“Lojërat dyfytyrëshe të Isa Mustafës dhe servilëve të tij e pamundësojnë një koalicion të ri LVV-LDK”

Politika

“Lojërat dyfytyrëshe të Isa Mustafës dhe servilëve të tij e pamundësojnë një koalicion të ri LVV-LDK”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 6 prill 2020 Në ora: 10:44
Isa Mustafa

Edhe pse në fillim u tha se koalicioni i bashkëqeverisjes mes VV-së dhe LDK-së do të jetë më i gjati që ka njohur shteti i Kosovës për nga mbijetesa, një gjë e tillë nuk doli të jetë kështu. Nuk shkoi gjatë dhe kjo e fundit, në Kuvendin e Kosovës u rrëzua me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim.

Pas mocionit nuk munguan edhe akuzat dhe kundër-akuzat nga të dyja palët. Si nga Vetëvendosje, ashtu edhe nga Lidhja Demokratike, drejtuan gishtin nga njëra-tjetra, se kush më pak, e kush më shumë ka faj për këtë jetë-shkurtësi.

Mirëpo, së fundi, ka dalë një fije shpresë se përsëri mund të ketë koalicion në të ardhmen mes këtyre dy subjekteve. Është, Lutfi Haziri, një prej personaliteteve kryesore në LDK, i cili tha se ka ende vend për partneritet në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Ideja e Hazirit nga njohësit e rrethanave politike në vend, po shihet si një gjë e pamundur, shkruan gazeta “Bota sot”.

Ata konsiderojnë se nëse shkohet në zgjedhje pritet të shohim një ngritje të Vetëvendosjes, e cila do ta ketë synim që si e vetme ta formonte qeverinë, ose me minoritetet, ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës mund të ngelet në opozitë.

Deklarata e Hazirit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, deklaroi se ka ende vend për partneritet në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Dy partitë prishën raportet pas votimit të mocionit të mosbesimit, që shkarkoi qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Megjithatë, kryetari aktual i Gjilanit, konsideron se për një gjë të tillë duhet dakorduar dhe ka kushte që duhet plotësuar.

“Unë kam besuar që 100 ditë çdo qeveri i meriton sepse priten shenjat e para të ecjes politike”, tha Haziri i LDK-së.

“Ne jemi ende partneri i vetëm i mundshëm i Lëvizjes Vetëvendosje pavarësisht mocionit”, tha Haziri.

“Duhet me pa çdo formë bashkëpunimi në të ardhmen sepse vetizolimi politik është i dëmshëm për shtetin. Lëvizja Vetëvendosje është kamp politik pa mbështetje”, theksoi ai

Analisti politik: Këto janë gjasat për një koalicion mes VV-së dhe LDK-së

Image
Faton Mehmeti

Faton Mehmeti, analist dhe njohës i zhvillimeve politike në vend, mendon se tashmë mes këtyre dy subjekteve, që deri dje ishin partnere të koalicionit të shpresës, po luhet një lojë nervash.

Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është hipokrizi të thuhet se mund të normalizohen marrëdhëniet mes VV-së dhe LDK-së në kohën e tanishme.

“Fatkeqësisht po vazhdon të luhet një lojë nervash se kush do të bie në gracën e kujt, në tentativat e tyre që tjetri të del keq përpara qytetarëve. Është hipokrizi të thuhet se mund të normalizohen marrëdhëniet mes VV-së dhe LDK-së në kohën e tanishme, kur vendi është me qeveri të shkarkuar pikërisht ndasive mes tyre. Nëse ndasitë mes tyre paskan qenë kaq të vogla pse arriti situata deri tek shkarkimi i qeverisë”, është shprehur ai.

Tutje, ai thekson se nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme pritet të shohim një ngritje të partisë së Albin Kurtit, e cila, sipas Mehmetit, do të synon si e vetme të formojë qeverinë e re.

Gjersa, për partinë e Isa Mustafës mendon se mund të ngelet në opozitë.

“Deklarata e Lutfi Hazirit me duket me tepër provokim ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, se sa realisht një mundësi që këto dy parti të bëjnë koalicion në këtë periudhë, kur tensionet janë të mëdha dhe ku njëra-tjetrës nuk i besojnë. Nëse shkohet në zgjedhje pritet të shohim një ngritje të Vetëvendosjes, e cila do të synonte e vetme të formonte qeverinë, ose me minoritetet, ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës mund të ngelet në opozitë. Gjithsesi, të presin se a do të kemi zgjedhje, apo si do të shkojnë gjërat deri atëherë”, ka thënë njohësi i politikës në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Elezaj: Haziri dëshiron që ta qetësojë pakëz situatën e ashpër të krijuar në raportet midis këtyre dy partive

Image
Rexhep Elezaj

Edhe publicisti Rexhep Elezaj, ka komentuar deklaratën e Hazirit, i cili tha se ka ende vend për partneritet në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, nënkryetari i LDK-së dëshiron që t’i qetësojë pakëz situatën e ashpër të krijuar në raportet midis këtyre dy partive, pas rrëzimit të Qeverisë “Kurti”.

“Mendoj se deklarata e Lutfi Hazirit, nënkryetar i LDK-së, “se ende ka vend për partneritet mes LDK-së dhe LVV-je..”, ka dykuptimësi, e para nënkupton se bëhet fjalë për një manovër politike, dhe e dyta, se Luta, siç e thërrasin të gjithë me ledhatim, dëshiron që ta relakson pakëz situatën e ashpër të krijuar në raportet midis këtyre dy partive, pas rrëzimit të qeverisë “Kurti”, pikërisht me iniciativën e LDK-së, si partner koalicioni që ishin. Në fakt, secili anëtar dhe zyrtarë i LDK-së, përfshirë edhe vet Haziri, në mënyrë intime e dinë se VV-ja e kanë prerë në besë, me të cilin subjekt vullnetarisht kanë hyrë në koalicion bashkë qeverisës, duke e prishur atë përmes mocionit të mosbesimit në Parlament, ku 82 deputet votuan pro mocionit për rrëzimin e qeverisë “Kurti”, i shtruar në Kuvend nga vetë LDK-ja”, ka thënë Elezaj.

Tutje, ai shprehet se partia e Mustafës i kanë të kota justifikimet se kinse partia e tyre nuk është fajtore për prishjen e koalicionit.

“Andaj, i kanë të kota justifikimet që po i japin për opinion shumë zyrtarë të saj përmes deklaratave të shumta, se kinse LDK-ja nuk është fajtore për prishjen e koalicionit, se fajin e mbanë Albin Kurti, i cili si kryeministër njëanshëm pa u marrë vesh me Isa Mustafën e shkarkoi ministrin për punë të brendshme, Agim Veliun, se “po na i prishë marrëdhëniet me mikun dhe aleatin tonë më të madh, SHBA-të” për shkak se nuk po e largon tarifën ndaj Serbisë sipas kërkesës së Richard Grenell, i dërguar special i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, etj. etj., që faktikisht janë akuza të paqëndrueshme që i morën vetëm si alibi për të dalë nga koalicioni qeverisës me VV-në”, shprehet ai.

Elezaj shton se prishja e koalicionit ishte skenar i përgatitur qysh para se të hynin në koalicion me VV-në.

“Këtu mund të numërohen shumë fakte që argumentojnë bindshëm, se është Isa Mustafa me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ata të cilët qëllimisht dhe me skenar të përgatitur qysh para se të hynin në koalicion me VV-në, do e prishnin marrëveshjen në rastin e parë që do iu vinte pas formimit të qeverisë, siç iu erdhi ai me shkarkimin e Agim Veliut nga kryeministri Kurti, të cilin edhe po e pritnin me padurim. Këtë e dëshmon qartë një video e cila ka ditë që po qarkullon nëpër portale interneti, ku vetë Agim Veliu kishte deklaruar, se më së largu 6 muaj pas bashkëqeverisjes me VV-në do dalim nga koalicioni, si dhe deklarata tjera provokuese nga zyrtarë të LDK-së”, shton Elezaj.

Me te tjerave, ai nënvizon se deklarata e Lufti Hazirit, se ‘ende ka vend për partneritet mes LDK-së dhe VV-së, ngjanë në një lojë sa qesharake, po aq provokuese, sepse të gjithë jemi dëshmitarë okularë, se Isa Mustafa, i cili qyshkur ka ardhur në krye të LDK-së ka qenë në linjë të njëjtë me Hashim Taçin dhe PDK-në.

“Çdo vendim dhe veprim të tij e ka koordinuar ngushtë me Hashimin, madje duke e bërë edhe koalicion bashkë qeverisës me PDK-në në vitin 2014, kur edhe do e bënë atë president të Kosovës, kurse Kadri Veselin kryetar të Kuvendit. Por edhe prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen më 25 mars Isa Mustafa e bëri në marrëveshje të plotë me Hashim Thaçin, gjë që kjo po vërehet shumë qartë me përpjekjet e tyre të përbashkëta, puro antikushtetuese, për të formuar këto ditë një qeveri teknike me PDK-në, AAK-në, NISMA-në dhe LDK-në, vetëm për ta dërguar VV-në në opozitë si dhe për ta larguar Albin Kurtin nga posti i kryeministrit”, nënvizon ai.

Krejt në fund, ai thekson se pas gjithë atyre skenarëve dhe lojërave dyfytyrëshe të Isa Mustafës dhe servilëve të tij, çdo mundësi për përafrim të serishëm, ose për ndonjë koalicion të ri midis VV-së dhe LDK-së, është i pamundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat