Qeveria e varur nga Lista Serbe, Bytyçi tregon kushtëzimet e tyre dhe rolin e Avdullah Hotit në dialogun me Serbinë

Politika

Qeveria e varur nga Lista Serbe, Bytyçi tregon kushtëzimet e tyre dhe rolin e Avdullah Hotit në dialogun me Serbinë

Nga: G.B Më: 5 qershor 2020 Në ora: 10:43
Avdullah Hoti

Me 61 vota nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, të martën u zgjodh Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Kjo qeveri vjen pas koalicionit të arritur në mes të LDK-AAK-Nisma dhe Lista Serbe.

E nga kjo e fundit janë 10 deputetë që i dhanë votën qeverisë, derisa dhe do të kemi një zëvendëskryeministër serb.

Në anën tjetër, Hoti tashmë kryeministër i Kosovës, dy vite më parë kishte deklaruar se nuk mund të jetë stabile një qeveri me 61 vota dhe votat e Listës Serbe, duke shtuar se LDK nuk do të lejojë asnjëherë që ajo ta përcaktojë fatin politik të Kosovës.

Lidhur me gjithë këtë, për gazetën "Bota sot" profesori universitar, Enver Bytyçi, ka thënë se kjo qeveri duket se është e ligjshme si proces por është e paligjshme nga pikëpamja e besimit të sovranit, ku partia fituese nuk është pjesë e qeverisë.

"Parlamenti i Kosovës votoi formimin e një qeverie të re të kryesuar nga zoti Abdullah Hoti, si përfaqësues i Lidhjes Demokratike. Për formimin e saj votuan 43 deputetë shqiptarë dhe ishin kundër 57 të tjerë. Por asaj ia dhanë votëbesimin 20 deputetët e Listës Serbe si dhe të minoriteteve të tjera. Për pasojë qeveria e zotit Hoti fitoi 61 votat e nevojshme për t'u konfirmuar në pushtet. Kjo qeveri duket se është e ligjshme nga pikëpamja e procesit, por gjithsesi ajo mbetet një qeveri jolegjitime nga pikëpamja e besimit të sovranit, zgjedhësve. Është hera e parë që qeverinë e Kosovës nuk e formon subjekti fitues i zgjedhjeve, qoftë kjo parti politike apo koalicion zgjedhor. Për këtë arsye vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbetet kontravers, pra i diskutueshëm. Megjithatë tashmë Kosova e ka një qeveri, e cila dje në Kuvend paraqiti edhe programin e saj politik", është shprehur ai.

Sipas Bytyçit, kjo qeveri do të jetë e varur nga Lista Serbe-Beogradi dhe nuk do të mbijetojë gjatë.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

"Por kjo qeveri është dhe do të jetë e varur kryekëput nga deputetët e Listës Serbe, d.m.th nga Beogradi. Si e tillë qeveria Hoti nuk do ta ketë shansin të mbijetojë gjatë. Ajo është e detyruar ose të bëjë lëshimet e kërkuara nga Beogradi dhe në këtë rast do të ketë kundërshtinë e zgjedhësve në Kosovë. Ose të mos i pranojë këto lëshime dhe për pasojë t'i nënshtrohet një presioni të fuqishëm të jashtëm, derisa t'i drejtohet sovranit. Në të dy rastet qeveria e sotme do ta çojë Kosovën në një krizë pa kthim. Kriza do të ketë si zgjidhje votën e qytetarëve. Ndaj qeveria Hoti nuk mund të jetë afatgjatë", ka vlerësuar profesori.

Ai shton se qeveria ka bërë lëshime të rrezikshme dhe antikombëtare, duke i dhënë Listës Serbe pozita të rëndësishme në institucionet e shtetit.

"E vërteta është se qeveria, e cila mori votat e deputetëve serbë, për të fituar besimin e tyre, ka bërë lëshimet të papranueshme, të cilat do t'i konsideroja të rrezikshme dhe antikombëtare. Ajo kapitulloi ende pa u votëbesuar, sepse pranoi që Lista Serbe të marrë pozicione të rëndësishme në institucionet e shtetit, pozicione të cilat nuk ia jep kushtetuta e vendit. Me marrëveshjen midis dy subjekteve politike në koalicion kjo listë merr këto pozicione: Zëvendëskryeministrin, zëvendësdrejtorin e AKI (Agjensia Kombëtare e Inteligjencës), zëvendëskomandantin e FSK, zëvendësambasadorin e Kosovës në SHBA etj. Ajo do të ketë veto në vendimmarrjen e këtyre institucioneve, veto mbi vendimmarrjet në FSK, AKI, Diplomaci dhe Polici. Po kështu ajo merr edhe zëvendësministrin e Ekonomisë, i cili do të ketë veto në shitjen e aseteve", ka theksuar Enver Bytyçi për "Bota sot".

Sipas tij, me këto lëshime që i ka bërë Hoti përballë Beogradit, vetoja dhe kontrolli që serbët do të kenë në institucionet e vendit, përfshirë edhe shërbimin informativ, e vendosin Kosovën në kushtet e një protektorati ndaj Serbisë.

"Kësisoj, që në krijimin e saj qeveria Hoti ka marrë pamjen e një qeverie tipike vasaliste ndaj Serbisë. Serbët e quajnë edhe sot pas 631 vitesh Vuk Brankoviç tradhtar të interesave serbe, pse ai aso kohe, pas humbjes së Betejës së Fushë-Kosovës, nënshkroi marrëveshjen e nënshtrimit me Perandorinë Osmane, së cilës thjesht do t'i paguante një taksë. Në atë marrëveshje nuk kishte kaq shumë lëshime si këto, të cilat i ka bërë Hoti përballë Beogradit! Unë nuk e di se si do të quhen autorët, skenaristët dhe regjisorët e kësaj marrëveshjeje me Listën Serbe, d.m.th me Serbinë, sepse Lista Serbe edhe dje u deklarua se do të mbrojë interesat e Serbisë në Kosovë. Pra duhet pranuar se çdo lëshim i tillë ndaj kësaj partie është lëshim ndaj Serbisë dhe qeverisë së Beogradit. Shkurt, vetoja dhe kontrolli që serbët do të kenë në institucionet e vendit, përfshirë edhe shërbimin informativ, e vendosin Kosovën në kushtet e një protektorati ndaj Serbisë", ka deklaruar ai.

Bytyçi përmend deklaratën e vitit 2018 të Hotit, për të cilën thotë se paska qenë gënjeshtër, që tani ndryshoi qëndrim kur erdhi në pushtet me votat e Vjosa Osmanit.

"Vetë kryeministri i sotëm i Kosovës, Abdullah Hoti, më 27 mars 2018 ka shkruar se "LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës”. Unë mendoj se ai kishte të drejtë në atë kohë. Por deklarata e tij paska qenë një rrenë e madhe dhe pasojë e dështimit të tij për t'u bërë kryeministër i vendit, post për të cilin atë e kishte kandiduar Lidhja Demokratike e Kosovës. Tani që erdhi në pushtet me votat e një kandidati tjetër të LDK-së për kryeministre, pra me votat e Vjosa Osmanit, ndryshoi qëndrim. Ende pa u votëbesuar, u dha serbëve në dorë jo vetëm pjesë të integritetit, por edhe një pjesë të sovranitetit shtetëror të vendit. Kosovën me qeverinë Hoti e kontrollon tashmë plotësisht Beogradi. Kjo nuk është se ndodh për herë të parë. Me ardhjen e Edi Ramës dhe kthesën e Hashim Thaçit prej vitesh Kosovën e kontrollon Aleksandër Vuçiq. Ndërkaq qeveria Hoti duket se erdhi në pushtet për ta institucionalizuar kontrollin serb në Kosovë", është shprehur ai.

Sipas tij, votat e Listës Serbe do ta kushtëzojnë marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

"Moti i mirë duket në mëngjes, thotë një fjalë e urtë! Kjo që ka ndodhur tani, pra votat e kushtëzuara të Listës Serbe për qeverinë e re, do ta kushtëzojnë dhe diktojnë marrëveshjen finale të Kosovës me Serbinë. Ka info se kjo marrëveshje është nënshkruar në korrik të vitit të kaluar nga ana e presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq në Uashington. Unë e besoj këtë fakt, sepse ndryshe nuk do të rrinin kaq të heshtur as Rama, as Hashimi", ka shtuar tutje.

Profesori thotë se bisedimet kanë mbaruar dhe se do të duhet vetëm pajtimi i Hotit, të cilin duket se e ka pranuar.

"Ndërsa zoti Hoti nisi lëshimet ndaj Beogradit, si garanci se nuk do ta bllokojë marrëveshjen në fjalë. Kjo do të thotë se qeveria e zotit Abdullah Hoti nuk do të rrëzohet për shkak se ajo do të mbrojë territorin dhe sovranitetin e Kosovës, por se ajo do ta dorëzojë sovranitetin territorial, edhe sovranitetin shtetëror në Beograd. Premtimi i tij se do të mbrojë territorin e Kosovës në bisedimet me Serbinë është një rrenë e madhe. Bisedimet kanë mbaruar. Hotit do t'i kërkohet vetëm dakordësia dhe ai e ka marrë përsipër këtë dakordësi. Me këtë rast zbulova se edhe një politikan që mbahet si "i ndershëm", përshtypje që e kishte krijuar zoti Hoti, brenda natës shndërrohet në një mashtrues klasik", ka vlerësuar Bytyçi.

Ai thotë se Kosova gjendet para sfidës më të madhe në histori, asaj të shkëputjes nga Serbia dhe për këtë thotë se shpreson se do ta mbrojnë vendet fqinje.

"Fatkeqësisht Kosova gjendet para sfidës më të madhe në historinë e saj, shkëputjes përfundimtare nga Serbia. Do zoti që në kundërshtim me vullnetin e Thaçit, Ramës dhe Isa Mustafës atë e ndihmojnë për ta kapërcyer këtë sfidë vendet fqinjë, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja, si dhe fuqi të tilla si Gjermania dhe Britania e Madhe. Personalisht jam skeptik në vendimmarrjen e administratës Trump! E dua Donald Trump për vlerat që mbron. Por nuk e dua për qëndrimin që administrata e tij mban ndaj Kosovës", ka përfunduar Enver Bytyçi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat