Kurti s’iu nënshtrua asnjëherë Thaçit

Politika

Kurti s’iu nënshtrua asnjëherë Thaçit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 7 qershor 2020 Në ora: 08:24
Ilustrim "Bota sot"

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur edhe njëherë për shkarkimin e Albin Kurtit nga pozita e Kryeministrit të Kosovës, dhe sipas tij këtu nuk pati rol faktori ndërkombëtar, por gabimet që ai i bëri ai vet.

”Nga ana ime është ofruar bashkëpunimi, ka pasur mundësi të jashtëzakonshme bashkëpunimi. Me pretendimet për të shtyrë një agjendë që nuk kishte vlera të vullnetit qytetar as të vullnetit perëndimor”.

Gjithashtu ajo se çfarë ngjalli reagime ishte deklarata e Thaçit i cili u shpreh që nëse Kurti po të I dëgjonte këshillat e tij atëherë do të ishte në zyrën që ka qenë

“Në takimet që kisha me të jam munduar ta këshillojë. Sikur t’i merrte ato këshilla sot do ishte në zyrën ku ka qenë” u shpreh Thaçi.

”Mund të them që askush nuk e shkarkoi atë por e ka shkarkuar vetveten me gabimet e tij”, shtoi edhe më tej Thaçi.

Bytyçi: Deklarata e Thaçit nga përmbajtja psiko-politike shohim se udhëhiqemi nga një president anakronik

Në lidhje me këtë me temë, profesori universitar, Enver Bytyçi, u shpreh që deklaratat e Thaçit ta japin një përmbajtje psiko-politike duke përmendur edhe vizita në orën 1 të natës së deputetit për ta votuar kryeministrin në ardhje.

Image
Enver Bytyçi

“Po ta analizojmë deklaratën e zotit Thaçi nga pikëpamja e përmbajtjes psiko-politike, atëherë duhet thënë se Kosovën e udhëheq një president anakronik, delirant, me pikëpamje dhe ndjesi psikologjike sundimi dhe imponimi ndaj kreut të ekzekutivit të Kosovës. Por për Hashim Thaçin kushtetuta është një copë letre, me të cilën mund të tallesh, të luash dhe ta grisësh e zhuritësh si të duash e kur të duash. Ai i shkoi një deputeti në orën 1 të natës për ta “bind” për të votuar kryeministrin në ardhje. Nëse kjo do të ndodhte edhe në Afrikë, qytetarët dhe institucionet e vendit do të tronditeshin. Por Hashim Thaçi guxon në zemër të Evropës të tallet me demokracinë dhe shtetin e të drejtës dhe t’i diktojë edhe kryeministrit çfarë duhet e çfarë nuk duhet që ai të bëjë. Imagjino si sillet një politikan i tillë me qytetarët e pambrojtur”, u shpreh Bytyçi.

Në fund, Bytyçi tha që këto deklarata nuk I thotë tashmë për Kurtin por për Hotin duke I treguar që “jam unë këtu, ndërsa ti nuk mund të më zësh vendin”.

“Por Thaçi tani nuk flet për Albin Kurtin! Mesazhi i tij për mosbindjen e zotit Kurti i drejtohet kryeministrit të ri, Abdullah Hoti. Besoj e keni vënë re, kur zoti Hoti deklaroi se ai do të ishte kryenegociator në bisedimet me Serbinë dhe të nesërmen u detyrua ta relativizojë atë deklaratë. Ishte Thaçi që ia tërhoqi vërejtjen, duke i thënë se “Jam unë këtu, ndërsa ti nuk mund të më zësh vendin”!

Elezaj: Kosova nuk ka president por një monark diktatorial

Njohësi i çështje politike, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që Thaçi është shkelës i Kushtetueses duke cekur edhe shkeljen e fundit që bëri ndaj Kushtetutës duke vazhduar që me atë deklaratë Thaçi ka dëshiruar që edhe Kurti të i nënshtrohet atij mirëpo që ky i fundit e dëshmoi të kundërtën e tij.

Image
Rexhep Elezaj

“Për fat të keq, Kosova nuk ka një president në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por një monark diktatorial dhe agresiv, i cili qëkur ka ardhur në atë post, në vend se të ishte një figurë unifikuese, simbol i bashkimit të popullit dhe bashkëpunimit midis partive ashtu siç Kushtetuta jonë ia cakton rolin dhe kompetencat, ai është i pari dhe shkelësi kryesor i Kushtetutës, meqë gati gjithherë ka dalë jashtë detyrave dhe obligimeve të tij kushtetuese! Pra, me ndikimin dhe ndërhyrjet e tij në punët e ekzekutivit, ka ndikuar drejtpërdrejt në rrëzimin e qeverisë “Kurti”, dhe këtë e dinë tani i gjithë opinioni vendor dhe ndërkombëtar! Deklarata e tij tallëse dhe ofenduese ndaj z. Albin Kurti, “se po t’i pranonte këshillat e mia, sot do ishte në zyrën ku ka qenë..”, dëshmon atë çfarë e thash më lartë, e që lexuar politikisht i bie, se po t’i nënshtrohej urdhrave të monarkut, shefit dhe bosit numër një të Kosovës (Al-Kapones), nuk do ta kisha rrëzuar..”(!?), por që për fat LVV-je dhe anëtarësia e saj, ia kanë bërë me dije qysh moti përmes aksiomës së tyre të njohur, “Se një popull nuk i nënshtrohet një individi..”, duke mos pranuar që presidenti të implikohet në çdo vendim të qeverisë si dhe për çdo vendim të merret pëlqimi i tij paraprak”, u shpreh Elezaj.

Më tej, Elezaj thotë që Thaçi ka qenë dhe është njeriu kryesor i cili ka rrëzuar qeverin Kurti dhe se është i vetmi i cili merr vendime arbitrare dhe krye me vete në Kosovë, jashtë kompetencave të tij kushtetuese, më së mirë flet ndërhyrja e tij direkte në formimin e qeverisë “Hoti”.

“E them me bindje të plotë, se presidenti Thaçi është njeriu kryesor i cili, jo vetëm se ka ndikuar në rrëzimin e qeverisë “Kurti”, por në fakt është aktori dhe zbatuesi kryesor i këtij skenari, mbase i ndihmuar plotësisht nga Isa Mustafa dhe njerëzit e tij (presidentit) në LDK, dhe për këtë sot askush nuk e ka një fije dyshimi. Populli ynë thotë bukur; “Katundi që shihet, kallauz nuk don..”!? Kështu duke ndikuar drejtpërdrejt në Gjykatën kushtetuese që ajo ta nxjerr vendimin antikushtetues me të cilin i mundësoi partisë së dytë, pra LDK-së, ta formojë qeverinë tjetër, pa shkuar në zgjedhje të parakohshme, ashtu siç është e paraparë me Nenin 82. Pikë 2. të Kushtetutës, ku është e paraparë që pas rrëzimit të qeverisë me mocion mosbesimi, vendi duhet (jo mund) të shkon në zgjedhje të reja. Por, se presidenti Thaçi ka qenë dhe është njeriu kryesor i cili merr vendime arbitrare dhe krye me vete në Kosovë, jashtë kompetencave të tij kushtetuese, më së mirë flet ndërhyrja e tij direkte në formimin e qeverisë “Hoti”, duke shkuar në shtëpinë private të deputetit të NISMA-s, Haxhi Shalë, për t’i bërë presion ose për ta joshur që votën e tij ta jep në favor të formimit të qeverisë”, tha Elezaj.

Shahu: Thaçi nuk është model që duhet një politikan ta ndjekë

Analisti politik, Rexhep Shahu, u shpreh për “Bota sot”, që me atë deklaratë Thaçi u shpreh shumë menjemadh dhe arrogant dhe se Thaçi nuk është model që një politikan ta ndjekë në Kosovë.

Image
Rexhep Shahu

“Thaçi është shprehur kështu është treguar arrogant, mendjemadh. Si gjeli maje plehut në katund. Nuk është Thaçi hekurudha e duhur apo modeli që duhet të ndjekë një politikan në Kosovë”, përfundoi Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat