Fushata e rrezikshme kundër Albin Kurtit

Politika

Fushata e rrezikshme kundër Albin Kurtit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 10 prill 2020 Në ora: 14:41
Albin Kurti

Gjatë këtyre javëve Kosova po ballafaqohet me pandeminë Covid-19, por kjo nuk është sfida e vetme e qytetarëve të Kosovës, një sfidë tjetër është edhe klasa politike.

Tashmë ka një kohë që Kosova ka një qeveri në detyrë e cila po përballet me pandeminë, por edhe me opozitën politike në vend, e cila në çdo ndodhi në vend po mundohet të gjejë një “vegëz” për ta sulmuar atë.

Këto veprime të opozitës nga njohësit e çështjeve politike në vend, po cilësohen si jo të duhura dhe se kjo klasë politike po e shfrytëzon situatën politike për të bërë fushatë për përftimin e votave nga qytetarët.

Fushata kundër Kurtit

Image
Sulejman Mehazi

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se po bëhet fushatë e egër ndaj kryeministri në detyrë.

“Pas rrëzimit të Qeverisë së Kurtit partitë opozitare kanë lënë mënjanë simptomat pandemike të rrezikshme globale e janë kthyer kah simptomat politike të gërvalljeve, kollitjeve, ethjeve, djersëve e temperaturave parazgjedhore, hapur shihet se janë duke bërë një fushatë të egër jo kundër Covid-19, po kundër  Kryeministrit në detyrë Albin Kurtit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, pandemia sikur i ka dhënë forcë për tu aktivizuar politikanët që të bëjnë fushatë parazgjedhore  për të përfituar sa më shumë vota.

“Duket sikur virusi Covid-19 i ka gjallëruar për të bërë fushatë parazgjedhore, ju ka dhënë forcë politike Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinaj dhe nën përkrahjen e disa politikaneve të stërvjetëruar të LDK-se, Isa Mustafës, Hazirit e Veliut  për të bërë parakampanjë zgjedhore që ne do ta quanim "Fushatë Pandemike Zgjedhore Opozitare" për të përfituar sa më shumë votues”, ka potencuar Mehazi për “Bota sot”.

Për më tepër,  ai ka deklaruar se nga klasa poltike Kurti dhe Osmani po konsiderohen më të rrezikshëm sesa pandemia.

“Partive opozitare në Kosovë më shumë ju intereson mposhtja  e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit sesa vdekja e popullatës nga  Covid-19, për Hashim Thaçin e partitë opozitare Covid-i më i rrezikshëm është Albin Kurti e Vjosa Osmani sesa pandemia që e ka kapluar boten njerëzore”, ka theksuar Mehazi për “Bota sot”.

Lufta e opozitës për të arritur në pushtet

Image
Rexhep Elezaj

Ndërkaq, publicisti  Rexhep Elezaj, ka thënë për “Bota sot”, se lufta e opozitës bëhet gjithnjë me qëllim për të ardhur në pushtet .

“Mendoj se partitë opozitare, edhe ashtu si humbëse të pushtetit dhe privilegjeve, ato çdo veprim, sjellje, aktivitet ose deklaratë politike që japin për opinion, rreth çdo teme dhe çështjeje që e preokupon shoqërinë tonë, ato veprime i bëjnë në funksion të fushatës zgjedhore, pa marrë parasysh kohën e mbajtjes së tyre, se sa që i bëjnë për ta ndihmuar zgjidhjen e problemeve në shoqëri. Mbase, lufta e opozitës bëhet gjithnjë me qëllim për të ardhur në pushtet kudo në shoqëritë demokratike, e që konsiderohet veprim legjitim dhe normal i saj, ky parim vlen gjithnjë derisa ajo ta luan rolin e saj konstruktiv, ngase siç dihet, pa opozitë të mirëfilltë nuk mund të ketë shtet dhe as shoqëri demokratike. Mirëpo, në shoqëri lirisht mund të thuhet se asnjëherë pas luftës e deri me sot, nuk kemi pasur opozitë të mirëfilltë, e cila ka qenë gardiane e ruajtjes dhe forcimit të rendit dhe sistemit kushtetues të vendit, por edhe duke e ndihmuar zhvillimin e shoqërisë përmes kritikave dhe veprimeve konkrete, ashtu siç sillen dhe veprojnë partitë opozitare në vendet perëndimore.”, ka deklaruar Elezaj për “Bota sot”.

Për më tepër, ka kritikuar opozitën për gjatë këtyre viteve të pas luftës, që sipas tij kanë luajtur rol tejet destruktiv politik, kjo edhe e ka dëshmuar edhe mos përfundimi i mandatit qeveritarë nga asnjë qeveri në vend.

“Përkundrazi, cilado parti shqiptare në Kosovë që ka qenë në rolin e opozitës, pa përjashtuar asnjërën prej tyre, kanë luajtur rol tejet destruktiv politik, dhe këtë më së miri e dëshmon fakti, se asnjë qeveri e deritanishme nuk e ka përfunduar mandatin e saj katërvjeçar, sepse është rrëzuar brutalisht nga opozita, siç ishte edhe rasti i fundit me 25 mars, kur me votat e partive opozitare u rrëzua edhe qeveria “Kurti” ende pa ia filluar mirë punës pas 51 ditëve”, ka potencuar Elezaj për “Bota sot”.

Gjithashtu,  ka përmendur rrëzimin e qeverisë duke thënë se një qeveri e denjët  në kohë pandemie  nuk do ta rrëzonte qeverinë.

“Ngase, pavarësisht se cila parti e kishte iniciuar mocionin për mosbesim dhe për çfarë arsyesh, jam i bindur se një opozitë e denjë parlamentare për hir të interesave të vendit, sidomos në një gjendje emergjente siç është ende Kosova, për shkak të pandemisë globale të Korona virusit, ajo kurrë nuk do pajtohej për rrëzimin e qeverisë, gjegjësisht për lënien e vendit pa organe legjitime në një situatë kaq të rrezikshme për popullatën!”, ka vlerësuar Elezaj.

Po ashtu,  ka shtuar se partitë opozitare po duan ta marrin pushtetin në mënyrë antikushtetuese, duke u bërë gati që ta formojnë një qeveri teknike.

“Ndaj, nisur nga ajo që u tha më lartë, mua nuk më habitë fare qëndrimi abuziv dhe iritues ndaj masave të ndërmarra nga qeveria në detyrë kundër kësaj pandemia, e cila, opozita pra, në vend se ta ndihmon situatën e krijuar në muajin e fundit nga rreziku i këtij virusi vdekjeprurës, që siç po parashihet do të zgjas me muaj, partitë opozitare po duan ta marrin pushtetin në mënyrë antikushtetuese, duke u bërë gati që ta formojnë një qeveri teknike, gjë e cila tregon se në fakt shteti ynë nuk ka opozitë fare, veçse grupe interesash oligarke të tubuara nëpër këto parti, të cilët në asnjë mënyrë nuk po mund të ndahen nga postet dhe privilegjet shtetërore që derisa ishin në pushtet i kanë keqpërdorur në mënyrë makabre, duke e vjedhur arkën e shtetit si dhe duke keqpërdorur çdo pozitë udhëheqëse për t’u pasuruar sa më shumë në dëm të popullit shqiptar të varfër dhe të shumëvuajtur!”, ka shtuar ai për “Bota sot”.

Në fund, Elezaj ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në veri te vendit për të cilën u akuzua qeveria nga opozita se nuk po mundet ta menaxhuar situatën pandemike.

“Mjafton të marrim si shembull vetëm rastin e fundit rreth akuzave të opozitës që ende vazhdon t’ia drejtojë qeverisë “Kurti” në detyrë, se si gjoja ajo nuk po mundet me e menaxhuar situatën e pandemisë në veri të Kosovës, se masat e kufizimit të lëvizjeve të popullatës atje i ka shpallur Serbia e jo qeveria në detyrë, se atje do ketë gjakderdhje, dhe kështu të ngjashme, që dëshmon qartë se partitë opozitare, PDK-ja, AAK-ja, NISM-a dhe AKR-ja, janë në fakt parti të papërgjegjshme opozitare të cilat vendin po duan ta çojnë drejt një destabilizimi, pasojat e të cilit mund të jenë tepër të rënda për Kosovën..!?”, ka përfunduar Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat