Sulmet ndaj Vjosa Osmanit, flet Haziri: Nuk reagoi askush përpos Isa Mustafës

Politika

Sulmet ndaj Vjosa Osmanit, flet Haziri: Nuk reagoi askush përpos Isa Mustafës

Nga: N. H Më: 8 qershor 2020 Në ora: 23:38
Vjosa Osmani dhe Isa Mustafa

Gjatë ditës së djeshme ishte një ngjarje që ngjalli reagime të ndryshme, e ajo ishte lajmi kinse babai i Vjosa Osmanit ishte pjesë e Policisë Serbe.

Nexhat Haziri, njohës i çështjeve politike në vend, lidhur me këtë, shprehet se kjo është një pasqyrë nivelit të ulët të debatit shoqëror në Kosovë.

“Një fushatë linçuese përmes rrjeteve sociale, si një lloj lufte special ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, përveç që është e papranueshme dhe tejet primitive, është poashtu pasqyrë e nivelit të ulët të debatit shoqëror në Kosovë. Ky diskurs aspak human që tashmë po e shohim në rrjetet sociale, por jo vetëm këtu por edhe në disa nga mediat, sidomos në portale të afërta me parti të caktuara politike është si rezultat i polarizimit të skajshëm shoqëror të cilin e prodhuan vet partitë politike”, shprehet Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Ai me tej shpjegon se si po mbështetet edhe në shoqëri ky diskurs i rrezikshëm, pa asnjë argument, pa asnjë përgjegjësi morale e penale.

Image
Nexhat Haziri

“Është e habitshme se si ne si shoqëri po e mbështesim këtë diskurs shumë të rrezikshëm në komunikimin tonë ku me një lehtësi, pa asnjë argument, pa asnjë përgjegjësi morale e penale, sot mund t’i thuash kujtdo tradhtar, UDB, bashkëpunëtor i Serbisë, Rusisë, dreqit e t’birit. Ndërsa në anën tjetër organet e sigurisë dhe të drejtësisë janë të heshtur përballë kësaj “harlisje” shoqërore e cila është mjaftë e rrezikshme”, shpjegon ai.

Në fund, Haziri deklaron se është e habitshme se si përveç kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, nuk reagoi askush tjetër, e as nga Vetëvendosje më të cilën Osmani është më e afërt se sa me partinë ku ajo vazhdon të jetë nënkryetare.

“Të bëhen linçime të tilla publike të përkrahura edhe nga turma të tjera, është sikur të shkosh në mal, të shënjosh lisat, dhe më pas është vetëm çështje kohësh se kur do të priten ata. Po ashtu për tu habitur se ndaj linçimit të kryetares së Kuvendit të Kosovës, që lirisht mund të themi se ishte në një farë forme edhe kërcënim për familjen e saj, nuk reagoi askush përpos liderit të LDK-së, Isa Mustafa, ku Osmani është nënkryetare e partisë. Nuk patëm reagim as nga parti të tjera, sidomos nga LVV-ja më të cilën Osmani është më e afërt se sa me partinë ku ajo vazhdon të jetë nënkryetare, pra në LDK-në, nuk reaguan as qeveria e as presidenca”, tha në fund Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat