Flasin nga Vetëvendosje, këto janë pritjet e tyre nga Kushtetuesja – kanë disa fjalë edhe për protestat e paralajmëruara

Politika

Flasin nga Vetëvendosje, këto janë pritjet e tyre nga Kushtetuesja – kanë disa fjalë edhe për protestat e paralajmëruara

Nga: N. H Më: 25 prill 2020 Në ora: 16:41
Albin Kurti

Partia e Isa Mustafës po i vazhdon përpjekjet e saja për krijimin e koalicionit qeverisës, mbi bazën e mandatit që kësaj partie ia ka ofruar presidenti Hashim Thaçi, edhe pse letra e tij nuk është bërë ende publike.

Ndërkohë, nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur se do ta kontestojë formimin e kësaj qeverie përmes Gjykatës Kushtetuese, sapo të bëhet publike letra apo shkresa zyrtare e presidentit.

Lidhur më këtë, për “Bota sot”, kanë folur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se qeveria në detyrë, e cila udhëhiqet nga kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është duke menaxhuar mirë me vendin, e sidomos në luftën e saj kundër Covid-19.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese medoemos duhet ta zgjidhë ngërçin në të cilin është duke kaluar vendi.

Image
Albin Kurti dhe Petrit Bicaj

“Mendoj se qeveria në detyrë është duke funksionuar shumë mirë, sidomos në luftën e saj kundër Covid-19, luftë e cila do duhej të ishte alfa dhe omega e çdo partie politike në këtë kohë. Mendoj se Gjykata Kushtetuese medoemos duhet ta zgjidhë këtë ngërç, duke e respektuar kushtetutshmërinë dhe do duhej të vendosë masën e përkohshme, ku qeveria në detyrë vazhdon punën e saj, deri në nxjerrjen e aktgjykimit meritor”, ka thënë Bicaj, të shtunën për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai shprehet se janë të bindur se aktgjykimi meritor duhet bazuar edhe në precedentët e deritanishëm, ku vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“E ne jemi të bindur që aktgjykimi meritor duhet bazuar edhe në precedentët e deritanishëm, ku në raste të njëjta, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha me tej zyrtari i Vetëvendosjes.

Kurse, i pyetur lidhur me protestat e paralajmëruara, Bicaj ka thënë se ato janë instrument demokratik, sidomos në kohë kur tentohet dhunimi dhe ndryshimi i tërë sistemit kushtetues në vend.

“Sa i përket protestave, ato janë e drejtë kushtetuese dhe mendoj që janë instrument demokratik, sidomos në kohë kur tentohet dhunimi dhe ndryshimi i tërë sistemit kushtetues në vend. Andaj, shpresoj në profesionalizmin e gjykatësve të gjykatës kushtetuese dhe jam i bindur që pas pandemisë vendi do shkoj në zgjedhje ku sovrani do vendos se kush duhet të jetë në krye të qeverisë”, ka përfunduar zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Petrit Bicaj, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Qeveria në detyrë është rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvend më 25 mars. Që atëherë, presidenti i Kosovës ka nisur konsultimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat