"Refuzimi i Mustafës për kryeministër lajm i mirë", Shahu tregon kush duhet të bëhet kryeministër i Kosovës

Politika

"Refuzimi i Mustafës për kryeministër lajm i mirë", Shahu tregon kush duhet të bëhet kryeministër i Kosovës

Nga: G.B Më: 23 prill 2020 Në ora: 13:32
LDK

LDK është shprehur e gatshme të formojë qeverinë e re, bashkë me AAK-në dhe Nismën e komunitetet.

Të gatshme janë shprehur edhe këto parti, derisa presidenti dje ka ftuar në takim përfaqësuesit e të gjitha partive, për të biseduar për formimin e Qeverisë së re.

E nga LDK u përmend fillimisht Isa Mustafa si kandidat për kryeministër, por që LDK ka propozuar Avdullah Hotin, i cili në Qeverinë Kurti ishte zëvendëskryeministri i parë.

Për këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Gjykata Kushtetuese duhet të gjykojë se a është kushtetuese që presidenti t'ia jap partisë së dytë mandatarin.

"Shpresoj se zgjidhja kushtetuese që bëri presidenti legjitim i Kosovës, i njëjti president që ishte legjitim edhe kur ia dha mandatin për formimin e qeverisë kryeministrit në detyrë Kurti, pas konsultimit me gjithë forcat politike, në zbatim të Kushtetutës, të nenit kushtetues pa fjalë ekuivoke, “mund” a “duhet”, për të mos krijuar vakanca qeverisëse dhe në zbatim të vendimit të Kuvendit të Kosovës që me shumicë absolute e shkarkoi qeverinë Kurti me mocion, ia dha mandatin për formimin e qeverise partisë së dytë të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit të vitit që kaloi. Kjo e para, që të mos interpretohet si padrejtësi dhe të mos gjykojë për të askush veç Gjykatës Kushtetuese, të mos marrë askush në thumb me marrë grurët në duar", është shprehur ai.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, është mirë që Mustafa ka refuzuar të bëhet kryeministër, duke shtuar se nuk duhet të bëhet ndonjë agrat i ndonjë partie që ka gjetur strehë për karrierë në LDK, asnjë që ka pranga apo që ka ikur nga lufta e pastaj është shkruar si komandant.

"Nëse ka refuzuar Isa Mustafa të bëhet vetë kryeministër ky është një lajm i gëzueshëm. Ndonëse ai drejton partinë LDK dhe shkëlqeu në refuzimin e fyerjeve e talljeve që ia bëri VV, shkëlqeu në qëndresë e dinjitet për LDK, e konsideroj pozitive që ka refuzuar të jetë kryeministër vet. Nuk e di kush mund të bëhet kryeministër në Kosovë, por veç shpresoj të mos bëhet kryeministër asnjë argat i ndonjë partie tjetër që ka gjetur strehë për karrierë në LDK, asnjë politikan që ka pranga në duar a në këmbë, asnjë politikan që ka kërpesh në qafë, asnjë politikan që i ka ikur luftës dhe është shkruar pastaj komandant në UÇK e pasluftës për pak lavdi, asnjë politikan që i duket vetja sa presidenti i Amerikës, asnjë politikan që thotë se ne jemi çliruar vetë, asnjë politikan që nuk është mirënjohës nga A tek ZH ndaj Amerikës, asnjë politikan që lejon grupe ilegale marksiste apo terroriste islamike në Kosovë, asnjë politikan që nuk është i bindur se gardiani botëror që çliroi, pavarësoi dhe e mbron Kosovën është Amerika, populli amerikan, shteti amerikan, institucionet e shtetit amerikan, asnjë politikan që vjen nga OJF dhe mendon se ka marrë vota me shumicë falë aftësive të veta por po të votohet jashtë LDK, jo në listat e LDK, vështirë se merr edhe votat e familjarëve të vet", ka vlerësuar Shahu.

Ai thotë se kryeministër duhet të bëhet dikush që u thotë stop atyre që mbajnë të ndezur dhe në tentativë terrorin ndaj popullatës, që cenojnë partneritetin strategjik të Kosovës me SHBA.

"Kryeministër i Kosovës duhet të jetë dikush që u thotë stop atyre që mbajnë të ndezur dhe në tentativë terrorin ndaj popullatës, stop atyre që i detyrojnë njerëzit të thonë, më mirë ata të qeverisin veç mos të na bëjnë trazira, stop atyre që sa herë nuk u plotësohen qejfet, kërcënojnë me përsëritje të marsit të unave të zjarrit të vitit 2004, stop atyre që cenojnë apo lëndojnë partneritetin strategjik të Kosovës me SHBA, stop atyre që ngrihen mbi institucionet, stop atyre që i dinë të gjitha dhe bëjnë veprime të paligjshme në emër të lirive demokratike" ka thënë ai për "Bota sot".

Më tej, Shahu thotë se kryeministër duhet të jetë një politikan i urtë, dikush që nuk udhëhiqet nga thashetheme por që gjithkujt për çdo gjë i thotë drejtoju gjykatës.

"Kryeministër i Kosovës duhet të jetë një politikan i urtë, që nuk përbuzë askënd, që i ofron vlerat e spikatura e historike të LDK e të krejt Kosovës që për arsye fyerjesh e qejfmbetjesh janë sot pending por janë kapacitete që Kosova nuk ka luks të mos i ofrojë. Kryeministër duhet të jetë dikush që nuk udhëhiqet nga thashetheme por që gjithkujt për çdo gjë i thotë drejtoju gjykatës sepse duhet të mësohemi që fajësi apo pafajësi jep vetëm gjykata, akuza penale ngre prokuroria dhe nuk duhet lejuar më që gjithkush që di shkrim e këndim të akuzojë si prokuror gjithkënd dhe të dënojë gjithkush gjithkënd sikur të ishim gjyqtarë. Kjo e ka ndotur rëndë jetën publike në Kosovë pasi gjithkush akuzon pa fakte gjithkënd dhe askush nuk ka zotësinë të shkruajë e të akuzojë në gjykatë apo prokurori", ka përfunduar Rexhep Shahu për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat