15 vjet nga vrasja misterioze e gazetarit Bardhyl Ajeti, familjarët thonë se vrasja u planifikua nga njerëz të veshur me kostum politik

Politika

15 vjet nga vrasja misterioze e gazetarit Bardhyl Ajeti, familjarët thonë se vrasja u planifikua nga njerëz të veshur me kostum politik

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 3 qershor 2020 Në ora: 08:01
Gazetari i vrarë i gazetës “Bota sot” Bardhyl Ajeti

Vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti, vazhdon edhe sot e kësaj dite të mbetet një mister i pazgjidhur për organet e drejtësisë në vend, pavarësisht gjithë këtyre viteve që kanë kaluar.

15 vite më parë, gazetari i gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajeti, po shkonte rrugës për në Gjilan, me saktësisht në fashtin Bresalc, kur u qëllua me armë zjarri, ku edhe mbeti i plagosur.

I vetmi dëshmitarë i kësaj ngjarje ishte një taksist i cili po e tërhiqte makinën e Ajetit pas një prishje që kishe pësuar, megjithatë ky dëshmitarë M.G. nga fshati Përlepnicë e Gjilanit ishte ndjerë i kërcënuar dhe është larguar drejt Norvegjisë.

Më 25 qershor gazetari Bardhyl Ajeti ndërroi jetë në Milano të Italisë, ku ishte dërguar për trajtim.

Prokuroria vazhdon të mos ketë përgjigje lidhur me hetimet për vrasjen e Bardhylit.

E, familjarët e Bardhyl Ajetit janë tejet të zhgënjyer me organet e drejtësisë, që për 15 vite nuk arritën të bëjnë pothuajse asgjë për ta bardhur të vërtetët për djalin e tyre.

Vëllai i Bardhylit, ka treguar ekskluzivisht për gazetën “Bota sot”, se për 15 vite më radhë nuk është ndalur së kërkuari drejtësi për vrasjen e Bardhylit, mirëpo drejtësia për të është vonuar dhe po vazhdon të vonohet.

Kurse, bashkëpunëtorët e Bardhyl Ajetit, kanë thënë se vrasja e gazetarit që me përkushtim heroik në kohët dhe rrethanat më të vështira, guximshëm u përpoq të ishte në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të mendimit të lirë, gjë e cila ishte e papranueshme për një grup politik që po thirrej në të ashtuquajturat vlera të luftës.

Vëllai i Bardhylit: Vrasja puro politike - prokuroria hesht, shteti hesht, kriminelët shëtitën të lirë

Vëllai i gazetarit Bardhyl Ajeti, Fitimi, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vrasja e Bardhylit vazhdon të mbetet një mister i pa zbuluar për drejtësinë në vend.

Sipas tij, vrasja e vëllait ka qenë një vrasje puro politike për interesa të ngushta të grupeve të caktuara klanore.

“Sot më 3 qershor 2020 bëhen 15 vite nga atentati vdekjeprurës ndaj vëllait tim gazetarit, redaktorit, kolumnistit të gazetës kombëtare “Bota sot”, dhe kryetarit të lidhjes së gazetarëve të Kosovës (LGK), Bardhyl Ajetit. Unë si vëlla i Bardhylit, Fitmi që 15 vite kërkoj drejtësi për vrasjen e Bardhylit mirëpo drejtësia për Bardhylin është vonuar dhe po vazhdon të vonohet. Vrasja e Bardhylit vazhdon të mbetet mister i pa zbuluar për drejtësinë në vend. Vrasja e Bardhylit siç dihet botërisht ka qenë vrasje puro politike për interesa të ngushta të grupeve të caktuara klanore”, ka thënë Fitim Ajeti, për gazetën “Bota sot”.

Ai me tej për gazetën “Bota sot”, tregon se i vëllai i tij ishte gjithmonë i dashur për të gjithë, përveç kriminelëve dhe bandave të nëntokës.

Ndërsa, me tej ai tregon se kjo vrasje nuk ka ndodhur rastësisht, por, sipas tij, ka qenë mirë e organizuar dhe e planifikuar nga njerëz të veshur me kostum politik.

“Bardhylin të gjithë e donin përveç kriminelëve dhe bandave të nëntokës. Sepse ai shquhej si gazetar dhe redaktor i guximshëm i gazetës kombëtare ‘Bota sot’ dhe ishte aktivist i njohur i LDK-së, që i kushtuan me jetë. Forca e krimit ende është e madhe dhe prezente në shoqërinë tonë. Kjo vrasje nuk ka ndodhur rastësisht, por ka qenë mirë e organizuar dhe e planifikuar nga njerëz të veshur me kostum politik dhe të cilët ishin në shërbim të interesave material të grupeve mafioze”, ka treguar ai.

Fitmi po ashtu thotë se vëllai i tij kishte synim që kriminelëve t’ua hiqte maskën, dhe t’ua thoshte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Kurse, për prokurorinë e shtetit dhe organet e tjera të drejtësisë ai shprehet se është i zhgënjyer, pasi konsideron se kjo e fundit ka dështuar të bëjë diçka më shumë për ta zbuluar të vërtetën për vëllain e tij.

“Bardhyli donte t’ua hiqte maskën kriminelëve dhe të zbulonte krimin politik dhe ekonomik të cilat e kishin kapluar shoqërinë tonë, dhe t’ua thoshte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Prokuroria hesht, shteti hesht, kriminelët shëtitën të lirë. Gjykata Speciale ka mbetur shpresa e vetme dhe e fundit për zbardhjen e vrasjes së vëllait tim dhe të gjitha vrasjeve tjera politike të kryera para dhe pas përfundimit të luftës. Shpresojmë se një ditë kriminelët do ta marrin dënimin e merituar”, ka deklaruar vëllai i gazetarit Bardhyl Ajeti, Fitimi, për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Vrasësit kanë qenë të porositur nga segmentet e caktuara shtetërore

Bashkëpunëtori i gazetës kombëtare “Bota sot”, Skënder Zogaj, ka thënë se, Vrasjet pas luftës janë bërë për motive politike.

Image
Skënder Zogaj

Zogaj është i mendimit se vrasësit kanë qenë të porositur nga segmentet e caktuara shtetërore.

“Vrasjet pas luftës, të një numri shumë të madh të personaliteteve të shquara intelektuale, kryesisht veprimtarë demokrat të krahut të djathtist, është dëshmi e mjaftueshme për të konstatuar se, vrasjet janë bërë për motive politike. Kjo tregon se, vrasësit kanë qenë të porositur nga segmentet e caktuara shtetërore që kanë bashkëpunuar me strukturat e organizuara kriminale, të cilat, pas krimeve të kryer e kanë pasur te sigurt mbrojtjen shtetërore”, ka thënë Zogaj.

Tutje, Zogaj shprehet se organet e drejtësisë në vend kanë qenë të kapura, prandaj, sipas tij, edhe kanë dështuar të zbardhin të vërtetën e shumë vrasjeve që kanë ndodhur në vend.

“Të gjithë e dimë se, organet e drejtësisë kanë qenë të kapura prandaj, vrasjet politike as pas 20 vjetësh mbeten të pazbardhura, siç është edhe rasti i Bardhyl Ajetit, Besim Kastratit, Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, etj. burra të shquar atdhetarë. Neglizhenca e organizuar e drejtësisë është krim i dyfishtë, sepse, heshtja e njerëzve të drejtësisë është krim i barabartë me dorasit, gjë që, të këtillët duhet ta kenë parasysh, se herdokurdo kanë për të dhënë përgjegjësi”, shprehet Zogaj.

Por, bashkëpunëtori shumëvjeçar i gazetës “Bota sot, Skënder Zogaj ka një shpresë se një ditë kriminelët kanë për ta marr dënimin e merituar.

“Sa e di unë, nuk janë të panjohur emrat e të gjithë atyre që për pengimin e zbardhjes së vrasjeve kanë bërë karrierë dhe pasuri të majme. Veprat e këtilla nuk vjetrohen kurrë dhe unë shpresoj se, të gjithë kriminelët kanë për ta marr dënimin e merituar”, ka thënë Zogaj.

Haziri: Shpresa e vetme është Gjykata Speciale

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri shprehet se Bardhyl Ajeti për vite guximshëm u përpoq të ishte në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të mendimit të lirë, gjë që, sipas tij, kjo ishte diçka e papranueshme për një grup politik që po thirrej në të ashtuquajturat vlera të luftës.

Image
Nexhat Haziri

“U bënë 15 vite nga vrasja e Bardhyl Ajeti, gazetarit dhe kolegut tonë që me përkushtim heroik në kohët dhe rrethanat më të vështira, guximshëm u përpoq të ishte në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të mendimit të lirë, gjë që kjo ishte diçka e papranueshme për një grup politik që po thirrej në të ashtuquajturat vlera të luftës, dhe në emër të tyre, po ushtronin dhunë dhe vrasje, ndaj së cilit që e konsideroni si pengesë në rrugën e tyre drejtë pushtetit, namit dhe parasë”.

Haziri potencon se në këtë tragjedi të Kosovës së pasluftës, pjesë e këtij dështimi ishte edhe administrate ndërkombëtare, e quajtur në atë kohë si UNMIK.

“Vrasja e kolegut tonë Bardhyl Ajetit si dhe vrasjet e pasluftës të personaliteteve të jetës politike e shoqërore të Kosovës, të cilat drejtësia si ajo ndërkombëtare e kohës e si kjo vendore sikur nuk dëshiruan, apo ishin të ndikuara nga politika e parapolitika zbardhjen e këtyre vrasjeve që po vazhdojnë të jenë një mallkim që po e përcjellin shoqërinë edhe në ditët e sotme”.

“Në këtë tragjedi të Kosovës së pasluftës, pjesë e këtij dështimi ishte edhe administrate ndërkombëtare, e quajtur në atë kohë si UNMIK, e cila edhe pse kishte mundë si për zbulimin e këtyre rasteve, sipas fakteve dhe dëshmive që sot flitet për to, gjoja në emër të ruajtjes së stabilitet të brendshëm politik, heshti dhe nuk beri as edhe një veprim konkret për zbardhjen e këtyre vrasjeve, pasi sikur që e dimë se në atë kohë drejtësia dhe organet e tjera të sigurisë, ishin kompetencë ekskluzive e kësaj administrate”, tha ai.

Në fund, analisti Haziri nënvizon se për vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajeti, por edhe vrasjet e tjera të personaliteteve politike shoqërore, shpresa mbetët vetëm tek Gjykata Speciale.

“Por vrasjen e gazetarit Bardhyl Ajetit nuk u trajtua as nga misioni i EULEX-it, e të mos flasim për drejtësinë vendore e cila është e kapur dhe e ndikuar politikisht nga të ashtuquajturit të ‘fortit e UÇK-së’ të cilët në mos ekzekutorët, urdhërdhënësit janë gjithsesi. Andaj , shpresa për zbardhjen e vrasjes së Bardhyl Ajetit, por edhe vrasjet e tjera të personaliteteve politike shoqërore, mbetët Gjykata Speciale, e cila është e vetmja institucion i drejtësisë që mund ta kthej besimin në drejtësi në shtetin tonë dhe shpresën për një shoqëri normale e cila nuk sundohet nga politikan që jo pak nga ta kanë dosje të trasha të krimit, sidomos ata që vijnë nga i ashtuquajturi ‘krahu i luftës’”, tha në fund, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat