dhe qendër, kompetencat e reduktuara të kryetarit dhe drejtimi kolegjial, begatojnë në ide dhe numër LDK-në. Debati i shpenguar e demokratik, si në epokën rugoviane; konkurrenca e ndërshme, me bazë meritokracinë, vota e fshehtë dhe demokratike. Vetëm kjo formë e veprimit, pamundëson klanin vicioz, i cili përbën rrezik të përhershëm të përçarjes, deri në ndarje të partisë. Përndryshe, ajo bluarja, që përmendi i pari, Luta jonë i nderuar, edhe mund të ndodhë. LDK-ja, pa ndryshuar vetën, nuk mund të ndryshojë askënd dhe asgjë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat