Zyrtari i VV-së flet për “Bota sot”: Presidenti Thaçi ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës, dhe atë të shumëfishtë

Politika

Zyrtari i VV-së flet për “Bota sot”: Presidenti Thaçi ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës, dhe atë të shumëfishtë

Nga: N. H Më: 26 maj 2020 Në ora: 21:11
Adnan Rrustemi

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës, me mospërmbushje të përgjegjësisë për të shpërndarë Kuvendin pas mocionit ndaj Qeverisë “Kurti”.

Rrustemi po ashtu ka thënë se i pari i shtetit ka bërë shkelje edhe kur ka konstatuar jashtë autorizimeve të tij kushtetuese se Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar kandidatin për kryeministër.

“Presidenti ka bërë shkelje flagrante të Kushtetutës, dhe atë të shumëfishtë. Mospërmbushja e përgjegjësisë për të shpërndarë Kuvendin sipas nenit 82.2, ashtu siç ka ndodhur sa herë që ka pasur mocion të mosbesimit në Kosovë si në vitin 2010 dhe 2017. Nuk ka kurrfarë dallimi kushtetues në mes të mocionit të mosbesimit të këtij vitit dhe mocioneve të vitit 2010 dhe 2017. Në dy rastet e mëparshme kur është votuar suksesshëm mocioni i mosbesimit, Kuvendi është shpërndarë brenda të njëjtës ditë dhe pa kurrfarë konsultimi me partitë politike. Po ashtu, Presidenti ka bërë shkelje edhe në rrugën që ka ndjekur sipas nenit 95 të Kushtetutës, duke konstatuar jashtë autorizimeve të tij kushtetuese se Lëvizja Vetëvendosje ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar kandidatin për kryeministër, edhe pse Lëvizja asnjëherë as nuk ka refuzuar dhe as nuk ka hequr dorë”, ka thënë ai.

Ai ka shpjeguar se presidenti aktual në mënyrë arbitrare ka caktuar afatin 20 ditësh, i cili, sipas tij, nuk ekziston në Kushtetutë, duke i dhënë kështu mandatin partisë që nuk ka fituar zgjedhjet.

“Për më tepër Presidenti në mënyrë arbitrare ka caktuar afatin 20 ditësh, i cili nuk ekziston në Kushtetutë, duke i dhënë mandatin partisë që nuk ka fituar zgjedhjet. Çfarë nuk ekziston në Kushtetutë nuk mund të zbatohet, por as nuk mund të plotësohet e rishkruhet as nga Gjykata Kushtetuese e as nga Presidenti. Shkeljet janë të hapura dhe të dukshme, andaj kërkesa që kemi parashtruar në Gjykatë kërkon konstatimin e antikushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit”, shpjegon anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fund, Rrustemi ka thënë se nisur nga këto shkelje flagrante të Kushtetutës nga Hashim Thaçi, nuk ka opsion tjetër veç konstatimit të antikushtetutshmërisë së dekretit dhe për rrjedhojë shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Gjykata Kushtetuese ka mandatin për të interpretuar Kushtetutën, kurse Kuvendi ka kompetencën për të ndryshuar e plotësuar Kushtetutën. Nisur nga kjo dhe shkeljet flagrante dhe të rënda të Kushtetutës nga ana e Presidentit, se nuk ka opsion tjetër veç konstatimit të antikushtetutshmërisë së dekretit dhe për rrjedhojë shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje”, ka thënë në fund Rrustemi për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur afat deri të premten për të publikuar vendimin rreth kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri për formimin e qeverisë së vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat