Rrëfehet ushtari i plagosur në Koshare: Ja si luftuam fyt për fyti me serbët, këto janë humbjet që ua shkaktuam atyre

Politika

Rrëfehet ushtari i plagosur në Koshare: Ja si luftuam fyt për fyti me serbët, këto janë humbjet që ua shkaktuam atyre

Nga: N.Sh Më: 25 maj 2020 Në ora: 08:55
Arif Maloku dhe ushtari i vrarë serb në Koshare

Luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arif Maloku, tregon se me 14 dhe 15 prill ‘99 një pjesë e “COBRAVE” kanë zhvilluar luftime në mbrojtje të pozicioneve përball minahedhësve dhe një pjesë tjetër me Naserin kanë vazhdua në drejtim të kroit të Mehmetit ku janë përball me forcat serbe në luftime.

Maloku, bashkëluftëtar i Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt në pjesën e fundit të rrëfimit të tij, për luftën në Koshare, thotë se, armiku donte të i mbajë nën presion duke i sulmuar e garantuar që ata të lodhen, mirëpo vullneti e gatishmëria për ta liruar vendin nga armiku më barbarë serbë nuk mungonte në mesin e bashkëluftëtarëve tanë.

“Dita e 16 prillit ishte një ditë sa e lavdishme për ne aq edhe e dhimbshme, gjatë luftimeve, forcat barbare serbe tentonin që ti tërhiqnin kufomat ushtarëve të vrarë gjatë ditëve të mëparshme, mirëpo edhe kjo ditë ju kushtoj me dhjetëra ushtarë serbë të vrarë dhe të plagosur. Shumë shpejt është kërkua nga Saliu që Naserit ti bashkëngjitëm unë, Jeton Pajaziti dhe Milaim Mazreku ndërsa “COBRAT” tjerë të shkojnë me të. Jetoni, Milaimi dhe unë me Naserin dhe një ushtarë  që nuk më kujtohet jemi nisur në drejtim të kroit ku veç tani zhvilloheshin luftimet në anën e majtë të kroit të Mehmetit, ku gjendeshin dhe ushtarë të batalionit të dytë me Skënderin, perball dhe në krahun e djathtë”, vazhdon ai.

“Ne me të arritur në vijën e parë ku nga krahu i djathtë arrin Saliu, kam vërejtur se përnjëherë nga krahu i majtë se është i plagosur Skënderi dhe ishin disa ushtar duke i dhënë ndihmën e parë. Për një moment arrin edhe Saliu me që u vendosë në krahun e majtë timin. Ne mendonim se në drejtimin ku ishim nisë se janë forcat tona të vendosura që ishin bashkangjitur qysh në thyerjen e kufirit me një komandant Luanin, mirëpo aty ishin pozicionuar forcat serbe. Naseri kërkoj që të kemi kujdes se edhe nga ai drejtim po vinë plumbat në drejtimin tonë. Në ndërkohë komandant Saliu ka kërkua nga unë që të shkoj të marr radiolidhjen nga Komandant Skënderi të cilit i epej ndihma e parë nga ushtarët e tij, posa kam arritur tek ai kam marr radiolidhjen dhe jam kthyer prapë në pozicion pran Saliut dhe Milaimit ku me ne ishte dhe Naseri, deri sa zhvilloheshin luftime ushtarë me ushtarë njësi me njësi, ku zhvilloheshin luftime të tmerrshme nga dy anët”, tregon ai.

Maloku thotë se komandant Saliu akoma ishe në dyshime se a janë forcat e UÇK-së apo ato serbe. Por, sipas tij, Milaimi pasi i kishte tylbit i ka parë një grumbull ushtarë serb të veshur edhe me helmeta dhe me shenja serbe, dhe përnjëherë Saliu ka dhënë urdhër që të hapim zjarr në drejtim të tyre që në atë moment i vriten armikut disa ushtar.

“Tashmë ishte e qartë vija e mbrojtjes dhe shtrirja e armikut që për neve ishte shumë më lehtë. Në ndërkohë në drejtim timin, një largësi afërsisht 25-30 metra kam vërejtur pranë një guri, një ushtar serb, se ka ngritur kokën dy herë ka shikua në drejtim timin, deri sa unë e prisje ta ngrit kokën prapë dhe momentin që e ka ngrit përnjëherë kam shti në të, por edhe ai në mua ku me ka qëlluar në nofull, gjegjësisht në pjesën e gojës kjo ishte plagosja e dytë për mua gjatë luftës së UÇK-së (vitit 98 dhe 99). Ndihmën e parë e kam marrë nga Milaim Mazreku përderisa Naseri me Saliun dhe shokët kanë vazhduar luftimet. Unë nuk kisha akoma njohuri se a kemi ndonjë ushtarë tanin të vrarë, porsa e kam marr ndihmën e parë më kanë drejtuar për në Kazermën e Koshares ku menjëherë me një veturë më kanë dërgua në Bajram Curr, në spitalin ushtarak. Aty kam marr trajtimin e mëtejshëm mjekësor dhe të nesërmen më kanë dërguar për në spitalin ushtarak të Tiranës”, pohon ai.

Ai tregon se si e ka kuptuar edhe rënien dëshmor të djalit të axhës së tij.

“Më 18 prill unë e kuptova se kushëriri im i dashur, djali axhës Fadili, po atë ditë kur unë isha plagosur, ai kishte rënë dëshmorë në vijën e parë të mbrojtjes, për të cilin do të flasin shokët që ishin ato qaste pranë tij. Kjo ishte një humbje dhe dhimbje e madhe si për mua, familjen Maloku, poashtu dhe për të gjithë ata që e njohën Fadilin si një trim të rrallë e të gatshëm për të sakrifikuar çdo gjë, vetëm se vendit të vet ti sjellë lirinë”, tregon Maloku duke shtuar së më pas për trajtim mjekësor e kanë orientuar në Spitalin Austriak.

“Ky ishte një rrëfim i shkurtër i imi, ku shpresoj se në të ardhmen bashkërisht me shokët do të përmbledhim rrëfimet në detaje dhe dokumentarët pa hijeshime, pa trillime, por vetëm ashtu si janë zhvilluar luftimet e jo si kemi dëshirë ne apo dikush tjetër. Për kohen e luftës jam tejet i kënaqur me atë që na ofroj lufta ku ndiheshim si një familje, e për kohën që jem tani do t’i mbetet secilit në ndërgjegjen e vetë”, përfundon rrëfimin e tij luftëtari i njësisë “COBRA”, Arif Maloku. FUND!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat