Vendimi i Kushtetueses, analisti politik jep parashikimin: Ja kur do të merret vendimi për shtyrjen para të dekretit presidencial

Politika

Vendimi i Kushtetueses, analisti politik jep parashikimin: Ja kur do të merret vendimi për shtyrjen para të dekretit presidencial

Nga: N. H Më: 24 maj 2020 Në ora: 20:00
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Më 30 prill, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.

Gjersa, Gjykata Kushtetuese pezulloi deri me 29 maj zbatimin e dekretit për mandatarin e ri.

Edhe pak ditë kanë mbetur nga 29 maji, dita edhe kur parashihet të vendoset nëse qeveria apo presidenti kanë të drejtë.

Analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka folur gjatë rreth pritjeve të vendimit të fundit të Kushtetueses. Ai pret që brenda pak ditësh të vendoset gjithçka rreth dekretit për mandatarin.

“Gjykata Kushtetuese si gardian suprem i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimeve të të institucioneve dhe të organeve në Republikën e Kosovës, si autoritet suprem dhe i pa kontestueshëm, bënë interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nuk shkruan atë. Meqë e njëjta, konform kompetencave kushtetuese, merr vendime, ekskluzivisht për raste specifike të ngritura nga palët e interesuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës sipas nenit 113, paragrafi 1. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila miratoi masën e përkohshme të pezullimit të dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr 24/2020 të datës 30 prill 2020 deri në një vendim meritor, kufizuar me datë 29 maj 2020, palët kishin të drejtën e dërgimit të komenteve në lidhje me vendimin për pezullim deri më 08 maj 2020, gjë që ndodhi sipas të gjitha gjasave”, është shprehur të dielën analisti Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai parashikon se javën që po hyjmë, duhet të bije vendimi për shtyrjen para të dekretit presidencial në lidhje me mandatarin për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Image
Fatmir Bajraj

“Presioni i palëve, kryesisht i institucionit të Presidentit dhe nga LVV-ja dhe Kryeministri në ikje, Albin Kurti, u shpërfaqë me të drejtë edhe nga vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ditë më parë, tërhoqi vërejtjen palëve për ruajtjen e qetësisë nga palët deri në marrjen e vendimit meritor të kërkesës. Nga këndi im i vështrimit, nga përvoja dhe logjika e funksionimit të demokracisë parlamentare në njërën anë, dhe nga ajo që është e shkruar taksativisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, më rezulton me sa vijnë; Javën që po hyjmë, duhet të bije vendimin meritor për shtyrjen para të dekretit presidencial në lidhje me mandatarin për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, përkatësisht; Dekreti i Presidentit të shpallet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, vendim ky i cili do pasohej me procedimin urgjent në Parlament dhe votimin e Qeverisë Hoti, që le jashtë qeverisjes VV-në e Kurtit”, tha ai.

Bajraj ka shtuar se zgjidhja teorike, për dhënien e një mundësie shtesë VV-së, dhe një afati 10-15 ditësh, sipas tij, nuk do ishte në normën dhe germën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe si e tillë, është pak e besueshme që një gjë e tillë mund të ndodhë si vendim i Gjykatës Kushtetuese.

“Lëvizja Vetëvendosje e ‘refuzon’ këtë solucion, edhe për faktin se kjo e fundit, dështoi të qeverisë dhe bashkëqeverisë me partneret politik potencial të spektrit politik parlamentar, andaj, e vetëdijshme për faktin se nuk dëshiron askush të qeverisë me të (VV-në), përkatësisht; mungesa e partnerëve, edhe e shtyri të mos provoj të gjeneroj një zgjidhje për formimin e një shumice të re, e drejtë kjo e cila u shtërrua nga LVV-ja me një refuzim ‘elegant’ duke mos dërguar kandidatin dhe duke insistuar në nenin 82.2, nen i cili sugjeron shpërndarjen e Parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme. Shumica absolute parlamentare është deklaruar për formimin e një shumice të re në të njëjtën legjislaturë dhe formimin e Qeverisë e cila do shtynte tutje proceset delikate dhe komplekse të vendit, duke hedhur poshtë zgjedhjet si zgjidhje”, ka shtuar Bajraj.

“Java e parë e qershorit, duhet të kurorëzoj me sukses përpjekjet dhe eksplorimin gjeneroz të shumicës absolute të Sovranit me votimin dhe mandatimin në Parlament të Qeverisë Hoti. Një vendim jashtë normës dhe gërmesë së Kushtetutës, do ishte inkompatibil me kompetencat dhe autoritetin e gardianit (Gjykata Kushtetuese), dhe do ishte një precedent me pasoja dhe në fund të fundit do ngriste tensionet në vend që të jetë e kundërta. LVV-ja dhe Kryeministri i shkarkuar Kurti, teorikisht e di vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendim ky i cili bie ndesh me pretendimet e Lëvizjes, por nuk do e pranojnë vendimin me qëllimin që në të ardhmen, ta ngrisin në kauzë; si shkelje të Kushtetutës, si marrje dhe grabitje në tavolinë të pushtetit nga humbësit dhe alibi tjera të cilat mbajnë peshë populizmin përmes viktimizimit, poentë kjo e cila fatkeqësisht deri tani po i pi ujë”, ka theksuar analisti politik, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Krejt në fund, ai nënvizon se Gjykata Kushtetuese, duhet të lëvizë me vendimin e saj të shumëpritur nga qytetarët e Kosovës, dhe vendi të bëhet me Qeveri legjitime dhe legale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat