“Qeveria Hoti”, Haziri flet për sfidat e mëdha që e presin Kosovën – zbulon se kush do ta determinojë jetëgjatësinë e kësaj qeverie - Bota Sot
“Qeveria Hoti”, Haziri flet për sfidat e mëdha që e presin Kosovën – zbulon se kush do ta determinojë jetëgjatësinë e kësaj qeverie

Politika

“Qeveria Hoti”, Haziri flet për sfidat e mëdha që e presin Kosovën – zbulon se kush do ta determinojë jetëgjatësinë e kësaj qeverie

Nga: N. H Më: 5 qershor 2020 Në ora: 20:42
Qeveria Hoti

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të mërkurën kanë votuar ‘Qeverinë Hoti’. Me 61 vota, 1 abstenim, deputetët e Kuvendit i thanë “po” qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.

Në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, duke folur për qeverinë e re të Kosovës, ka thënë se kjo e fundit ka vullnet dhe profesionalizëm për t’iu qasur sfidave të cilat i ka vendi si në rrafshin e brendshëm dhe në atë të jashtëm.

Haziri për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ‘Qeveria Hoti’ ka edhe një mbështetje të madhe nga partnerët ndërkombëtar për orientimin e saj properëndimor.

Image
Nexhat Haziri

“Mbase në fillim duhet ta potencoj se ‘Qeveria Hoti’ ka vullnet dhe profesionalizëm për t’iu qasur sfidave të cilat i ka vendi si në rrafshin e brendshëm, por edhe në atë të jashtëm, dhe ka një mbështetje të madhe nga partnerët ndërkombëtar për orientimin e saj properëndimor, dhe kjo mbështetje është një adut i fortë i qeverisë Hoti për menaxhimin e suksesshëm të situatës në të cilën po kalon vendi”, ka thënë Haziri.

Tutje, ai ka treguar se cilat do të jenë sfidat që do ta determinojnë edhe jetëgjatësinë e qeverisë së re të Kosovës.

Ndërsa, analisti Haziri potencon se ‘Qeveria Hoti’ ka një shumicë parlamentare tejet fragjile, me partnerë vegjël dhe me Listën Serbe përbrenda koalicionit, që sipas tij, do të përballët me një opozitë të fortë, agresive dhe tejet nervoze siç është tani LVV-ja dhe PDK-ja.

“Natyrisht se sfidat me të cilat do të ballafaqohet ‘Qeveria Hoti’ janë ato të cilat edhe do ta determinojnë në një farë forme edhe jetëgjatësinë e saj siç është dialogu me Serbinë, rimëkëmbja ekonomike pas epidemisë , lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë kontekst duhet pasur parasysh edhe faktin që ‘Qeveria Hoti’ ka një shumicë parlamentare tejet fragjile, me partnerë vegjël dhe me Listën Serbe përbrenda koalicionit, do të përballët me një opozitë të fortë, agresive dhe tejet nervoze siç është tani LVV-ja dhe PDK-ja, që e obligon ndërtimin e një koncensuesit të gjerë politik për sfidat të cilat i përmendëm më parë, dhe relaksimin e raporteve brenda skenës politike të vendit, të polarizuara skajshëm nga ish-qeveria Kurti”, ka shtuar Haziri.

Në fund ai ka ritheksuar se mbështetja e partnerëve ndërkombëtar për ‘Qeverinë Hoti’, do të jetë esenciale për mbijetesën e saj.

Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar të premten me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, për të diskutuar prioritetet e qeverisë së re.

Në një komunikatë për media është thënë se disa prej çështjeve kyçe të diskutuara kanë qenë edhe lufta kundër koronavirusit të ri dhe rimëkëmbja ekonomike.

“Krahas këtyre, ai theksoi edhe prioritetet e tjera, si forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i korrupsionit, rritja e punësimit, zhvillimi i tregut të lirë dhe marrja e përgjegjësive për dialogun”, është thënë mes tjerash në njoftim.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat