Gjykata Speciale ngritë tri aktakuzat e para, flet Angela Griep nga Dhomat e Specializuara të Kosovës

Politika

Gjykata Speciale ngritë tri aktakuzat e para, flet Angela Griep nga Dhomat e Specializuara të Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 23 maj 2020 Në ora: 19:57
Gjykata Speciale

Gjykata Speciale e ka vazhduar aktivitetin e saj, përkundër pandemisë së koronavirusit. Deri më tani janë deponuar dy aktakuza në Dhomat e Specializuara, njëra në shkurt dhe tjetra në prill të këtij viti.

Rreth 250 persona janë ftuar nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar në Hagë ose në zyrat e EULEX-it në Prishtinë. Shumë prej tyre kanë qenë pjesë e hierarkisë së lartë të UÇK-së dhe ish-komandantë të zonave.

Nga Gjykata Speciale, në një përgjigje ekskluzive i kanë thënë gazetës “Bota sot” se kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzave të paraqitura nga Prokurori i Specializuar, dhe se përmbajtja e aktakuzës së pakonfirmuar është rreptësisht konfidenciale.

Ata konfirmojnë edhe njëherë se brenda gjashtë muajve, gjykatësi i procedurës paraprake do të vendos nëse do ta konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzën.

Kurse, avokati i njohur, Tomë Gashi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka treguar se deri më tani janë ngritur tri aktakuza nga Specialja, dhe se e fundit sipas tij, është e muajit prill, të vitit 2020.

Angela Griep nga Gjykata Speciale, jep detajet e fundit për aktakuzat e para

Angela Griep nga Dhomat e Specialeve, në një përgjigje ekskluzive, dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se kanë marrë masa në pajtim me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, në përgjigje të situatës së krijuar, duke ruajtur gjithashtu vazhdimësinë e punës dhe operacionet e plota të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Image
Angela Griep

Krahas plotësimit të metodave të punës gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme, Dhomat e Specializuara të Kosovës, Griep i ka thënë gazetës “Bota sot”, se po vazhdojnë edhe më tutje në përmbushjen e mandatit të tyre.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë marrë masa në pajtim me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, në përgjigje të situatës së krijuar, duke ruajtur gjithashtu vazhdimësinë e punës dhe operacionet e plota të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Këto masa, mes tjerash, përfshijnë edhe kryerjen e punës nga shtëpia prej personelit dhe takimet (kurdoherë që është e mundshme). Krahas plotësimit të metodave të punës gjatë kësaj periudhe të jashtëzakonshme, Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë më tutje në përmbushjen e mandatit të tyre”, ka thënë Griep, për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, në pyetjen se a parashihet që në muajin korrik të ndodhin edhe aktakuzat e para, Griep i ka thënë gazetës “Bota sot”, se brenda gjashtë muajve, gjykatësi i procedurës paraprake do të vendos nëse do ta konfirmojë ose t’i hedhë poshtë aktakuzat.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për shqyrtimin e aktakuzave të paraqitura nga Prokurori i Specializuar. Gjatë fazës së konfirmimit, përpara se një aktakuzë të bëhet publike, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës cakton një gjykatës të procedurës paraprake i cili shqyrton provat mbështetëse të aktakuzës dhe përcakton nëse ekziston dyshim i bazuar mirë kundër të dyshuarit. Në këtë pikë, përmbajtja e aktakuzës së pakonfirmuar është rreptësisht konfidenciale. Brenda gjashtë muajve, gjykatësi i procedurës paraprake vendos nëse do ta konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzën”, ka theksuar Angela Griep nga Dhomat e Specialeve.

Gashi: Janë ngritur së paku tri aktakuza nga Specialja

Për dallim nga Specialja që deklarojnë se javë ngritur dy aktakuza, avokati Tomë Gashi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka treguar se deri më tani janë ngritur tri aktakuza nga Specialja.

Image
Tom Gashi

E fundit sipas Gashit, është e muajit prill, të vitit 2020.

“Deri më tani janë ngritur së paku tri aktakuza në Gjykatën Speciale në Hagë, kemi pasur më shumë se një aktakuzë të ngritur gjatë muajit shkurt, sepse Gjykata Speciale në shkurt ka deklaruar se janë ngritur aktakuzat, që i bije më tepër se një aktakuzë, dhe aktakuza tjetër është e muajit prill 2020”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, këto aktakuza nga Dhoma e Prokurorit Special janë në duart e gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili ka afatin maksimal prej gjashtë muajve që ta konfirmojë apo jo aktakuzat dhe nëse aktakuzat konfirmohen.

“Atëherë bëhen publike emrat e të akuzuarve, të atyre dhe avokatëve të tyre i dorëzohen aktakuzat me materialin përcjellës dhe pastaj rasti hynë në fazën e shqyrtimeve gjyqësore-gjykimit. Nëse aktakuzat nuk konfirmohen atëherë të njëjtat hedhen si të papranueshme, nëse gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin mirë të bazuar për secilin rast konkret. Është edhe një mundësi që gjyqtari i procedurës paraparake mund të kërkojë nga Prokurori që aktakuzës t’i bashkëngjiten edhe prova shtesë, por kjo është çështje krejtësisht faktike dhe gjithçka tani është në duar të Gjyqtarit të Procedurës paraprake”, ka thënë Gashi.

Gashi më tej shpjegon se sa i përket aktakuzave të ngritura në shkurt gjyqtari ka afatin maksimal deri në gusht të këtij viti.

“Sa i përket aktakuzave të ngritura në shkurt gjyqtari ka afatin maksimal deri në gusht të këtij viti të konfirmojë apo jo aktakuzat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë. Sa i përket situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, kjo nuk ka pasur ndonjë pengesë për punën e prokurorëve dhe edhe pse sipas informatave që janë publike nga Gjykata Speciale një pjesë e stafit të prokurorisë dhe Gjykatës punët e tyre i kanë kryer nga shtëpia”, është shprehur avokati Gashi.

Mbi 250 ish-ushtarë të UÇK-së intervistohen nga Specialja

Ai gjithashtu ka thënë se vetëm në vitin 2019 janë intervistuar me tepër se 250 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Nëse kemi parasysh se vetëm gjate vitit 2019 janë intervistuar me tepër se 250 ish-pjesëtarë të UÇK në cilësinë e të dyshuarve dhe të dëshmitarëve dhe nëse kemi parasysh se dëshmitarë të tjerë përpos atyre pjesëtarëve të UÇK, janë intervistuar mbi 850 të tillë, atëherë, zyra e prokurorit special ka pasur mundësi që të analizojë provat për të sjellë konkluzione për të ngritur apo jo aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, për të cilët prokurori mendon se mund t’i vërtetojë në gjykatë”, ka thënë ai.

“Duke pas parasysh situatën e krijuar me COVID-19, unë mendoj se kjo nuk është kurrfarë pengesë që prokurorët të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre njëjtë siç ka qenë parë shpalljes së pandemisë”, ka përfunduar avokati Tomë Gashi, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat