Profesori ndërkombëtar: Kërcënimi ndaj Kurtit duket qartë se ka shkuar nga segmente afër presidentit - Bota Sot
Profesori ndërkombëtar: Kërcënimi ndaj Kurtit duket qartë se ka shkuar nga segmente afër presidentit

Politika

Profesori ndërkombëtar: Kërcënimi ndaj Kurtit duket qartë se ka shkuar nga segmente afër presidentit

Nga: D.RR Më: 22 maj 2020 Në ora: 16:19
Hashim Thaçi dhe Albin Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ditë më parë ka bërë të ditur një kërcënim i cili i kishte ardhur nga një grup individësh apo individ e quajtur “Gardë Vullnetare Shqiptare. Kurti tha që nuk mund të merret me këtë çështje për të gjetur se kush janë ata pasi këtë po ja lë detyrë organeve kompetente të drejtësisë.

Në lidhje me këtë, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për Bota sot ka analizuar këtë kërcënim, ku thotë se kjo i konvenon më së shumti Beogradit.

“Kryeministri Kurti ka denoncuar para pak ditësh një kërcënim që i ka shkuar atij përmes një të ashtuquajture “Garda Vullnetare Shqiptare”! Ky emërtim është gjetja më e qëlluar antishqiptare e shpikur në Beograd. Sepse vetëm Serbia ka interes jetik t’i paraqesë shqiptarët si “terroristë”. Por edhe simbolika është gjithashtu serbe. Në Serbi kanë ekzistuar organizata të tilla terroriste me emra të ngjashëm. Prandaj unë mendoj se ai kërcënim nga një organizatë fantazmë, e cila ekziston vetëm në projektet serbe të destabilizimit të Kosovës, nuk adresohet vetëm kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Kërcënimi në fjalë adresohet në radhë të parë kundër Kosovës. Ajo ka për qëllim që ta paraqesë shtetin e Kosovës dhe popullsinë e saj si elementë të terrorizmit. Në Beograd presin që kjo retorikë në të cilën përfshihen krerët më të lartë të shtetit të marrë përmasa dhe pastaj ata, duke cituar liderët e Prishtinës, të njoftojnë kancelaritë e botës se “Shteti i Kosovës është shtet terrorist””, tha ai.

Prof. Bytyçi kritikon ashpër presidentin Thaçi, për të cilin thotë se e paraqiti Kosovën si shtet terrorist. Bytyçi dyshon në presidentin Thaçi, teksa thotë se prokuroria duhet të merret me deklaratën e tij.

“Kësisoj provohet teza e Milosheviçit se ai “po luftonte kundër terroristëve shqiptarë”! Por afërsisht një teze të tillë i ndihmoi dje presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kur tha me siguri absolute se “Komunikata e Gardës Vullnetare shqiptare është shkruar nga vetë Kurti dhe në selinë e partisë së tij. Gjithçka buron nga selia e partisë së tij, nga ai personalisht dhe njerëzit për rreth tij.” Unë nuk mund ta kuptoj se si një president bën politikë me çështje kaq senzitive për shtetin dhe shoqërinë. Deklarata e zotit Thaçi është e papranueshme, e rrezikshme dhe antikushtetuese. Presidenti I vendit, nëse ka fakte, autorizon organet ligjzbatuese dhe ekzekuton zbatimin e ligjit për këtë. Nëse e vërejmë me kujdes, pohimi I zotit Thaçi është kategorik në artikulim. Na le vend për dyshim, por ai flet për diçka që ka ndodhur me siguri maksimale. Në këtë moment, prokuroria do të duhej të fillonte hetimin dhe nëse deklarata e presidentit do të rezultonte e vërtetë, atëherë edhe Albin Kurti do të duhej të mbante përgjegjësi penale. Nëse jo, atëherë Hashim Thaçit i duhej treguar dera për të dalë jashtë presidencës, me një vendim të prerë gjyqësor që të mos kthehet kurrë më në atë zyrë! Nëse një kryetar partie bën politikë kur denoncon një vepër kriminale, presidenti duhet të mbajë përgjegjësi nëse ai bën politikë. Unë besoj se zoti Thaçi me deklaratën e tij kërkon ta zhvendosë vëmendjen nga ndonjë intrigë e tij rreth kësaj çështjeje”, u shpreh ai.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi tutje thotë se kërcënimet ndaj Albin Kurtit duket qartë se ka shkuar nga segmente afër presidentit. Profesori thotë se nuk duhet t’i besohet presidentit Thaçi.

“Kërcënimi ndaj Albin Kurtit duket qartë se ka shkuar nga segmente afër presidentit! Por a është e mundur që kjo gjë të provohet? Nëse prokuroria dhe të tjera segmente të gjyqësorit nuk do të ishin peng i Hashim Thaçit, çështja mund të hetohet dhe zbulohet. Ndoshta ka ndonjë përpjekje serioze për këtë dhe presidenti dëshiron ta devijojë pistën e hetimit?! Gjithçka është e mundur t’i vijë Kosovës nga dikush që as skuqet, as zverdhet, as nxihet! Pyeteni zotin Thaçi a je për shkëmbim territoresh me Serbinë dhe do të thotë se “kurrë nuk kam folur për këtë çështje, ndërkohë që nuk i ka pushuar goja së paku dy vite duke e përsërit refrenin e korrigjimit të kufijve! Kjo do të thotë se ai nuk e ka për gjë të rrejë, të shpif, të intrigojë, të hedhë gurin e ta fshehë dorën, pra të bëjë punën që bën gjarpëri natën në errësirë”, u shpreh Bytyçi.

Ai thotë se Kosova tashmë ndodhet midis dy zjarreve, një zjarri të dukshëm flakët e të cilit shihen në Beograd dhe një zjarri të padukshëm në Prishtinë.

“Kërcënimi ndaj Albin Kurtit është kërcënim ndaj institucioneve të Kosovës, shtetësisë së Kosovës, ndaj pozicionit të Prishtinës në ballafaqimin me Beogradin në dialog. Është një aksion anti-shqiptar i llogaritur mire, I skenarizuar e me regjisor të zotë të tipit Kosturica! Hashim Thaçi është thjesht një aktor I keq, që nuk di ta mbulojë rolin e tij në këtë dramë që ia përgatit vendit të tij! Për mua nuk ka më asnjë dyshim se presidenti I Kosovës është rreziku më I madh për vendin e tij, që pretendon se e drejton si kryetar shteti! Nuk kam as më të voglin dyshim se makinacionet e Hashim Thaçit drejtohen jo vetëm kundër Kurtit dhe Vjosa Osmanit, por edhe kundër Kosovës! Prandaj duhet bërë kujdes, se Kosova tashmë ndodhet midis dy zjarreve, një zjarri të dukshëm flakët e të cilit shihen në Beograd dhe një zjarri të padukshëm sa duhet me emrin Hashim Thaçi”, theksoi ai për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat