Mbajtja e seancës së jashtëzakonshme, vjen thirrja për deputetët e Kuvendit

Politika

Mbajtja e seancës së jashtëzakonshme, vjen thirrja për deputetët e Kuvendit

Nga: G.B Më: 10 prill 2020 Në ora: 09:43
Kuvendi i Kosovës

Pas seancës për rrëzimin e Qeverisë, në këtë kohë pandemie pritet të mbahet edhe një seancë tjetër e jashtëzakonshme e Kuvendit.

Këtë herë e thirrur nga PDK, për shkak të pakos emergjente për qytetarët.

Por, sa është gjendja e duhur për të mbajtur seancë?

Image
Skënder Zogaj

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se duhet të përfillen masat mbrojtëse nga Qeveria dhe nëse lejohet mbajtja e seancës nga specialistët, nuk ka pse të mos mbahet.

"Masat mbrojtëse të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës duhet të përfillen me respektim të plotë dhe, gjithsesi, çdo lloj veprimtarie duhet të jetë e vlerësuar dhe e monitoruar nga profesionistët mjekësor! Kjo është rregulla e domosdoshme, dhe mbajtja e seancës duhet të jetë e lejuar nga specialistët! Nëse kjo sigurohet, atëherë nuk ka pse të mos mbahet kjo seancë, siç u mbajt edhe me rastin e shkarkimit të qeverisë", është shprehur ai.

Por, sipas Zogajt, deputetët nuk duhet të mbajnë fjalime të gjata sikur në seancën për rrëzimin e qeverisë, që zgjati 12 orë.

"Mirëpo, them se, deputetët nuk duhet t'i rrëmben dalldisja e dëshirës për të mbajtur fjalime, siç do të thoshte Kujtim Shala, "të shaptilografuara" dhe seanca të zgjatet në 12 orë, në vend të 60 minutave, sa kishte arsye të zgjaste edhe seanca e mosbesimit ndaj qeverise! Prandaj, nëse seanca për pakon emergjente për qytetarët mbahet, deputetët nuk shkojnë aty me tregu se dinë me fol shumë e më thënë fare pak", ka deklaruar Skënder Zogaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat