Vjen paralajmërimi: Pasojat nga mocioni për rrëzimin e Kurtit mund të jenë të rrezikshme!

Politika

Vjen paralajmërimi: Pasojat nga mocioni për rrëzimin e Kurtit mund të jenë të rrezikshme!

Nga: N. H Më: 23 mars 2020 Në ora: 21:30
Foto ilustrim “Bota sot”

Kryesia e Kuvendit pritet të mblidhet të martën kur edhe do të ketë para vetes mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës të nënshkruar nga 44 deputetë për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Mospajtimet në mes Vetëvendosjes dhe LDK-së u shpërfaqën edhe në lidhje me shfuqizimin e tarifës ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, masë kjo e vendosur nga qeveria e kaluar dhe që ishte bërë pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, dhe shkarkimi i Agim Veliut, nga pozita e ministrit të Brendshëm.

Profesori i së drejtës Kushtetuese, Riza Smaka në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kryeministri Kurti me Veliun, ka vepruar konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas Smakës, është kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ai i cili ka vepruar jashtë taktit politik kur e procedoi mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Image
Riza Smaka

“Kryeministri Kurti kur e pat shkarkuar ministrin Veliun, ka vepruar konform Kushtetutës. Ndaj reagimi i Isa Mustafës i mbështetur nga mbështetës të LDK-së, është i ngutur dhe ka vepruar jashtë taktit politik kur e procedoi mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Veçanërisht, në kompleksin e kontekstin e rrethanave socio-ekonomike e politike të trazuara e turbulente. Mocioni në fjalë është vaj në zjarrin që mund të kaplojë në çdo çast për shkaqe kritike të brendshme, por edhe të jashtme”, është shprehur Smaka.

Tutje, ai thekson se tanimë kur qytetarët tonë të ngujuar nga bllokada për lëvizje jashtë vendit dhe të ngujuar brenda nga droja e infektimit, mocioni veçse do t’i katalizojë streset edhe më shumë për eksplodim. “Qytetarët në përgjithësi janë të zhgënjyer, të dëshpëruar dhe të pa shpresë e plotë indinjatë adresuar pasurimeve ilegale të jo pak funksionarëve politike e shtetëror, papunësisë, shpresave të dështuara, standardit jetësor të ultë të shumicës së tyre në një anë dhe jetës super-luksoze të pasanikeve nga lufta e paslufta. Tanimë kur qytetarët tonë të ngujuar nga bllokada për lëvizje jashtë vendit dhe të ngujuar brenda nga droja e infektimit mortal nga gjendja e pandemisë, ndër tjera do t’i katalizojë streset, anksiozitetet, animozitetet e gatshme për eksplodim”, ka përfunduar profesori i së drejtës Kushtetuese, Riza Smaka, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se kriza qeveritare, po vije për shkak të mospajtimeve ndërmjet dy partive të koalicionit, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike po vjen në kohën kur e gjithë bota, përfshirë edhe Kosova, po ballafaqohet me luftën kundër koronavirusit të ri. Gjendja është treguar alarmante, andaj edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur gjendje pandemie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat