“Garda Vullnetare Shqiptare, sajesë e Thaçit”

Politika

“Garda Vullnetare Shqiptare, sajesë e Thaçit”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 maj 2020 Në ora: 09:24
Hashim Thaçi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar ditë më parë se është kërcënuar nga një grup që veten e quan “Garda Vullnetare Shqiptare”. Në faqen e tij në Facebook, Kurti kishte publikuar komunikatën e plotë të këtij grupi.

Kurti kishte thënë se ata që i dërguan këtë mesazh, janë të frikësuarit që duan ta frikësojnë Gjykatën Kushtetuese.

“Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, kishte shkruar ai në Facebook.

Më pas, Presidenti Hashim Thaçi në një intervistë televizive kishte deklaruar se ky grup i ashtuquajtur ‘Garda Vullnetare Shqiptare” është krijuar nga vetë kryeministri Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.

”Një dramë të tillë e ka sajuar personalisht ai për të krijuar një konfuzion, tension para vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe duke përmendur emra të gjykatësve, mendoj se është direkt një presion me pretendime kërcënimi ndaj tyre që të ju tregoj se ne e dimë kush po punon aty. Kurti e din se unë e di, se ai qëndron me ekipin e tij pas gjithë kësaj drame”, ka deklaruar Thaçi.

Millaku: "Garda Vullnetare" është sajesë e Thaçit

Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje nga zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje pas deklaratës së Presidentit Thaçi, mirëpo ata nuk e kanë komentuar këtë çështje.

Image
Drita Millaku

Mirëpo, ish deputetja e kësaj partie, Drita Millaku, thotë se ky grup i quajtur “Garda Vullnetare Shqiptare” është sajesë e Presidentit Thaçi për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti Thaçi është në një pozicion tejet delikat dhe dështimi i dekretit do të ishte për të fund politik dhe rrjedhimisht edhe kapitullim i tij jo vetëm politik por edhe moral e njerëzor. Prandaj mendoj unë se e ashtuquajtura "Garda Vullnetare" është sajesë e Thaçit për të ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, fundja kjo nuk është hera e parë kur Thaçi bën shantazhe të tilla. Unë mendoj se në horizont është largimi definitiv i Hashim Thaçit nga skena politike e Kosovës dhe ky do të ishte edhe stabilizim i jetës politike në vend”, vlerëson Millaku.

Kurti mbajti premtimin e tij

Nga ana tjetër, njohësi i sigurisë, Hajrullah Tërnava thotë se kryeministri në detyrë Albin Kurti në periudhën 50 ditësh argumentoj premtimet e tij dhënë elektroratit, në luftën me kriminalitetin dhe kjo ishte arsyeja sipas tij, që erdhi deri tek mosbesimi i kësaj qeverie.

Image
Hajrullah Tërnava

“Situata e qeverisjes së tanishme të Kosovës, që tani kryes në detyrë i Kryeministrit është Albin Kurti, edhe që i patën fitue zgjedhjet me 06.10.2019, LVV dhe LDK, edhe që e krijuan koalicionin si dy parti të parat pas zgjedhjeve, ky koalicion nuk zgjati më shumë se 50 ditë. Është për me u habitë pse zgjati kaq shkurt ky koalicion. Nëse bëhet një analizë më e përpikët, të gjitha premtimet e dhëna elektoratit gjatë zgjedhjeve na përputhen me veprimet e Kryeministrit Albin Kurti posa e pranoj detyrën dhe për një afat të shkurtër 50 ditësh, në vepër e argumentoj premtimin e tij dhënë elektoratit që do ta luftoj kriminalitetin në përgjithësi, gjë që si po duket të gjitha partitë si në opozitë por edhe asaj në bashkëqeverisje LDK iu hyri frika, që aq vrullshëm ia filloj luftimit të krimit. Prandaj të gjitha partitë sikur i përmenda u dakorduan që t’ia tregojnë mosbesimin kësaj qeverie, dhe në Parlamentin e Kosovës deputetët e gjitha partive që u bashkuan përpos LVV, me 82-85 vota ia treguan mosbesimin qeverisë në pushtet, edhe që në rrethana të tilla deri sa të kaloj kjo gjendje e jashtëzakonshme që e ka përfshi botën me pandeminë, e sidomos për hir të korrektësisë në qeverisje ishte dashur së paku të pritet tremujori e pse jo deri në 100 ditë të qeverisjes, dhe tani të vlerësohet suksesi i kësaj qeverie”, vlerëson Tërnava.

Ai thotë se vendi është me një qeveri në shkuarje, edhe që dyshimet e krejt kësaj qeverie në ikje, i konfirmon ajo që Kryetari i Kosovës e dekreton Avdullah Hotin për Kryeministër të koalicionit LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe dhe pakicave tjera, që LDK si parti e dytë në zgjedhjet e fundit me e qeverisur vendin.

Kërcënimet janë serioze

“Tani fjalën kryesore e ka Gjyqi Kushtetues që duhet t’i shqyrtoj ankesat e të gjithë subjekteve që iu janë drejtua gjyqit në fjalë, por nëse shfrytëzohet e drejta kushtetuese dhe e praktikave në të kaluarën, sipas shumë ekspertëve të këtyre lëmive, e drejta për ta qeverisur vendin ishte dashur t’i epet LVV si parti e parë në zgjedhje e kurrsesi partisë së dytë ose të shkohet në zgjedhje mbasi të ndërpritet situata e pandemisë. Në këto rrethana të ndjeshme dhe të rrezikshme për vendin, tani paraqitet një grupacion si “Garda Vullnetare” e cila kërcënon Kryeministrin në detyrë. Nëse duam ta shikojmë situatën e sigurisë në retrospektivë që nga paslufta e deri më tani, lehtë është për tu konstatuar se këto kërcënime edhe mujnë të jenë mjaft serioze, kur dihet se që nga lufta e deri me tani janë vra mbi 100 persona që ishin kontribuues dhe njerëz të devotshëm të këtij vendi si: Ilir Konushevci, Ahmet Krasniqi, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Ismet Rracaj, Shaban Manaj, Tahir Zemaj, Ismajl Hajdaraj, Isuf Haklaj, Sebahate Tolaj, e shumë të tjerë që deri me ditën e sotit askush nuk i ka zbuluar e as që ka pasur interes për tu zbuluar. Të freskëta i kemi kujtimet e tentim vrasjet e Kryetarit historik Ibrahim Rugovës dhe asnjëherë nuk u zbuluan tentues vrasësit”, thotë tutje Tërnava.

Ai thotë më tutje se nëse duam të jemi real dhe ta shikojmë situatën e sigurisë që nga çlirimi e deri më tani që janë 20 vite, bëhet pyetje se pse kjo paaftësi e zbulimit të vrasjeve politike aq shumë në numra nga ana e institucioneve tona, të gjithë atyre njerëzve të vrarë e që familjarët në mënyrë permanente presin zbulimin e tyre, konstatimi del se të mëdhenjtë e këtij shteti që deri më tani e kanë kapur për fyti këtë shtet dhe kanë bërë çfarë kanë dashur me të.

“Kjo sepse në vendet kryesore të institucioneve që ishin dashur ta luftojnë krimin në përgjithësi, janë emëruar njerëz të besueshëm të tyre, dhe ata bashkë me këta udhëheqës në fjalë kanë përfituar për veti shuma dhe nga dikur që ishin skamnore, tani janë multimilionera, prandaj tani qartë shihet se kush ju ka pengua edhe kush i kanë vrarë këta njerëz në fjalë, prandaj mbrapa këtyre kërcënimeve ndaj Kryeministrit Kurti qëndrojnë po këta njerëz që i kanë krye këto vrasje të deritashme, sepse nga kjo qeverisje e tanishme po rrezikohen që të zbulohen, dhe të përgjigjen për të gjitha veprat në të kaluarën që i kanë krye, dhe atyre që kanë përfitua shumë në mënyrë kriminale, e tërë pasuria do të ju konfiskohet dhe në historinë e re të Kosovës do ta kenë vulën e tradhtarëve dhe te kolaboraistve me armiqtë e Kosovës. Thash e themet sikur ato te “Presidenti Thaçit se kjo vetëm është sajuar nga Kryeministri Albin Kurti dhe Vetëvendosja” dhe në të ardhmen që do të ketë edhe të thema tjera, për ta arsyetua veten apo subjektin ta cilit i takojnë, opinioni-populli i kupton se ata në çdo mënyrë do të mundohen ta mbrojnë veten se “janë të pastër”, dhe e vërteta është se nëse nuk zmbrapset Albini nga zbulimi dhe zbardhja e këtyre vrasjeve, dhe shumë të këqijave që ju kanë bërë Kosovës që nga lufta e deri me tani, këta që e kanë prua në këtë situatë Kosovën, ndaj Albinit do të përdorin kërcënimet më serioze e ndoshta edhe të tentim vrasja e tij”, vlerëson Tërnava.

Kajtazi e quan të rrezikshëm Kurtin

Ndërkohë, njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi i pyetur nëse qytetarët e Kosovës janë të rrezikuar nga grupacione të tilla si “Garda Vullnetare Shqiptare”, ai thotë se rreziku më i madh që i kanoset Kosovës është kryeministri Albin Kurti.

Image
Fadil Kajtazi

Kajtazi thotë se Kurtin e bën të rrezikshëm vetë fakti që është i padëshirueshëm në SHBA.

“Rreziku më i madh i Kosovës tani për tani është Zoti Kurti i cili ka izoluar ndërkombëtarisht Kosovën. Prej se ka ardhur në pushtet nuk ka pas as edhe një ftesë për vizitë në vendet perëndimore dhe nuk e ka vizituar as një personalitet ndërkombëtar. Aq më tepër e bën të rrezikshëm fakti që ai është i padëshirueshëm në SHBA. Nëse një gjë e tillë do t’i ndodhte kancelares Merkel, as ajo si kryeministre e një vendi të fuqishëm nuk do të mund të qëndronte në pushtet më shumë se një javë”, thekson Kajtazi.

Ai thotë më tutje se Kurti ka qenë kundër Rambujesë, kundër Planit të Ahtisarit, i ka shkruar letër kërcënuese Olbrigt, ka sulmuar ambasadoren amerikane Jacobson përmes aktivistëve të tij.

“Dhe po ta shikosh karrierën politike të zotit Kurti, ajo kryesisht mbështetet në kërcënime dhe dhunim të lirisë dhe formalizimit shtetësisë së Kosovës. Zoti Kurti ka qenë kundër Rambujes, proces i cili vendos bazat e lirisë së Kosovës, ka demostruar dhunë kundër Planit të Ahtisarit, proces që formalizon shtetësinë e Kosovës, ka kryer sulme me armatim të shkatërrimit në masë në sallën e Kuvendit të Kosovës, i ka shkruar letër kërcënuese sekretares së shtetit Medlin Olbrajt, ka organizuar aktivist të VV që ta sulmojnë fizikisht ambasadoren Jacobson, ka organizuar sulme dhe djegie të pasurisë së personave publik të Kosovës. Prandaj, një person i cili është i prirur të dhunoj të tjerët, edhe vet aty do të përfundoi”, vlerëson Kajtazi.

Njohësi i sigurisë thotë tutje se Kurti dhe Vetëvendosja nga prononcimet e tyre po nënkuptojnë së pavarësisht vendimi të Kushtetueses ata do të mbajnë pushtetin dhe ky është kërcënimi më serioz që i bëhet vendit.

“Fakti se zoti Kurti dhe LVV nga prononcimet e tyre po nënkuptojnë se pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese ata do të vazhdojnë të mbajnë pushtetin, është njëri ndër kërcënimet me serioze që i bëhet vendit. Sido që të jetë, policia dhe shërbimi inteligjent duhet të kryejnë punën e tyre, ta ndriçojnë këtë rast. Pavarësisht jetës, historisë politike të zotit Kurti, kërcënimi është kërcënim, është metodë e shëmtuar përmes të cilës tentohet të arrihen qëllimet politike”, thekson Kajtazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat