Kundërshtohet fuqishëm Josep Borell pasi tha se e mbështet korrigjimin e kufijve, analisti thotë se shefi i BE-së po mban anën e Beogradit

Politika

Kundërshtohet fuqishëm Josep Borell pasi tha se e mbështet korrigjimin e kufijve, analisti thotë se shefi i BE-së po mban anën e Beogradit

Nga: G.B Më: 11 maj 2020 Në ora: 19:48
Josep Borell

Shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borell tha ditë më parë që BE e mbështet korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, nëse të dyja palët pajtohen për të arritur marrëveshje për një gjë të tillë.

Ndërsa, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se shkëmbimi i territoreve në mes të dyja vendeve nuk është në agjendë.

“Kemi parë një reagim shumë të fuqishëm negativ ndaj idesë për shkëmbimin e territoreve – në Kosovë, në vendet e tjera në rajon dhe në vendet e BE-së. Kjo më dërgon te përfundimi se ajo nuk është në agjendë dhe as nuk duhet të jetë në agjendë”, theksoi Lajçak.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se nuk habitet nga deklarata e Borell, pasi ai sot e kësaj dite mban anën e Beogradit.

"Thënë të drejtën, mua nuk habit fare deklarata e komisionerit për politikë të jashtme pranë BE-së, z. Josep Borell, i cili e përkrah korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse “për një gjë të tillë pajtohen dy palët”, sepse ai vjen nga një shtet i cili nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, siç është Spanja, dhe se vendi tij qysh nga koha e bombardimeve të Serbisë nga NATO-ja, e ka mbajtur anën e Serbisë. Kështu që në këtë kontekst, mendoj se z. Borell edhe sot e kësaj dite e mbanë anën e Beogradit zyrtar, kur është fjala për korrigjim të kufijve me Kosovën, sepse ai është shumë mirë i informuar se në një rast të tillë Serbia do fiton territor në dëm të Kosovës", është shprehur ai.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas Elezajt, ai në dialog nuk mund ta mbajë rolin e tij si përfaqësues i BE-së për shkak të pozitës, por që do ta ketë aminin e tij diplomatik ndaj Beogradit.

"Edhe pse në opinionin kosovar është folur se z. Borell, si funksionar i lartë i BE-së, në rastin e bisedimeve Kosovë-Serbi nuk do e mbanë, së paku zyrtarisht, anën e Serbisë, sepse për një gjë të tillë nuk e lejon pozita e tij e përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së. Mirëpo unë nuk e përjashtoi animin e tij diplomatik ndaj Beogradit zyrtar, dhe këtë e dëshmoi vetë me deklaratën e tij lidhur me mundësinë e korrigjimit të kufijve, të cilën ai e dha menjëherë pasi që BE-je emëroi ndërmjetësuesin e saj në bisedimet Prishtinë-Beograd, z. Lajçak", ka vlerësuar Rexhep Elezaj.

Sa i përket deklaratës së Lajçak se nuk do të ketë shkëmbim territoresh , ai thotë se ajo duhet të na qetësojë ne, derisa një gjë e tillë është kundërshtuar edhe nga qeveria gjermane.

"Në anën tjetër, ajo që duhet të na qetësojë neve si Kosovë, është fakti, se jo vetëm z. Lajçak, i cili me deklaratën e tij të matur lidhur me negociatat me Serbinë, tha se “duhet të arrihet një marrëveshje e cila sjellë paqe dhe siguri në rajonin e Ballkanit perëndimor, dhe se korrigjimi i kufijve nuk është në agjendën e bisedimeve”, por vetëm para 3-4 ditëve deputeti i Bundestagut dhe koordinatori i qeverisë gjermane në Këshillin Transatlantik, z. Peter Beyer, ka deklaruar qartë se qeveria gjermane asnjëherë nuk do ta mbështet idenë e korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi. Ndërsa raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, znj. Viola Von Cramon, duke komentuar idenë për ndryshimin e kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, tha në mënyrë të prerë, “se Gjermania nuk pajtohet me këtë ide dhe se për ndryshimin e kufijve në Ballkanin perëndimor duhet të pyetet populli përmes referendumit”", është shprehur tutje Elezaj.

Ai shprehet i bindur se Gjermania nuk do ta lejojë asnjëherë të ndodhë shkëmbimi i territoreve dhe një gjë e tillë nuk do të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare.

"Po ashtu, Franca dhe Anglia nuk e përkrahin idenë Thaçi-Vuçiç-Rama për ndryshimin e kufijve, edhe pse këto dy vende tona mike nuk janë deklaruar kohëve të fundit, por qëndrimi i tyre është i qartë për BE-në dhe Beogradin, se as ato nuk e mbështesin ndryshimin e kufijve në Ballkan, por as edhe më gjerë në Evropë. Duke e njohur mirë karakterin dhe vendosmërinë e popullit dhe qeverisë gjermane, si dhe rrjedhat aktuale politike në Evropë, jam i bindur se pa marrë parasysh se si do përfundojnë bisedimet Kosovë-Serbi, nuk do ketë asnjë mundësi që në marrëveshjen eventuale me Serbinë të përfshihet edhe korrigjimi i kufijve, sepse kjo do ta çonte, jo vetëm Ballkanin perëndimor, por krejt Evropën në një rrugë pa krye, pra në një luftë tragjike me pasoja katastrofale..." ka përfunduar Rexhep Elezaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat