Ja tre luftëtarët e parë të UÇK-së që hynë brenda Kazermës në Koshare

Politika

Ja tre luftëtarët e parë të UÇK-së që hynë brenda Kazermës në Koshare

Nga: N.Sh Më: 21 maj 2020 Në ora: 09:40
Pamje nga Kosharja

Pas pjesës së parë, sot vazhdojmë me pjesën e dytë të rrëfimit të luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arif Malokut, bashkëluftëtar i Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt.

Maloku i cili luftën e zhvilloi kryesisht në Koshare, thotë se, plagët e marra gjatë luftimeve kërkonin mjekim të mëtejmë.

Ai tregon se, posa ka dalë në territorin e Shqipërisë, me lejen e Agim Ramadanit, ka vazhduar me një trajtim mjekësor, e pas kësaj, me kërkesë të Agimit është paraqit në njësinë “COBRAT”.

Ai tregon se, ishte ftuar nga vet Agim Ramadani në telefon, që të paraqitej në Repartin ushtarak në Babinë, ku është paraqitur menjëherë, derisa ishte në mesin e disa komandantëve dhe ushtarëve, që shprehnin dëshirën të sistemohej në njësitë e tyre.

“Por, unë prisja të arrinte Agimi dhe të merrja detyrën nga ai. Me të arritur Agimi më drejtohet ‘Ti që ke hy si ujku në mesin e deleve a e din ku e ki vendin, dua me të pa sa më shpejt lart’, kështu më tha Agimi”, vazhdon rrëfimin veteran invalid i luftës së UÇK-së Maloku.

Po atë natë ai ishte nisur së bashku me një grup ushtarësh, në këmbë për në Qendrën Stërvitore në Papaj, ku kishin arritur rreth orës 23:00.

“Në Papaj kam kaluar një natë, të nesërmen në mëngjes më ka ftuar Agimi në zyre. Nga unë ka dashtë opinionin rreth terrenit dhe një prezantim në hartën topografike, pasi që isha shumë i njoftuar me terrenin, ku pritej të thyhej kufiri. Ditën e kem kaluar së bashku, dhe në mbrëmje kanë arritur Albert Kuqi dhe Demush Gacaferri për të më marrë dhe jemi nise menjëherë për në Padesh, në Padesh kam kuptuar se komandant i “COBRAVE” është Naser Vllasi, ku kam qenë i mirëpritur, pasi që Agimi paraprakisht e kishte njoftuar Naserin për mua. Menjëherë të nesërmen i kam marrë detyrat për vëzhgimin e terrenit ku njëkohësisht vetë fakti me vëzhgimet që i bënim përpilohej dhe kompletohej plani operativ për thyerjen e kufirit, vëzhgimet kanë vazhduar në mënyrë sistematike pandërprerë, pa u hetuar nga armiku po ashtu duke ruajtur sekretin për punën që bënim”, rrëfen ai.

 Ai flet me krenari se si pjesëtarë i këtij njësiti, kishin më shumë informacione.

“Ne “COBRAT” gjithherë ishim një hapë përpara, për vet faktin se ne me komandantin e ri Naserin, i cili na u kish besuar realizimi i vëzhgimeve. Me 8 prill më kujtohet se nga komandanti Agim Ramadani është kërkuar, që të shkoj Komandant Naseri në bazën komanduese në Padesh, ku me tu kthyer nga Agimi në bazën e “COBRAVE”, po ashtu në Padesh, gjegjësisht në shtëpinë e Sadikut, Komandant Naseri ka kërkuar prej neve që të përgatitemi për një vëzhgim, por kësaj radhe ka kërkuar nga ne që të përgatitemi sikurse të hyjmë në sulm, se duhej të pajiseshim mirë me armatimin e duhur, municion të mjaftueshëm, granata dore, po ashtu ushqim së paku për 24 orë”, vazhdon rrëfimi i luftëtarit.

Ai thotë se menjëherë kanë fillua me përgatitjen, dhe po atë natë, si çdo natë tjetër që bënin roje për sigurinë ai ishte sipas orarit 2 orë roje, mirëpo Naseri ka insistuar që të bëjnë pushimin e natës, mirëpo tek ta ishte një parandjenjë që nuk kishin gjumë, por prisnin kur do të vijë urdhri për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.

“Ne ishim pa gjumë, dhe kur shënon ora 2:00, ne “COBRAT” së bashku me Naserin, jemi nisë për “vëzhgim” nga shtëpia e Sadikut në drejtim të përroit. Aty jemi ndal për një kohë të mjaftueshme dhe kemi pritur derisa ka ardhë edhe një komandant me ushtarë. Nga aty kemi vazhduar në drejtim të shpatit, përpjetë përroit ku pasi kemi arrit në një lartësi të lart kemi dëgjuar disa zëra dhe aty ishte Agimi me Saliun së bashku me ushtarët e tyre”, tregon ai.

Më tej, ai thotë se rreth mesditës njësia “COBRAT” duke e llogaritur mbështetjen e këmbësorisë kanë vendosur që të futen në objekt me luftime pasi që ishin më të përgatiturit.

“Derisa zhvilloheshin luftime të kombinuara edhe me artilerinë e rëndë e të dyanshme ne i afroheshim me luftime objektit. Përgatitja jonë ishte aq e mirë dhe i ka befasuar serbët”.

Sipas tij, serbët s’kanë mundë të besojnë që ka njësi aq mirë të përgatitura të UÇK-së për luftime.

“Andaj, nga dera e pasme e kishin braktisur objektin ushtarët serb, por nga ana e poshtme nëpër pozicionet akoma shtinin, në drejtim të objektit po ashtu edhe nga forcat tona është shti në objekt ku tanimë gjendeshim ne të tre brenda Kazermës së Koshares, vlen ti ceki emrat: Xaj Çela, Komandanti Naser Vllasi dhe unë Arif Maloku. Për momentin, deri sa u ndërpre zjarri nga forcat tona, Naser Vllasi - Cobra, ka dal në hyrje të objektit me berete të kuqe në dorë duke menduar se e kanë kuptuar se ne jemi në objekt dhe përnjëherë nga forcat tona është hapë zjarr në të, si dhe është kërkua në gjuhen serbe nga Fadil Maloku-Mortaja (kushëriri im i parë) që ne të dorëzohemi, sepse ata akoma nuk kishin kuptuar që ne jemi futur brenda”, thotë ai, duke treguar se falë një vrimës së shkaktuar ditë më parë në objekt, kanë ra në kontakt me Fadil Malokun-Mortajen dhe i kanë treguara se ata janë brenda, deri sa Mortaja i ka njoftuar të tjerët. Vazhdon...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat