Rrëfimi i padëgjuar i komandant Cobrës për luftimet në Betejën e Koshares

Politika

Rrëfimi i padëgjuar i komandant Cobrës për luftimet në Betejën e Koshares

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 mars 2020 Në ora: 11:36
Naser Vllasi - Cobra, Fadil Maloku - Mortaja

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naser Vllasi – Cobra, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Bota sot” i cili do të publikohen në disa vazhdime, na tregon gjithçka për luftën heroike të ushtarëve tanë të UÇK-së, sidomos në betejën e Koshares.

Vllasi, rrëfimin e tij e nis për datën 11 prill të vitit 1999 ku u zhvilluan luftimet në Rrasë të Koshares, aty ku ranë tre dëshmorë për të mos vdekur kurrë.

"Unë dhe Xajë Çela – Kosova mëngjesin e 11 prillit 1999 me  Agim Ramadanin - Shefin e GO-3-shit u takuam në Kazermën e Koshares, ku biseduam rreth veprimeve luftarake që duhej ndërmarrë. Para se me u nis për në Rrasë të Koshares Agimi na afroi rreth vetes ku në krahun e majtë të tij isha unë, ndërsa në krahun e djathtë Fadil Maloku - Mortaja. Ai na vendosi duart në krah dhe na tha se sot na pret një ditë e vështirë, por para se të nisemi dua të ju them diçka, ushtarët e di që nuk ma prishin, ty Naser po të drejtohem dhe nga tash të pagëzoj me kodin COBRA, të dëgjohet zëri i Cobrës përmes pajisjeve elektronike për komunikim dhe të trishtohen serbet po sa ta dëgjojnë.... ai më shikoi me një shikim të mprehtë, unë pajtova me vendimin e tij edhe pse në shpirt me flinte emri i djalit tim Komandant Fitimi", tregon Cobra.

Ai thekson se nga Kazerma e Koshares për në Rrasë të Koshares janë nisur shtegut të cilin më herët e kishin shfrytëzuar forcat serbe, një teren i thyer, i pjerrtë e i vështirë, me shkëmbinj dhe i mbuluar me borë.

“Para se të arrinim në Rrasë kemi takuar Xhemajl Fetahun duke zbritur për në Kazermë të cilin e shoqëronin 2 ushtarë, jemi përshëndet me ta dhe i kemi uruar njëri tjetrit fitoret e arritura, kemi pushuar pak. Agimi na kërkoi që të afrohemi tek ai dhe në krahun e majtë prapë më afroi mua dhe tha se dua të kemi foto të përbashkëta ku Xhemajl Fetahu na ka bërë disa foto me aparat digjital dhe video e audio incizime, dhe me aparatin e Fadil Malokut. Derisa bënim foto, Agimi më kapi me dy duart ne kokë, me shtrëngoi dhe me puthi te syri i djathtë dhe më tha se po të puth me gjithë shpirt Vëlla, prej sot ty të kam vëlla.... edhe në këto qaste e përmendi familjen dhe fëmijët e vetë. Naser që nga luftimet e para që i zhvilluam së bashku, atë çka kam pritur prej teje ti po e dëshmon edhe më tepër, kështu ma zbardh fytyrën mua dhe anës tonë..... Më pas iu drejtua Fadil Malokut - MORTAJES dhe i tha: Fadil ty kam dëshirë gjithnjë me të pas afër kudo që gjendem! Fadili iu përgjigj: Komandant ne të gjithë jemi me ty dhe do të jemi gjithmonë bashkë!”, vazhdon rrëfimin komandanti.

Ai thekson se menjëherë kanë vazhduar rrugën për në Rrasë, ku me ta është kthyer dhe Xhemajl Fetahu me dy luftëtarët.

“Posa kemi arritur te Rrasa mbi rrugë, kah mesi i pishave e kemi takuar Sali Çekun - VETERANIN i cili ishte i stërmbushur me vullnet e energji e moral të lartë dhe i uronim fitoret njëri - tjetrit pasi që është edhe zakon lufte që të bëhet një gjë e tillë pas çdo fitoreje. Agimi i buzëqeshur përnjëherë iu ofrua Ramiz Qeriqit - Komandant LUANIT, i uroi fitoren dhe i ngritën duart lart në simbol shqiponje dhe i tha “Kur pushkët bashkohen edhe krisma dëgjohet më larg” Komandant Luani ishte njeri i kompletuar, komandant i përgatitur, i ecte fjala te ushtarët e tij dhe shumë i qartë në urdhëratë e tij. Agimi nga LUANI kërkoi që një numër të ushtarëve të na jap në përforcim për të depërtuar në Zhare...., çka edhe i morëm disa ushtarë të Luanit me vete, Komandant Luanin e kisha takuar për herë të parë me 8 prill 1999 në Bazën Ushtarake në Padesh kur u dha urdhri për thyerjen e kufirit, ku Agimi më njoftoi se janë njësi e përgatitur për të gjitha llojet e luftimeve dhe do angazhohen nën komandën e komandant Luanit dhe do të koordinohemi për veprimet luftarake”, potencon Vllasi.

Ai tregon se me 11 prill 1999 në Rrasë të Koshares Cobra së bashku me Kujtimin e kanë bërë numërimin se sa veta po futen në thellësi.

“Ne Komandantët e kishim barrën më të madhe andaj ishim të vetëdijshëm se duhet të merrnim edhe vendime të rënda, andaj nuk ishte edhe e lehtë për ne.

Nga Ledina e Aliqkit kemi marshuar në drejtim të tendës prej najlonit që e kishte ngritur Komandant Luani me ushtarët e vet dhe që ishte pozicioni më i lartë i luftimit, deri atë ditë edhe pozicion dominues mbi forcat serbe mirëpo, edhe cak i forcave serbe për ta rikthyer territorin që tanimë ishte nën kontroll të plot të UÇK-së. Posa jemi siguruar nga Komandant Luani ne me Agimin kemi depërtuar në drejtim të Barakeve mbi Oplaz përreth Rrahinës ku kemi vërejtur disa gjurmë të çizmeve nëpër borë të ushtarëve serb, pasi që ne sipas planit taktik donim ti sulmojmë forcat serbe në befasi pikërisht në Zhare”, rrëfen komandant Cobra.

Ai thotë se, Agimi menjëherë mes radiolidhjes ka komunikuar me Komandant Saliun dhe Luanin që të kenë kujdes ngase ka lëvizje të forcave serbe në drejtim të pozicioneve tona.

“Ne posa kemi vazhduar me lëvizje në kolonë me distancë të mjaftueshme kemi vazhduar mbi rrugën e Shtajbukit më pas kemi kaluar Vrellen e Goqit dhe kemi arritur në Zhare, ku ne i vërenim edhe me sy forcat serbe të pozicionuara dhe të fortifikuara mirë përreth objektit të braktisur të pylltarisë (Shumarisë), më poshtë majtas 200m Baraka e Rasadnikut vëreheshin dhe mjete të motorizuara, në ndërkohë Qamil Jasiqi u ngjit në lis dhe nga lartësia i vrojtonte forcat serbe përderisa Isni Rama - Raketa ishte ulur në maje te një shkëmbi dhe na argëtonte duke i shqyer fotografitë dhe letrat e ushtarëve serbë që i kishim marr ditë më parë pas braktisjes së Kazermes së Koshares nga ushtria serbe...”, pohon ai.

Cobra tregon se në momentin që donin ta orientonin artilerinë e tyre për ti granatuar pozicionet serbe, përnjëherë është sulmuar vija e parë e frontit në drejtimin 777 te Rrasa e Koshares.

Derisa zhvilloheshin luftimet në Rrasë të Koshares dhe në Koshare vlen të ceki se Arif Maloku me ushtar kishte marr për detyrë sigurimin dhe mbrojtjen eventuale të Kazermës së Koshares në rast se do të tentojnë forcat serbe ta rimarrin. Ushtria serbe kishin ndërmarrë një defanzivë edhe nga drejtimi i fshatit Batushë drejt livadheve të Koshares. Xajë Çela - Kosova dhe Beqir Gorqaj nga Istogu me ushtarët e Esat Krasniqit - Mjekrës kanë zhvilluar luftime në atë drejtim ku i kanë shkaktuar humbje armikut serb, ndërsa Bajram Neziri - Basi gjendej në krahun e djathte ka Vrojtorja”, tregon tutje komandanti. Vazhdon...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat