Ja pse krijimi i qeverisë teknike do të jetë fatal edhe për partitë opozitare

Politika

Ja pse krijimi i qeverisë teknike do të jetë fatal edhe për partitë opozitare

Nga: A.J Më: 9 prill 2020 Në ora: 22:03
Lideret e partive të Kosovës

Kosova gjendet në një udhëkryq politik përveç edhe atij pandemik. Derisa Qeveria e Kosovës është në qeveri në detyrë dhe se disa janë për zgjedhje të reja e të tjerët për krijimin e qeverisë se re, Kosova si asnjëherë më parë është e ndarë politikisht.

Mirsad Voca, ligjërues i Gjeopolitikës në një prononcim për Bota Sot” ka shpjeguar mirë se a është e mundur një qeveri e re  ku do ta përbente LDK-AAK dhe Nisma. Ai ka thëne se qeveria aktuale në detyrë, e rrëzuar me një votë mosbesimi, i orkestruar nga qarqe politike të cilët braktisen qytetarin që prej dy dekadash, po bën një punë të shkëlqyeshme në menaxhimin e situatës aktuale ndaj Covid-19. Dhe jo vetëm kaq, sepse po tregon qartë se dëshiron të instaloj një Shtet ligjor me parimet e të cilit bien ndesh interesat dhe rehatia e grupeve politike e mafioze që shkretuan shoqërinë përgjatë njëzetë vitesh. Po të kishim të bënim me një menaxhim kaotik dhe jo kompetent, atëherë do të kishte arsye ndoshta të mendohej përgjatë pandemisë një rikonfigurim i Qeverisë por me VV brenda saj. Mirëpo, bashkë dyzimi teknokrat nga figura eksperte dhe kompetente të VV dhe LDK, po instalon për herë të parë në historinë moderne të Kosovës praktika të Shtetit ligjor.

“Natyrisht se mund të ketë kritika për çdo qeveri duke u nisur nga fakti se askush nuk mund të jetë i perfeksionuar. Megjithatë, të kritikohet kjo Qeveri, madje në detyrë për probleme e çështje që u krijuan e u trashëguan nga dilerë politik të fokusuar ekskluzivisht në interesa personale politike, është e pamoralshme, çnjerëzore dhe nuk shpie në të mirën e përgjithshme të shoqërisë, si dhe nuk ka të bëjë fare me një opozitarizëm konstruktiv.

 

Çdo aventurë për një Qeveri përfituesish ku populli do të përfitonte më së paku, do të ishte jo legjitime, pra e pabazë nisur nga vullneti i popullit, do të krijonte precedent dhe për pasojë do të kishim një anarki politike edhe më të zymtë sesa këto dy dekadat e fundit. Prandaj meqë Qeveria aktuale në detyrë po punon ndershmërisht dhe pranë qytetarëve të cilët po ashtu po i besojnë kësaj Qeverie bazuar dhe në sondazhe të besueshme, do ishte gabim fatal edhe për partitë opozitare, që të krijohej një Qeveri siç po e quajnë teknike apo të gjerë” ka thënë Voca.

Sipas doktorit dhe ligjëruesit të Gjeopolitikës, Interpretimi sipas dëshirave i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, krijon precedent shumë të rrezikshëm sepse krijon dykuptimësi të cilat krijojnë paqartësi, këto paqartësi krijojnë situata e konflitke të reja dhe nevojë për zgjidhje të reja. Kjo praktikë pastaj bëhet rutinë në pafundësi në sferën politike në Kosovë prandaj kjo paradigmë është gabim fatal nëse instalohet sepse bie ndesh me instalimin e Shtetit stabil dhe ligjor.

“Një paradigmë tashmë e dykuptimësive dhe paqartësive e ka përcjellë çështjen politike të Kosovës prej dekadash për të cilën gjithnjë bëheshin zgjidhje të dy apo shumë kuptimta, të paqarta dhe si të tilla linin hapësirë për interpretime të ndryshme, dhe krijoheshin konflikte të reja. Për pasojë një praktikë e tillë nuk shpien në stabilitet afatgjatë politikë në përgjithësi e në veçanti në rastin e Kosovës. Aktualisht jemi këtu ku jemi dhe nuk duhet asesi të lejohet që kjo lloj qasje me plotë paqartësi që përcolli Kosovën në rrugëtimin politik të saj, të instalohet edhe brenda saj”.

Voca ka shpjeguar se pas menaxhimit të Covid 19, vendi patjetër duhet të shkoj në zgjedhje dhe vlerësoj se VV ka plotësisht të drejtë kur insiston që të respektohen praktikat e mëparshme kur pas votës së mosbesimit shkohej në zgjedhje. Për më tepër, insistimi për një Qeveri tjetër pa zgjedhje, e që do të ishte jolegjitime, nuk do mend se nuk ka interes Shoqërinë e Kosovës dhe nuk e mbështet vullnetin, sigurinë e stabilitetin e saj, por me shumë gjasë ka për intencë një realizim tjetër veprimesh të paskrupullta të atyre figurave që nuk i dhanë asgjë Kosovës që nga paslufta por vetëm, zgjidhje të paqarta me Serbinë, të shumë kuptimta dhe tendencioze, gjithnjë me potencial konfliktesh të reja dhe nevojë për të krijuar situata të reja. Kjo praktikë u shkon për shtati vetëm atyre që dëshirojnë pushtet e jo shtet, manipulim e jo parim, anarki e jo drejtësi.

“Në fund, mandati është marrë për të qeverisur me VV, dhe për këtë edhe Zonja Vjosa Osmani si bartëse e listës së LDK, falë të së cilës shumë deputetë të LDK fituan ulëse në parlament, ka deklaruar publikusht që pas votës së mosbesimit nuk vjen në shprehje një qeveri tjetër por se duhet zgjedhje të reja sepse mandati është kërkuar nga populli për ndryshim e jo për kthim në qeverisje me disa parti të Pan-it dhe listën serbe, qeverisje kjo që do t’i shkonte për shtati vetëm disa individëve por jo dhe popullit të Kosovës” ka thënë pë "Bota Sot" Mirsad Voca, ligjërues i Gjeopolitikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat