A ka përçarje brenda LDK-së? Flet deputetja e kësaj partie – ja çfarë thotë për Vjosa Osmanin

Politika

A ka përçarje brenda LDK-së? Flet deputetja e kësaj partie – ja çfarë thotë për Vjosa Osmanin

Nga: N. H Më: 29 maj 2020 Në ora: 21:53
Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vlora Limani-Hajnuni, ka folur rreth raportimeve se në këtë subjekt ka përçarje.

Limani-Hajnuni për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet unike, pavarësisht zërave se është e përçarë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja parti në Kosovë që e kultivon dhe e mbron idenë e mendimit dhe vendimit ndryshe brenda organeve të partisë. Mendimi dhe vendimi ndryshe i njerëzve të LDK-së në organet e partisë, nga jashtë mbase mund të shihet edhe si përçarje e LDK-së. Megjithatë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet unike pavarësisht zërave se është e përçarë”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Kurse, e pyetur se cili është mendimi i saj për Vjosa Osmanin, dhe se a do të vazhdojë të qëndrojë kjo e fundit në LDK, deputetja Limani-Hajnuni ka thënë se Osmani me ose pa vetëdije por krejtësisht me një qasje të gabuar, ka hyrë në një territor ku, Presidenti e Kryeministri po e zhvillojnë betejën personale për interesa politike ditore.

Image
Vlora Limani Hajnuni

“Si njëra nga përkrahëset e pakusht të znj. Osmani, mendoj që znj. Osmani me ose pa vetëdije por krejtësisht me një qasje të gabuar, ka hyrë në një territor ku, Presidenti e Kryeministri po e zhvillojnë betejën personale për interesa politike ditore e për egot e tyre personale. Prandaj, duke hyrë e qëndruar në një mesë të tillë, znj. Osmani më së shumti po e dëmton vetën e saj. Mendoj që znj. Osmani nuk mund të jetë “Vjosa Osmani” në një parti tjetër, përveç LDK-së. Dalja eventuale e saj nga LDK nënkupton edhe heqje dorë nga karakteri i vet Vjosës. E pa karakterin e “Vjosës së LDK-së”, znj.Osmani nuk mund të jetë kjo që është”, ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vlora Limani-Hajnuni, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat