“Shpërthimi” i përplasjeve në LDK, analisti parashikon se çfarë e pret partinë e Isa Mustafës

Politika

“Shpërthimi” i përplasjeve në LDK, analisti parashikon se çfarë e pret partinë e Isa Mustafës

Nga: N.H Më: 8 prill 2020 Në ora: 21:06
Vjosa Osmani dhe Agim Veliu

Një përplasje e madhe ka filluar brenda subjektit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bëhet fjalë për nënkryetarin e parë të kësaj partie, Agim Veliu, dhe kryetares së Kuvendit në detyrë, Vjosa Osmani.

Ish-ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, përmes një shkrimi i është adresuar kryetares së parlamentit, Vjosa Osmanit, duke e quajtur si “përkthyesja e Thaçit”, dhe duke i thënë se nuk ka guxuar të garojë për zgjedhjet komunale në Mitrovicë dhe Prishtinë.

E, lidhur me shpërthimin e përplasjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka folur njohësi i çështjeve politike.

Analisti politik, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se këto përplasje janë duke ardhur si shkak i akumulimit që ka ndodhur që një kohë të gjatë në ndeshjen mes koncepteve brenda gjeneratave.

Image
Faton Mehmeti

“Përplasjet brenda në Lidhjen Demokratike të Kosovës janë si pasojë e akumulimit që ka ndodhur që një kohë të gjatë në ndeshjen mes koncepteve brenda gjeneratave. Fajtor kryesor për këtë është vet kreu i partisë i cili nuk ka lejuar frymë demokratike brenda partisë, ku të gjitha pakënaqësitë të shprehen aty”, ka thënë Mehmeti.

Tutje, ai konsideron se mes Veliut dhe Osmanit, qytetarët janë me Kryetaren aktuale të Kuvendit të Kosovës, si përfaqësuese e një brezi të ri.

“Një gjeneratë e vjetër e cila nuk pranon të lëshoj rrugë për të rinjtë, dhe këta të fundit që e kuptojnë më mirë mesazhin e qytetarëve, prandaj edhe qytetarët janë me Vjosën, si përfaqësuese e një brezi të ri ku politikën nuk e sheh si karrige por si përgjegjësi”, tha me tej ai.

Krejt në fund, ai thekson se pret që të ketë një thyerje të madhe brenda kësaj partie, njëjtë siç kishte ndodhur në vitin 2006.

“Pres një thyerje të madhe brenda në LDK, si ajo në 2006, pasi asnjëra palë nuk lëshojnë pe, por më e dëmtuara do të del vet LDK. Gjenerata e vjetër nëse vazhdon mos të kuptoj mesazhin e anëtarësisë e cila është më Vjosë, do të pësoj keq duke dërguar këtë parti drejt rrënimit më të madh që ka pasur ndonjëherë”, ka përfunduar analisti politik, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat