Berisha: Thaçi nuk guxon të anojë nga asnjë faktor politik, duhet të jetë serioz dhe i besueshëm

Politika

Berisha: Thaçi nuk guxon të anojë nga asnjë faktor politik, duhet të jetë serioz dhe i besueshëm

Nga: D.B. Më: 31 mars 2020 Në ora: 15:58
Hashim Thaçi

President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi duhet të jetë faktor serioz e i besueshëm politik në shtet, pasi ai me sjelljet e tij në skenën politike duhet të reflektoj si faktor i vërtetë uniteti dhe bashkimi.

Kështu ka vlerësuar analisti politik Ejup Berisha i cili në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se presidenti i Republikës së Kosovës duhet të përkujdeset dhe të jetë personalitet shumë i kujdesshëm në raport me të gjithë faktorët e tjerë politik të cilët në politikë përfaqësojnë interesa të ndryshme.

Sipas tij, madje në disa raste përfaqësojnë edhe interesa kundërthënëse politike, kështu që i pari i shtetit me të gjithë këta faktorë politik duhet të sillet në mënyrë neutrale.

Image
Ejup Berisha

“Presidenti nuk guxon të anoj nga asnjë faktor politik, pasi angazhimi i tij duhet të jetë në drejtim të përfaqësimit të interesave të të gjithë qytetarëve në raportet e brendshme shtetërore dhe në raportet e jashtme në raport me shtet e tjera. Presidenti duhet të përkujdeset për mirëvajtjen dhe mbarëvajtjen e proceseve politike në vend. Presidenti i Republikës duhet që përmes kontributit konkret të tij të ndihmojë në mbajtjen gjallë dhe për aktivizimin e dialogut politik dhe social në shtet në rastet kur ai arrin si rezultat i raporteve të prishura të faktorëve politik në shtet”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha. Ai konsideron se presidenti duhet të angazhohet që forcat e konfliktuara politike ti ul në tavolinën e bisedimeve apo të tentoj që ato të pajtohen dhe të arrijnë konsensus për çështjet shumë të rëndësishme qofshin ato të vogla apo dhe të mëdha shtetërore dhe kombëtare.

“Presidenti duke e pasur parasysh pozicionin dhe detyrimet kushtetuese dhe ligjore me sjelljet e tij, nuk duhet të përjashtojë asnjë faktor relevant politik nga procesi politik. Pra nga Presidenti duhet pritur nisma aktive dhe serioze për stabilizimin e gjendjes së pavolitshme politike të krijuar pas mocionit të mosbesimit të votuar nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga i cili mocion u rrëzua Qeveria e re e zgjedhur pas zgjedhjeve të parakohshme të muajit tetor në RKS. Prandaj konsideroj se nëse faktorët e tjerë politik kanë përgjegjësi normale politike i pari i shtetit duhet të ketë përgjegjësi të dyfishtë politike. Dhe meqë presidenti ka ngelur faktor i vetëm politik i kyçur në procesin e dialogut që duhet të rinisë me Republikën e Serbisë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve fqinje ky duhet të jetë më i përmbajtur e mos të ngutet të pranoj zgjidhje të ngutshme dhe të dëmshme për interesat e kombit dhe të shtetit në Republikën e Kosovës”, ka thënë analisti politik Ejup Berisha.

Sipas tij, kushtetuta Presidentin e obligon që ta ruaj sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës për të gjithë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm politik dhe shtetëror si edhe për Serbinë duhet të jenë të paprekshëm të pandryshueshëm dhe të panegociueshëm.

“E them këtë pasi duhet të kenë kujdes me dialogun meqë përcaktimi dhe definimi i kufijve ndërshtetëror nuk mund të bëhet shpesh, por bëhet njëherë në 50 apo në 100 vite. Presidenti në dialog duhet ta kishte parasysh se është President i Republikës së Kosovës por dhe në to duhet të mos hyn fare në krye në vete, por të kërkoj mandat nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por assesi pa e stabilizuar gjendjen politike në shtet”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat