Berisha: Nga rrethanat se si u formua Qeveria e re, në sy të qytetarëve ka një nivel të caktuar të mos besimit

Politika

Berisha: Nga rrethanat se si u formua Qeveria e re, në sy të qytetarëve ka një nivel të caktuar të mos besimit

Nga: D.B. Më: 5 qershor 2020 Në ora: 15:41
Qeveria Hoti

Se a duhet ti besohet Qeverisë së re të Republikës së Kosovës analisti politik Ejup Berisha ka thënë se nga rrethanat se si u formua Qeveria e re, në sy të qytetarëve e ka një nivel të caktuar të mos besimit. Berisha ka shpjeguar, se qeveritë e fitojnë dhe e humbin besimin në bazë të punëve dhe veprave që i bëjnë gjatë kohës sa janë duke e ushtruar funkcionin të cilin u është besuar nga ana e deputetëve të Kuvendit Republikan pas mbajtjes së zgjedhjeve të cilat duhet të jenë jo vetëm demokratike por edhe korrekte.

Në një prononcim për gazetën “ Bota sot” analisti Berisha ka thënë se, nëse Qeveritë gjatë mandatit të tyre ofrojnë zhvillim dhe përparim në sferat kyçe të funksionimit të shtetit dhe pushtetit apo bëjnë punë të mira dhe të pritshme në sferën politike ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore atëherë duhet besuar Qeverive, në të kundërtën jo.

Image
Ejup Berisha

“Nëse qeveritarët arrijnë ti tejkalojnë interesat e tyre të ngushta individuale e grupore dhe e promovojnë dhe e mundësojnë zbatimin e interesit të përgjithshëm shoqëror, po këtyre Qeverive duhet besuar. Por duke e pasur parasysh faktin se Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, e iniciuan dhe e bënë aktorë të vjetër politik të cilët edhe vet kanë qenë në pushtet dhe nuk i kanë ofruar shumë gjëra pozitive të duhura dhe të domosdoshme shtetit dhe qytetarëve, atëherë është vështirë ti besohet Qeverisë së re të udhëhequr nga Kryeministri i ri Avdullah Hoti. E them këtë pasi konsideroj se ai do të jetë vetëm  një zbatues i urtë i ideve koncepteve vendimeve apo dhe urdhrave të padronëve të tij. Pra Avdullah Hoti duke e pasur parasysh pozicionin e tij real dhe përkrahjen reale politike që e ka do të jetë një Kryeministër i dirigjuar nga qendrat apo dhe kuliset të cilët atij i kanë mundësuar që të bëhet Kryeministër. Kur jemi te çështja e besimit të Qeverisë atëher duhet thënë se Qeveritë e dala nga zgjedhjet e lira dhe demokratike në vetvete e kanë një nivel të caktuar të besimit e ai është siguruar nga votat e qytetarëve votues”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij sa i përket Qeverisë së re, ajo u formua dhe u votua si pasojë e rrëzimit të Qeverisë së dalë nga zgjedhjet e muajit tetor të vitit të kaluar.

“Prandaj duke i pasur parasysh rrethanat dhe kushtet në të cilat është krijuar dhe ka ardhur në funksion Qeveria e re atëherë te ajo që në fillim ekziston një dozë jo besueshmërie në sytë e qytetarëve. Dhe kjo për ta arritur një nivel të arsyeshëm dhe të kënaqshëm të besueshmërisë dhe përkrahjes, duhet të punoj dy ish më shumë dhe të jep rezultate tepër të kënaqshme, për ti bindur të gjithë se edhe përkundër rrethanave të dyshimta dhe të pavolitshme të cilët e sollën në krye të shtetit megjithatë ja vlenë të përkrahet e njëjta. Por megjithatë për çështjen e besueshmërisë së Qeverisë më meritor janë qytetarët e Republikës së Kosovës meqë Qeveria është e krijuar për ta dhe duhet tu shërbej atyre dhe ata”, ka thënë analisti Berisha.

Ai konsideron se qytetarët duhet ta thonë mendimin dhe qëndrimin e tyre përfundimtar rreth asaj se athua i besojnë apo nuk i besojnë Qeverisë së re.

“Por meqë thuhet se jetojmë në shtet për të cilin thuhet se është demokratik atëherë më mirë dhe më e qëlluar do të ishte që qytetarëve tu mundësohej që mendimin e tyre ta shprehnin përmes organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme ku do të vinte në shprehje sovraniteti apo pesha e tyre demokratike e të vendosurit në politikë. Pra meqë u krijua situata e re dhe e paparashikueshme rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit atëherë aktorët kryesor politik për zgjidhjen e kontestit të tyre politik për atë se kujt duhet ti takoj legjitimiteti për ta udhëhequr Qeverinë e me këtë edhe shtetin, u desht që të pajtoheshin që të shkonin në zgjedhje dhe mandat për këtë gjë të kërkonin nga bartësit e sovranitetit shtetëror apo nga qytetarët. Po të ndodhte një gjë e tillë sot të paktën për një periudhë të caktuar do të shmangej qështja e asaj se a duhet ti besohet Qeverisë së re të koalicionit i njohur me shkurtesën LAN. Pra siç thashë edhe më herët Qeveritë e mundësuara apo të dala nga zgjedhjet e lira dhe demokratike ku fjalën e fundit do ta thonë qytetarët në vetvete nga fillimi e kanë një përqindje besueshmërie në opinion”, ka thënë analisti Berisha.

Sipas tij, Qeveria e re e RKS-së duke i pasur parasysh rrethanat në të cilat erdhi në shprehje dhe u formua atëherë në sy të qytetarëve e ka një nivel të caktuar të jo besimit.

“Prandaj për fund do të thoja se në Republikën e Kosovës u desht që faktorët kryesor politik të shkonin në zgjedhje por konsideroj se ata faktor që e rrëzuan Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti nuk guxuan të shkojnë në zgjedhje sepse nuk i kanë numrat apo ishin të frikësuar se do të pësojnë humbje edhe më të madhe se në zgjedhjet e muajit tetor të vitit të kaluar.Prandaj ata u përcaktuan për variantin e rrëzimit të Qeverisë, përmes mekanizimit parlamentar të votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, dhe e rikonfiguruan shumicën parlamentare”, është shprehur analisti politik Ejup Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat