Kundërshtohet presidenti Thaçi: Lajçaku përfaqëson BE-në dhe jo vendin e origjinës së tij

Politika

Kundërshtohet presidenti Thaçi: Lajçaku përfaqëson BE-në dhe jo vendin e origjinës së tij

Nga: G.B Më: 4 prill 2020 Në ora: 13:52
Miroslav Lajçak

Miroslav Lajçak është emëruar zyrtarisht i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Vendimi për emërimin e tij është mirëpritur nga Qeveria por jo edhe nga Presidenca, e cila ka qenë kundër emërimit të tij.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Fadil Lepaja, ka thënë për gazetën "Bota sot", se presidenti nuk mund të pranojë ose refuzojë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare jashtë ligjit dhe vendimeve të qeverisë.

"Presidenca nuk është palë në politikën kosovare. Kreu i shtetit është kreu i administratës dhe përfaqësues i politikës që e krijon qeveria e Kosovës. Presidenti nuk mund të pranojë ose refuzojë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare jashtë ligjit dhe vendimeve të qeverisë, prandaj marrja e kompetencave ekzekutive nga ana e presidentit është dalje nga kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore", është shprehur ai.

Sipas Lepajës, Lajçak përfaqëson BE-në dhe jo vendin e origjinës në këtë dialog, duke shtuar se forcat politike në Kosovë janë të interesuara që dialogun ta udhëheqin SHBA-të.

Image
Fadil Lepaja

"Z.Lajçak përfaqëson BE dhe jo vendin e origjinës në këtë dialog dhe ai vetvetiu nuk ka fuqi të krijojë politikë jashtë qëndrimeve të BE, ku shumica dërrmuese e vendeve e kanë njohur shtetin e Kosovës. Të gjitha forcat politike në Kosovë e në veçanti qeveria janë të interesuara që këtë dialog të e udhëheqin SHBA-ja, por askush i arsyeshëm nuk e godet BE, në përpjekje për të thyer derën e hyrjes bë këtë bashkësi por kjo duhet bërë përmes rrugës së qartësuar si për Kosovën ashtu edhe Serbinë e ky është dialogu për normalizim dhe njohje reciproke në mes të Serbisë dhe Kosovës", ka vlerësuar ai.

Më tej ai thotë se është krijuar ideja se është e mundur një zgjidhje për të cilën qytetarët dhe politika vendore nuk di shumë.

"Fatkeqësisht si rezultat i lobimit nga parti dhe individ në Serbi dhe Kosovë është krijuar ideja te zyrtarë të lartë në SHBA se është e mundshme një zgjidhje për të cilën qytetarët dhe politika vendore nuk di shumë, pasi është produkt i bisedimeve joformale dhe ndërmjetësimeve joformale dhe në situatën e barrikadimit serbo-rus nga zyrtarë të lartë të administratës së SHB A është parë si një mundësi e cila mund të realizohet përmes një presioni politik dhe ekonomik mbi Kosovën. Ky presion i kërkuar nga lobimi i përbashkët serbo-shqiptarë dhe i përcjellë me fushatë të egër të akuzave për antiamerikanizm u realizua nga LDK dhe opozita e interesuar të bllokojë procesin e ndryshimeve që po ja prekte interesat e tyre grupore e partiake", ka theksuar Fadil Lepaja për "Bota sot".

Ai ka përmendur faktin se jemi me një qeveri të shkarkuar, duke shtuar se përjashtimi i BE-së dhe lufta me të është e gabuar dhe e dëmshme për vendin.

"Aktualisht kemi një qeveri të shkarkuar, në detyrë dhe një proces problematik të krijimit të qeverisë së re sipas insistimeve të presidentit dhe përkundër vullnetit të partisë e cila doli më e votuara në zgjedhjet e kaluara pikërisht përmes premtimit të ndryshimeve që po i zbaton. Kështu përjashtimi i BE dhe lufta me BE është jo vetëm e gabuar por edhe shumë e dëmshme për të ardhmen e vendit, ndërkohë që është interesim i gjithë spektrit politik që roli i SHBA në dialog të jetë vendimtar", ka deklaruar Fadil Lepaja për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat