Vazhdon presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese, Haziri flet për tensionet në skenën politike – kjo është thirrja e tij për liderët politik

Politika

Vazhdon presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese, Haziri flet për tensionet në skenën politike – kjo është thirrja e tij për liderët politik

Nga: N. H Më: 20 maj 2020 Në ora: 22:13
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Të martën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se procesi rreth vendimit të Kushtetueses ka krijuar një ankth në të dy kampet politike.

Sipas Hazirit, pritja deri tek shpallja e vendimit final nga Gjykata Kushtetuese ka tensionuar situatën në vend.

Image
Nexhat Haziri

“Është e vërtetë se për pak ditë Gjykata Kushtetuese do të dal me vendimin e saj për mandatarin e qeverisë, dhe ky proces ka krijuar një ankth në të dy kampet politike, në atë që kundërshtojnë mandatimin e një qeverie të re pa shkuar në zgjedhje, dhe kampit tjetër që është pro mandatimit të një qeverie të re më një shumicë parlamentare nga kjo legjislaturë, dhe pritja e këtij vendim deri në shpalljen e tij nga Gjykata Kushtetuese ka tensionuar situatën politike dhe raportet ndërmjet partive politike në Kosovë”, ka thënë Haziri.

Me tej, analisti politik ka bërë me dije se liderët politik dhe institucional duhet ta pranojnë çfarëdo vendimi, dhe të sillen konformë rregullave të demokracisë

“Nuk dua tani të paragjykoj se cili do të jetë vendimi i Kushtetueses, por kujtoj se si do që të jetë ky vendim, liderët politik dhe institucional duhet ta pranojnë këtë vendim, dhe të sillen konformë rregullave të demokracisë në respektim të institucioneve të pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese, dhe në këtë aspekt dua ta them se kemi një provojë shumë të mirë, pasi asnjëherë më parë vendimet e Kushtetueses nuk janë sfiduar nga akterët politik dhe kjo është një pjekuri politike”, ka shtuar ai.

Kurse, sa i përket presioneve ndaj Gjykatës Kushtetuese në këtë periudhë kohore e deri në shpallje të vendimit, Haziri konsideron se ky presion është bërë nga presidenti Thaçi dhe kryeministri në detyrë Kurti.

“Presidenti Thaçi dhe kryeministri në detyrë Kurti, në forma të ndryshme jo vetëm që kanë bërë presion por edhe në mënyre indirekte kanë kërcënuar këtë institucion në mënyrë që të ndikojnë në vendimin e saj. Kjo praktikë nuk është e mirë dhe tregon për një qasje nihiliste që kanë presidenti Thaçi dhe kryeministri në detyrë Kurti në raport me institucionet e pavarura siç është edhe Gjykata Kushtetuese”, ka përfunduar analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat