Roli i Lajçak në dialogun Kosovë-Serbi, vjen thirrja për Presidencën dhe Qeverinë

Politika

Roli i Lajçak në dialogun Kosovë-Serbi, vjen thirrja për Presidencën dhe Qeverinë

Nga: G.B Më: 6 prill 2020 Në ora: 16:20
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Miroslav Lajçak do të fillojë konsultat këtë javë për t’u fokusuar në dialogun Kosovë-Serbi.

Por, emërimi i tij nga BE si i dërguar për këtë dialog, nuk është mirëpritu nga të gjithë në Kosovë.

Derisa Qeveria e ka mbështetur emërimin e tij, atë e ka kundërshtuar Presidenca.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, emërimin e tij e ka quajtur hap të rëndësishëm dhe për këtë ka treguar arsyet.

"Emërimi i diplomatit Lajçak, hap i rëndësishëm por jo më i mirëprituri për procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Është hap i rëndësishëm, meqenëse me emërimin përfaqësuesit special për dialogun Kosovë-Serbi, BE pasqyron edhe më tutje rolin e saj aktiv në procesin stabilizimit të Ballkanit Perëndimor dhe në rrugën e integrimit drejt BE-së", është shprehur ai.

Image
Sami Blakaj

Ai ka treguar detyrat e tij, duke thënë se mbetet për tu parë nëse do t'i realizojë atë në mënyrë neutrale, derisa vjen nga një vend që kishte premtuar njohjen e Kosovës, por që ende nuk e ka bërë.

"Tashmë është e qartë se detyrat e përfaqësuesit të ri të posaçëm të Bashkimit Evropian, do të jenë normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të tejkalojnë trashëgiminë e së kaluarës. Se sa do të arrijë që z. Lajcak të kryejë me sukses detyrën e marrë, dhe sa do të jetë neutral në këtë proces, kjo mbetët për tu parë. Megjithatë ajo që dihet, është fakti se Miroslav Lajçak vjen nga një shtet që dikur kishte premtuar njohjen e Republikës së Kosovës, por që fatkeqësisht edhe sot e kësaj dite mbetet njëra nga pesë vendet e BE-së që akoma heziton të njoh shtetësinë e vendit tonë", ka vlerësuar Blakaj për "Bota sot".

Ai dëshiron të besojë se Lajçak do ta përfaqësojë unifikimin dhe intensifikimin e politikës së BE-së për arritjen e marrëveshjes.

"Personalisht dua të besoj që diplomati sllovak në këtë proces do të përfaqësojë (sipas detyrës zyrtare) unifikimin dhe intensifikimin e politikës së BE-së për të përkrahur arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshëm për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të hap rrugë për anëtarësim në BE", ka theksuar ai.

Sipas Blakajt, është jetike që Presidenca dhe Qeveria të kenë unifikim, pasi do të kontribuojë në unifikimin e pozicionit të SHBA-së dhe BE-së karshi dialogut.

"Gjithashtu besoj se është jetike dhe e domosdoshme unifikimi qëndrimeve ndërinstitucionale (president-qeveri) dhe se ky unifikim i institucioneve kosovare të kontribuojë në unifikimin e pozicionit të BE-së dhe SHBA-së karshi dialogut Kosovë-Serbi, me epilog njohjen e ndërsjellë", ka deklaruar Sami Blakaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat