Presidenti Rugova e kishte zbuluar skenarin e “gjarpërit” që moti - vjen një kërkesë për LDK-në

Politika

Presidenti Rugova e kishte zbuluar skenarin e “gjarpërit” që moti - vjen një kërkesë për LDK-në

Nga: M.H Më: 8 prill 2020 Në ora: 08:06
Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi

Albin Kurti shkarkoi ministrin e LDK-së, Agim Veliu, se nuk ishte në një vijë me kryeministrin rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për koronavirusin. Si kundërpërgjigje LDK, inicon mocion mosbesimi ndaj qeverisë Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas një mbledhjeje të kryesisë së partisë së tij, konfirmoi se LDK do të iniciojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti. Këtë deklaratë Isa Mustafa, e bëri vetëm disa orë pasi kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e shkarkoi nga posti ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu që vjen nga LDK, pasi Veliu nuk ka qenë në një linjë me kryeministrin rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për koronavirusin. Agim Veliu është edhe nënkryetar i LDK-së.

Ky veprim bëri që LDK të zhgënjej votuesit e tij duke vënë para tyre një hall tjetër siç është rrëzimi I qeverisë. Gjithashtu me këtë gjest LDK filloi të diskutohej si një parti e cila prishi një koalicion të shpresës për vendin.

Në lidhje me këtë temë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, tregoi një historik të shkurtër në lidhje me partin LDK, duke u shprehur që kjo parti kishte veçantin e saj për qeverisje në kohën kur në krye të saj ishte i ndjehuri, Rugova.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është partia që ka qeveris dhe bashkëqeveris Kosovën e pas-luftës më shumë se çdo parti tjetër. Prej këtej ka lind ideja se kjo parti karakterizohet prej konstitucionalizmit dhe besimi se ajo ka kapacitete më shumë se çdo parti tjetër për qeverisjen efektive dhe demokratike në Kosovë. Po pse atëherë LDK prej se ndodhi ndarja e saj në vitin 2008, nuk ka qenë e aftë të jetë fituese absolute ose relative e zgjedhjeve në Kosovë?! Përse në kohën sa kohë e drejtoi atë presidenti historik dhe themeluesi i shtetit, Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike i fitoi me vota absolute të gjitha zgjedhjet e pas-luftës në Kosovë?! Si është e mundur që LDK menjëherë pas lufte, në vitin 2000, të fitonte thuajse të gjitha komunat shqiptare në zgjedhjet lokale”.

“Çfarë kimie përshtati Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike në zgjedhjet nacionale të vitit 2001 dhe 2004, që të mundë ata që pretenduan se bënë dhe fituan luftën?! Ishte një rast i rrallë në historinë botërore që një parti e etiketuar nga propaganda e stërholluar staliniste dhe enveriste e Prishtinës dhe Tiranes si anti-UÇK, pra LDK, të merrte dyfishin e më shumë vota se të gjitha partitë politike të dala nga lufta. Kjo ka ndodhur kur ishte në skenën politike të Kosovës, i urti, i paepuri, vizionari, mentari, i pamposhturi dhe i pandikuari prej injorancës, Ibrahim Rugova... Por çfarë ndodhi pas shkuarjes së tij në amshim?! Një dorë tinëzare korruptoi një grup liderësh të LDK-së dhe bënë që partia e Ibrahim Rugovës të çahej. Kryetari i Kuvendit LDK-isti Daci, iu kundërvu presidentit të Republikës dhe arriti jo vetëm ta përçajë, por edhe ta rrëzojë përtokë imazhin e partisë së themeluar nga Rugova. Koha provoi se ky akademiku “i shquar” ishte marionetë duart e Hashim Thaçit, sepse ai ka përkrahur të gjitha lëvizjet e presidentit të sotëm të Kosovës, edhe kur ishte fjala për tjetërsimin e territoreve të vendit. Rugova qeverisi në mandatin e parë tre vjeçar me Partinë Demokratike, por nuk e pranoi Hashim Thaçin për kryeministër. Në këtë post zgjodhi të mandatorë Bajram Rexhepin. Jo pa qëllim e la anash të vetëshpallurin si numri një i UÇK-së. Ai paska mësuar para çdo kujt në Kosovë se “gjarpëri” do ta helmonte Kosovën. Por pas Rugovës dhe përçarjes që ia bëri LDK-së, Hashim Thaçi mori në dorë lidershipin në Prishtinë. Qeverisi gjithmonë, përveç mandatit të fundit, me Lidhjen Demokratike”.

Më tej, Profesori, shprehët që në një formë apo tjetër Thaçi ka mbajtur Mustafën afër vetës kështu duke mos i lejuar të ndahet nga klani i presidentit.

“Gjatë kësaj kohe me intriga dhe manovrime politike përçarëse arriti ta thellojë përçarjen e LDK-së, kur eliminoi Profesor Fatmir Sejdiun dhe përkrahu grupin e tre përqindshit, Bukoshin dhe Isa Mustafën. Mesa duket këta ai i kishte në xhep, i kërcënoi për ndonjë inicim të hetimeve për menaxhimin e fondit të qeverisë së RP së Kosovës të paraluftës. Por jo vetëm kaq. Gjatë qeverisjes së tij me LDK-në, sidomos në postin e kryeministrit, përzgjodhi në qeveri shumicën e ministrave “lojajalë” ndaj tij. Dmth ata që ai i kishte joshur dhe korruptuar politikisht me kohë. Këta ministra bashkëpunuan pa kushte me Hashim Thaçin, u pleksën në afera të caktuara, ndonëse jo të përmasave të Klanit Pronto. Thaçi i mbajti shënim këto afera si garanci dëgjueshmërie ndaj tij. Ndaj e mbështeti këtë kategori liderësh të LDK-së jo vetëm të zënë e të mbajnë vende kyçe në parti, por edhe të zgjidhen e rizgjidhen si kryetarë komunash etj. Me këta ai u zgjodh president i Republikës para 4-5 vitesh dhe me këta sinkronizoi projektet që presidentit Thaçi ia dhanë për zbatim në Beograd përmes Edi Ramës. Megjithëse i tradhtoi disa herë, duke rrëzuar para kohe qeverinë e kryesuar nga LDK, përsëri Isa Mustafa dhe klani i tij pro-PDK-së nuk i ndahen Hashim Thaçit”.

Në fund, Profesori tha që është I mendimit që LDK asnjëhere nuk do të mund të del parti e para në zgjedhje kjo sepse votuesit kanë gëlltitur shumë zhgënjime dhe për fund të largohet nga filozofia dhe politika e Klanit Pronto.

“Nëse shohim emrat dhe fytyrat e atyre që iu kundërvunë qeverisjes së frymës së re, natyrisht jo perfekte, të Kosovës, dallojmë se në to shkruhen emrat e bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit. Mund të jem gabim dhe do ketë njerëz që më kontestojnë, por kam bindje se Lidhja Demokratike e Kosovës kurrë nuk do të jetë parti e parë në zgjedhje, nëse ajo nuk i bind qytetarët e Kosovës se është ndarë përfundimisht nga trashëgimia e qeverisjes së vendit me PDK-në e Hashim Thaçit. Që të ndodhë kjo, duhet medoemos që ajo të rrëzojë nga maja e piramidës partiake bashkëpunëtorët e presidentit të vendit. Pa u bë kjo LDK as nuk reformohet, as nuk bëhet e besueshme, as nuk mund të pretendojë vendin e parë nga sovrani. Manipulimet politike mund t’i mbajnë në pushtet edhe Isa Mustafën, edhe tre-katër figura të korruptuara dhe komprometuese pas tij, bashkë me Hashim Thaçin, por politika është besim”.

“Besimin kjo kategori politike nuk do ta ketë më kurrë. Votuesit kanë gëlltitur shumë zhgënjime. Madje mendoj se në zgjedhjet e ardhshme, edhe nëse LDK do ia besojë përsëri drejtimin Vjosa Osmanit, sa kohë që publiku do t’i shohë të negociojnë në politikë figurat e korruptuara, nuk mund ta rikthejnë besimin te LDK! Që LDK të rikthehet te vizioni dhe filozofia e Rugovës duhet të shkëputet nga filozofia, praktika dhe politika dëmprurëse e Klanit Pronto”, përfundoi Bytyçi, për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat