Ushtari i njësitit Kundërajror rrëfen për herë të parë për luftën në Koshare dhe bartjen e trupit të Agim Ramadanit

Politika

Ushtari i njësitit Kundërajror rrëfen për herë të parë për luftën në Koshare dhe bartjen e trupit të Agim Ramadanit

Nga: N.Sh Më: 7 prill 2020 Në ora: 13:03
Driton Dekaj dhe Agim Ramadani

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Driton Sadik Dekaj, i cili ishte ushtar i njësisë Kundërajrore, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, ka treguar luftën që e ka zhvilluar ai së bashku me ushtarët e tjerë në Koshare.

Dekaj, në rrëfimin e tij tregon se ka ardhë nga Zvicra për të luftuar në Kosovë së bashku me disa shokë të tij.

Ai është i lindur më 15.08.1975 në Istog.

"Shkollën fillore e kam kryer në "17 Nëntori"tash "Bajram Curri" , ndërsa të mesmen në "Haxhi Zeka"në Istog. Pas represioneve sistematike dhe dhunës së pushtuesit serb, në vitin 1995 u dënova me burgim në kohëzgjatje prej një viti nga Gjykata në Istog, prandaj u detyrova që të marr rrugën e mërgimit. Në fillim u strehova në Shqipëri, pastaj vazhdova në Itali dhe përfundova në Luzern të Zvicrës si azilkërkues. Gjatë tërë kohës kam dhënë kontributin tim  për Fondin e 3 % të Qeverisë së Republikës së Kosovës në egzil dhe në shoqatën Nënë Tereza në Luzern të Zvicrres. Kur u përkeqësua gjendja në Kosovë kontributi im nuk mungoi as për Fondin Vendlindja Thërret ku isha pagues i rregullt mujor”, tregon Dekaj.

Ai thotë se, me shpalljen e mobilizimit gjithëpopullor për mbrojtje të atdheut me një grup shokësh që njiheshin mirë mes veti vendosën që t’i bashkohen kauzës kombëtare dhe të kyçen fizikisht në radhët e  UÇK-së.

Image
Dritoni me shokë në Zvicër

“Me datë 2 prill të vitit 1999 u nisëm nga Luzerni me këta trima që shumë prej tyre kishin lënë familjet e veta në tokën e Zvicrës pa e vrarë shumë mendjen se si do të mbijetojnë, ngase për neve më i rëndësishëm ishte atdheu sesa edhe vet familja”, thotë ai.

Sipas tij grupi përbëhej prej 17 vetash në përbërje të: Alush Zejnullahi, Ferki Hajra, Gëzim Rama, Vebi Delijaj nga Mitrovica, Driton Dekaj nga Istogu, Shaban Syla nga Vushtrria, Nexhat Shkodra, Nexhmedin Shkodra, Blerim Jakupi, Ardjan Hasanaj, Ilir Sejdiu, Besim Rexhepi nga Gjilani, Fadil Doda-Hitleri nga Prishtina, Fehmi Isa nga Vushtrria, Palë Oroshi nga Prizreni.

Ky grup më 4 prill 99 ka arritur në Laprak-Tiranë, kurse me 5 prill në Babinë.

Ai pas kësaj rrëfen për përjetimet e tij të datës 11 prill 1999, ditës më të vështirë të jetës së tij.

“Kah mesi i ditës së 11 prillit, pasi drekuam në Padesh, erdhi urdhri nga komanda që të marshojmë drejt Rrasës së Koshares, ku menjëherë u nisëm të armatosur dhe të ngarkuar me municion në formacione të ndryshme, këmbësori dhe kundërajror. Bartjen e Gulinovit deri në Rrasë të Koshares e kam bërë unë, ku me ne ishte edhe Sheqer Maloku dhe një pjesë e logjistikës, kurse mbrapa nesh pritej të arrinin edhe minahedhësit. Gjatë rrugëtimit hasëm në një terren të vështirë me borë në trashësi mbi 1 metër, moti ishte i ligë, i përcjellë me reshje shiu dhe skllotë dhe sa më lartë që ngjiteshim binte borë. Artileria serbe na granatonin pa ndalë, ku binin çdo minutë me qindra predha dhe terreni ishte i minuar, por vullneti dhe morali në mesin tonë shtohej kur e shikonim në sy njëri tjetrin”, tregon ai.

Ai tutje shprehet se, në Rrasë të Koshares ishin betuar se me çdo çmim do luftonin deri në çlirimin e vendit tonë.

“Ne ishim në numër të vogël prej 30 vetash dhe njësitin vëzhgues e kishim para nesh. Në Rrasë te pishat mbi rrugë e takuam Komandant Sali Çekun dhe Smajl Tofta. Fillimisht me Nexhatin e vendosëm Gulinovin në pozicion në krahun e djathtë përballë pozicioneve që ishin caktuar për vendosjen e minahedhësve, e më pas na kërkuan që të ngrisim koliba që të kemi ku të ngrohemi gjatë natës, sepse ishim të lagur, të lodhur e pa gjumë, thënë me një fjalë të rraskapitur”, rrëfehet ushtari.

Image
Foto gjatë luftës

Ai tutje shprehet se filluan që ti thyejnë degët e ahut dhe të pishave, por nuk kaluan as 10 apo 15 minuta dhe u dha alarmi se forcat serbe ishin afruar shumë afër nesh.

“Në krahun e majtë filluan të shtënat nga Komandant Luani, menjëherë i urdhërohet Komandant Smajlit që ti shkojmë në përforcim në Lugun e pishave afër Oplazit, ngase forcat serbe tentonin të futeshin në prapavi me snajperistë. Smajli, unë Dritoni dhe Nexhat Shkodra jemi nisur menjëherë, por posa kemi arritur te Lugu i pishave kemi rënë në pritën e serbëve dhe nga të shtënat e para merr plagë Komandant Smajli, ndërsa unë dhe Nexhati u pozicionuam dhe iu kundërpërgjigjëm armikut me breshëri armësh”, shprehet Deka.

Ushtari tregon se pas pak ka arritur Sheqër Maloku dhe e kanë bërë tërheqjen e Smajlit dhe në krahun e majtë gjendej luftëtari i dalluar  Harun Beka.

“Luftimet po rriteshin nga çasti në çast dhe forcat serbe ishin 10 fish më shumë se ne. Distanca nga armiku ishte nga 15 deri në 50 metra , dëgjoheshim duke u ofenduar me armikun dhe njëkohësisht jehonte kënga ‘Besa Besë’, e në ndërkohë merr plagë të rëndë Harun Beka. Luftimet filluan të zbehen për pak minuta, por sërish u ndez zjarri dhe ne nuk arritëm që ta ndihmojmë, por as ta tërheqim Harun Bekën, pasi që ishte terren i zhveshur dhe çdo lëvizje mund të ishte rrezik i madh për neve, ngase forcat serbe ishin mirë të pozicionuara nëpër pisha, të maskuar dhe kishin edhe uniforma kamufluese të bardha si bora”, tregon ai.

Ai thotë se bënë luftë frontale të fuqishme në Rrasë të Koshares dhe fatmirësisht arriti Naim Loshi me mortaja dhe aty e vërejtën se forcat serbe po iknin me vrap të trishtuar e të tmerruar nga ato dy orë e gjysmë luftime që i zhvilluan.

“Dëshpërimi na kaploi kur Harun Beka nuk i mbijetoi plagëve të marra dhe dhimbja arriti në kulm kur e kuptuam se kishte rënë për të mos vdekur kurrë Agimi i Koshares, Agimi i Shpresës tonë, qëndresa dhe morali jonë, por kjo ndikoi që gjaku i tij i derdhur të ngulitet thellë në zemrat tona dhe u betuam se aty ku u derdh gjaku i Agim Ramadanit, Harun Bekës e Rrahman Tafës të mos shkelë më këmba e shkaut, ku edhe ashtu ndodhi”.

“Duke iu falënderuar Komandant Luanit me ushtarët e tij, Komandant Naser Vllasi – Kobres, Komandant Sali Çekut, Komandant Loshit e shumë trimave të asaj dite të 11 prillit ia dolëm t’i mposhtim forcat serbe. Nga vendi i rënies së Agimit trupin e kishin tërhequr ushtarët që ishin bashkë me të deri te rruga e Rrasës se Koshares. Në mbrëmje na thanë që të shkojmë e të pushojmë ngase do të mbeten ushtarët e Komandant Luanit në mbrojtje të vijës së parë dhe posa arritëm te rruga e Koshares me shokë, e vërejtëm se tre dëshmorët e rënë i kishin vendosur pranë njëri tjetrit”.

“Aty për aty pas disa bisedave Komandant Salihu dhe Naser Vllasi - Kobra kanë marrë vendim që trupi i Agimit duhet të tërhiqet poshtë. Menjëherë filluan me përgatitjen e trupit dhe nga Rrasa e Koshares jemi angazhuar edhe 4 ushtar nga njësia Kundërajrore unë Driton Dekaj nga Istogu, Nexhat Shkodra, Nexhmedin Shkodra dhe Blerim Jakupi nga Gjilani, bartjen e kemi realizuar deri te Kazerma e Koshares me vështirësi të mëdha pasi që ishte natë. Rënia e Agimit ishte shumë e rëndë për ne, sepse po bartnim mbi supe krahun e djathtë të Sali Çekut, legjendën e Koshares dhe udhërrëfyesin e betejave. Përjetimet e Betejës së Koshares nuk do i harroj kurrë dhe me dhimbje gjithmonë i kujtoj të rënët tanë”, përfundon ushtari i njësitit Kundërajror, Driton Deka rrëfimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat