Vjen paralajmërimi: Rrëzimi i Qeverisë është vetëm maja e ajsbergut

Politika

Vjen paralajmërimi: Rrëzimi i Qeverisë është vetëm maja e ajsbergut

Nga: G.B Më: 27 mars 2020 Në ora: 08:09
Albin Kurti

Të mërkurën 82 deputetë votuan pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë, duke e rrëzuar atë kështu 50 ditë pasi mori mandatin.

Një seancë që zgjati 12 orë e ku pati përplasje të shumta mes deputetëve.

Rrëzimi i qeverisë ngjalli reagime të shumta, sidomos që u bë në këtë kohë pandemie për vendin dhe gjithë botën.

E lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se rrëzimi i qeverisë dëshmon se Kosovën e ka kapluar një krizë e thellë, shumë e rëndë dhe që është vështirë të kalohet.

"Rrëzimi i Qeverisë Kurti është edhe një dëshmi e fuqishme që tregon se Kosovën e ka kapluar kriza e thellë dhe e gjithëmbarshme, shumë e rëndë dhe vështirë e kalueshme edhe për shumë kohë! Zhvillimet e ditëve të fundit vërtetuan aludimet shkencore, që thonë se popujt kur dalin nga robëritë e gjata, për aq kohë sa kanë qenë nën robëri, vazhdojnë të sillen si të robëruar, sepse s'arrijnë ta ndryshojnë mënyrën e jetës! Kjo gjendje shpirtërore e karakterizoi rrëzimin e Qeverisë Kurti pas vetëm 50 ditësh", është shprehur ai

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, rrëzimi i Qeverisë është vetëm maja e ajsbergut, pasi ka shenja të këqija paralajmëruese nga ato që kemi parë e dëgjuar në seancën e fundit.

"Ky rrëzim ishte i pritshëm sepse, filloi keq dhe nuk mund të përfundonte mirë! Rrëzimi i Qeverisë është vetëm maja e ajsbergut, sepse, ajo që kemi pa e dëgjuar ditëve të fundit, sidomos në seancën parlamentare, ka shenja të këqija paralajmëruese", ka vlerësuar ai.

Zogaj thotë se u vra shpresa e njerëzve dhe deputetët u sollën si tigra, të gatshëm për mishngrënie dhe mbajtën seancë 12 orë e nuk thanë asgjë.

"Jo pse u rrëzua Qeveria, por sepse edhe njëherë u vra shpresa e njerëzve dhe këtë e demonstruan të zgjedhurit e popullit, deputetët, që u sollën si "tigrat" të gatshëm për mishngrënie. Mllefet e azdisura ishin mjeruese! Deputetët le që nuk ia vunë veshin gjendjes së pandemisë, por u treguan kamikazë, derisa 12 orë folën e folën e nuk thanë asgjë, ka deklaruar Skënder Zogaj për Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat